I ka dështuar shkolla, paketa sigurisë; Rama gjen fajtorin: Tik Tok

Teksa i ka dështuar shkolla, paketa e sigurisë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi; Kryeministri Rama ka paralajmëruar se qeveria po diskuton mbylljen e rrjeteve sociale TikTok e Snapchat ose do vendosë filtra të ashpër ndaj tyre.

Kreu i qeverisë tha se çështja do diskutohet gjerësisht me prindërit dhe në të do marrin pjesë të gjitha shkollat.

“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtarve apo të ndërmarrim masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tok apo Snap chat. Dilemën do e hedhim për diskutim të gjerë në komunitetin e prindërve. Do të angazhohen të gjitha shkollat për të marrë një vendim demokratik për një problem kaq të madh por kompleks në përmbajtjen dhe zgjidhjen e vet.” – tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi më tej se rrjetet sociale po ushtrojnë një presion të madh mbi fëmijët dhe të rinjtë dhe se duhen ndërmarrë hapa për ta zbutur këtë gjë. Rama solli si shembuj vende të ndryshme dhe masat e ndërmarra prej tyre në këtë drejtim.

“Këto janë të vërteta të thjeshta më të cilat nuk është e vështirë të biem dakord si prindër apo qytetarë dëshmitarë të shoqërisë së kohës të botës së sotme, ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona. Shumë shtete po përpiqen filtra mbrojtës, por ende pa rezultat. Çdo prind është dëshmitar i faktit se presioni i tërheqjes së fëmijëve nga telefonët bëhet gjithnjë e më i përballueshëm edhe brenda mureve të shtëpisë. Do ndjekim hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera, për ta ulur këtë presion. Janë ndërmarrë nisma të ngjashme që nga Australia ku po tenohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të fëmijëve deri në moshën 16 vjeç. Deri të Franca, apo Spanja ku fillimisht u vendos që fëmijët deri 14 vjeç të mos hapin llogari online dhe së fundmi ky kufi është rritur në 16 vjeç.” – shtoi kryeministri.

Deklarata e Ramës vjen dy ditë pasi 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga një bashkëmoshatar shumë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Autori postoi në Snapchat foto pas ngjarjes me thikën e përdorur për krimin si dhe gjak në duart e tij.

Latest articles

Related articles