Mësuesi duhet të jetë ligji dhe mbreti në shkollë, koha t’i rikthejmë shkëlqimin e ta ngrejmë në piedestalin që meriton

Nga Rigels Seliman

Në kohën e sotme, mësuesi ka humbur autoritetin dhe respektin që dikur kishte. Në vitet e shkuara, kur një mësues hynte në klasë, të gjithë nxënësit, pa marrë parasysh sa të rritur apo të pjekur ishin, e ndjenin menjëherë prezencën e tij si një autoritet që duhej respektuar. Nuk ishte fjala për frikë, por për një lloj respekti, adhurim dhe nderimi që ai kishte fituar falë diturisë dhe përvojës së tij. Sot, ndodhemi në një situatë të ndryshme. Shpesh, autoriteti i mësuesve është nënvleftësuar dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në sjelljen e nxënësve, veçanërisht të adoleshentëve.
Në shoqërinë tonë, gjithnjë e më shumë adoleshentët janë tërhequr nga një realitet virtual që ofron shumë mundësi për të shpërthyer, pa pasur kujdes për pasojat. Ata shpesh e konsiderojnë mësuesin një figurë të padobishme, duke e pasur atë si një “të huaj” në jetën e tyre. Ky fenomen ka krijuar një hendek të thellë mes mësuesit dhe nxënësit, ku nxënësit më të rinj e ndiejnë se mund të sfidojnë dhe injorojnë autoritetin e mësuesve pa pasur pasoja. Dhuna verbale dhe fizike në shkolla është rritur dhe kjo ndikon në një mjedis mësimor të dëmshëm për të gjithë, sikundër e tregon ngjarja e fundit ku një adoleshent u vra nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.

Në kohën kur ne ishim adoleshentë, çdo fjalë e mësuesit kishte peshë. Kur një mësues hynte në klasë, të gjithë ngriheshim në këmbë dhe atmosfera ishte plot respekt dhe vlerësim për atë që ai ose ajo do të thoshte. Nuk kishte vend për ngacmime, për të qeshura të çuditshme apo për të sfiduar autoritetin e mësuesit. Ai ishte ligj dhe mbret i klasës, ndërkohë që ndjenja e frikës nuk ishte nga dhuna, por nga një lloj ndjenje përgjegjësie për të mos prishur disiplinën.

Sot, është e nevojshme që të rikthehet ky autoritet i shenjtë i mësuesve. Kur mësuesi është i dobësuar në autoritetin e tij, ai nuk mund të ushtrojë ndikimin e nevojshëm për të formuar karakteret e rinjve. Shkollat janë pasqyra e shoqërisë dhe një shoqëri ku mësuesi nuk ka autoritet është një shoqëri që nuk do të ketë një të ardhme të shëndetshme. Nxënësit që nuk respektojnë mësuesit janë më të prirur të mos respektojnë as institucionet, as rregullat e jetës. Ka ardhur koha që mësuesit t’i rikthejmë shkëlqimin e ta ngrejmë në piedestalin që meriton.

Thënë troç, autoriteti i mësuesit duhet të jetë i pacenueshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një mjedis edukativ i shëndetshëm. Mësuesi është ai që drejton udhën e dijes, por gjithashtu është ai që formon karakteret e të rinjve, duke i ndihmuar ata të kuptojnë rëndësinë e disiplinës, përgjegjësisë dhe respektit. Nëse i japim mësuesit autoritetin që meriton, do të jemi më afër krijimit të një shoqërie të shëndetshme, ku të rinjtë do të respektojnë rregullat dhe të ardhmen do ta shohin me shpresë.

Siç thonë edhe ekspertët e arsimit dhe ata që komentojnë dhunën në shkolla, rikthimi i autoritetit të mësuesve është çelësi për një arsim të suksesshëm. Duhet të bëjmë përpjekje për të rivendosur këtë autoritet në mënyrë që të krijojmë një mjedis që do t’i ndihmojë nxënësit të zhvillohen si individë të përgjegjshëm dhe të respektuar, për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Latest articles

Related articles