Nga Mirela Karabina
Jo, more zoti kryeministër jo!
Ndaj 3.5 milion euro për klasat digjitale u “zhdukën” dhe i lë nxënësit shqiptarë me boshllëqe të parikuperueshme në kohën e pandemisë 2020, ndërsa nxënësit në zonat rurale 2 vite shkollimi pas bashkëmoshatarëve të tyre.
10 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, 100 milion nga BE dhe donacione për shkollat e dëmtuara nga tërmeti, ende sot nuk kanë përfunduar që do të thotë se mësimi është bërë shkel e shko, me dy, tri e katër turne duke i dhunuar nxënësit përmes kohës së kufizuar dhe hapsirës së munguar.
Figurën e mësuesit e ke shpërfillur, nuk e pyete asnjëherë për ndryshimet politike që ndërmore në shkolla në emër te refomave të dështuara, e lë me pagë që as familjen nuk e mbante dot e jo më të siguronte mirëqënie, dhe në këtë vit elektoral premton rritje page e të harrojnë 12 vite jetë të vështira.
Reformën kurrikulare dhe atë të teksteve të përkthyera i ke të dështuara, shkolla ka marrë tatëpletën pa ambjente të përshtatshme mësimore e pajisje, pa infrastrukturë digjitale dhe me një kohë të kufizuar të nxënësve në shkollë si në kohën e diktaturës, duke e kufizuar mësimin brenda mureve të klasës dhe prindin të vetëm të gjejë zgjidhje se ku të dërgojë fëmijët pas orës 11.30 të
mëngjesit dhe 13.30 të drekës.
Prindërit as i ke dëgjuar e as i ke pyetur se si i kanë hallet dhe shqetësimet me shkollën, mësimdhënien dhe të nxënët e fëmijëve të tyre, por veç i ke përdorur kur të janë dashur.
Sigurisht që platformat sociale duhet të menaxhohen, por faji nuk është i tyre, jo!
Faji është i Qeverisë Rama që në vend ta kthente shkollën në një vend të hareshëm ku gëlon dija, bashkëpunimi, miqësia, përkushtimi e kompetenca e ka rrënuar në dije duke e kthyer në një vend të pasigurtë.
E kjo është këmbanë alarmi!
Buxheti i ulët për arsimin, më i ulti në dekada, 2.36% i vë vulën vullnetit të munguar për mirëarsimim dhe mirëedukim të nxënësve shqiptarë nga kjo qeveri.
Edi Rama dhe qeveria e tij tashmë kanë humbur besueshmërinë për ndryshim, pasi janë të pamoralshëm dhe të korruptuar.
Ndaj shkolla, edukimi dhe siguria janë në gjendjen më të rëndë në dekada.
Fëmijët shqiptarë meritojnë shkollim të mirë dhe shkolla të sigurta!
Shqipëria meriton më shumë.
20 Nëntor 2024