Një përgjigje nga Konçesioni i Check-UP-it, për kryetaren e Komisionit Hetimor të Koncesioneve të Shëndetësisë, që aq shumë të pavërteta ka thënë për Kontrollin Mjekësor Bazë, natën e fundit të këtij komisioni dhe kaq shumë baltë ka hedhur mbi punën e 8 viteve për këtë projekt. E pamë komunikimin e saj natën e fundit, duke folur për vlera miliona eurosh pa kuptim, për shkelje kontratash, për aksione në shumë shoqëri të tjera dhe duke habitur, me siguri, edhe aksionerët e këtyre shoqërive, për bashkëpunime të padëgjuara dhe që për herë të parë i dëgjuam aty, për miliona që ndahen te personalitete shtetërore, për miliona përfitime nga analizat e pabëra dhe miliona fitime që nuk ekzistojnë përveçse në imagjinatën e saj.
Fliste për ndërtimin e laboratorëve në vendndodhjen e kompanisë në një kohë kur kontrata nuk kufizon marrjen me qira në çdo vend të përshtatshëm logjistikisht.
Fliste për 170 automjete që duhet të ishin në përdorim, në një kohë kur kontrata përfshinte 36 automjete.
Fliste për pajisje të blera dhe të shitura me norma të larta fitimi.
Godiste kontratën e koncesionit për çdo gjë për të thënë që është gabim TVSH-ja, për marrje analizash dy herë njerëzve që t’i përdorin për të rritur numrin.
Sajesa për mbetje spitalore jashtë standardit, për rritje të numrit të diabetikëve me qëllim përfitimi nga shitja e ilaçeve.
Sajesa për lidhje me institucionet për të ndryshuar ligjet, për akses dhe ndërhyrje në serverat e Ministrisë, dhe janë aq shumë të tjera, sa nuk i rendisim dot në këtë letër.
Të gjitha këto u bënë natën e fundit të komisionit hetimor kur u kuptua dështimi i objektit për të cilin u ngrit ai komision, sepse në asnjë nga ditët, përveç anëtarëve të opozitës së këtij komisioni, nuk dëgjuam të meta por vetëm vlerësime, që të thëna nga specialistët e fushës së shëndetësisë për ne janë shumë të rëndësishme.
Në një kohë që ekspertë të dy palëve kanë bërë një kontratë e cila pas nënshkrimit merr fuqi ligjore dhe ngarkon palët me detyrimin e zbatimit të saj, si ka mundësi që kryetarja e komisionit nuk lexon dot klauzolat e kontratës por i bazon shifrat e saj në dokumente të tjera që vetëm ajo e di ku mund t’i ketë gjetur?!
Ne, me përgjegjësi të plotë civile dhe profesionale, me ndërgjegje të pastër, me shifra dhe fakte konkrete, do të mundohemi të paraqesim të vërtetën para gjithë opinionit publik në vijim.
Duam të kujtojmë që realizimi i këtij projekti është bërë falë punës së madhe në vitin e parë të tij, kur ne arritëm të realizojmë një sistem të shkëlqyer logjistik që mbulonte të gjithë Shqipërinë, si dhe laboratorë me standarde ndërkombëtare dhe me pajisje të teknologjisë së fundit. Çdo gjë ishte e saktë sepse punonim me barcode (epruvetat, pajisjet, rezultatet, etj.), që nuk linin asnjë mundësi gabimi, ZERO. Arritëm t’i certifikojmë laboratorët dhe 100% të analizave tek firma prestigjioze angleze Randox, ku dhe vazhdojnë të certifikohen çdo vit. Ai që është i fushës e kupton sa e rëndësishme është kjo. Prandaj, nxjerrja e analizave me gabime që kryetarja e komisionit hetimor na tregoi natën e datës 13 Nëntor nuk ekziston, sepse janë të ruajtura të gjitha filet e certifikimit të pajisjeve që tregojnë të kundërtën e pretendimeve të saj.
Megjithatë, duhet folur për pjesën më të vështirë të projektit, që askush nuk e ka përmendur deri sot, që është çfarë bëhej në terren, jashtë laboratorëve. Duhej të furnizonim me mjete pune, të mblidhnim analizat dhe të kthenim përgjigjet e analizave në secilën prej 436 Qendrave Shëndetësore, çdo ditë, në çdo cep të Shqipërisë, dhe atje ku ishin vetëm pak familje. Agjentët tanë të logjistikës shkojnë për të marrë edhe një analizë të vetme, pavarësisht kostove të larta, nga Qendrat e Tiranës, Durrësit e Elbasanit deri në Kala të Dodës (Dibër), në Panarit (Korçë), në Kastrat (Shkodër), në Armen (Vlorë), në Kthellë (Mirditë) apo në qindra Qendra Shëndetësore të tjera në të gjithë Shqipërinë që është e pamundur t’i përmendim këtu. Kështu nuk është lënë jashtë asnjë person që shteti i ka dhënë të drejtën për të kryer këto analiza shëndetësore, duke ofruar të njëjtën cilësi shërbimi në gjithë territorin e Shqipërisë.
Nuk duhet harruar që shumë Qendra Shëndetësore shumë larg qyteteve ishin në gjendje shumë të vështirë, në godina të amortizuara me lagështirë ku pikonin çatitë, nuk kishin ujë për të larë duar, mungonte ndriçimi etj. Shumë nga Qendrat Shëndetësore nuk kishin energji elektrike. Energjia elektrike vinte vetëm natën, tensioni ishte i ulët dhe nuk hapeshin kompjuterët, nuk punonin printerët e as frigoriferët. Duheshin UPS dhe invertera për energjinë. Asgjë nga këto nuk ishte përfshirë në kushtet e kontratës. Koha për implementimin e projektit ishte e shkurtër dhe ne nuk mund te prisnim që shteti te ndërhynte për situatën pasi procedurat do të vononin procesin. Situata e gjetur diktoi investime shtesë nga kompania të paparashikuara në kontratë por të domosdoshme për realizimin e shërbimit.
Duheshin trajnuar të gjithë infermierët pjesë e stafit të QSH-ve që ishin pjesë e projektit, jo vetëm në përdorimin e programit të dedikuar, por për një pjesë të tyre ishin të domosdoshme trajnime ekstra që lidheshin që nga përdorimi bazë i kompjuterëve deri në sistemin modern të marrjes së gjakut (vacutainer), kryerjen e EKG dhe matjen e tensionit. Sot është ndryshe: ata përdorin kompjuterët, teknologjitë e fundit dhe marrin analizat njësoj si kolegët e tyre në botë.
Të gjithë specialistët, teknikët, eksperte IT, u vunë në dispozicion. Punonin 16 orë në ditë për 7 ditë të javës për të mos lejuar që ky projekt kaq i bukur të dështonte. Dhe përballë kishim përbaltjen e çdo gjëje që ne bënim, të një klase politike që luftonte që njerëzit të mos shkonin për të kryer kontrollin mjekësor. Çfarë mjerimi shpirtëror! Por, për t’u habitur, të njëjtët personazhe që kanë nxitur mospjesëmarrjen, sot kërkojnë llogari për të. Në fund të ditës, pasi kishin punuar me kokën ulur, të lodhur dhe të stresuar, në vend të fjalëve të mira, të gjithë punonjësit në këtë projekt në terren, në QSH dhe laboratorë, përballeshin me stresin e shtypit dhe të gojëve të liga që sa vinin e shtoheshin.
Të gjitha këto kosto shtesë kanë bërë që projekti të mos i kishte pritshmëritë e veta, duke rritur shumë investimin fillestar nga vlera e parashikuar. Pra, fitimet dhe shifrat nuk janë ato për të cilat flet kryetarja e komisionit, por janë shumë herë më të ulëta nga vlerat e paraqitura atë natë. Shifrat e bilancit të kompanisë, që gjenden lehtësisht në QKB, flasin qartë për të ardhurat e realizuara dhe të paguara nga fillimi i projektit deri në fund të vitit 2023 nga F.S.D.K.SH në shumën prej rreth 44 milionë euro.
Kryerja e këtyre analizave gjatë periudhës 2015-2023 ka gjeneruar një fitim mesatar prej rreth 8.9% në vit, që ka sjellë fillimin e shlyerjes së investimit pas vitit të 8-të të investimit fillestar të bërë nga aksionerët. Me këto të dhëna, duket qartë se, në rast se nuk do të ishin paguar rastet e pakryera, pas 8 vitesh punë kompania do të rezultonte me një humbje prej 3.8 milionë euro. Kjo është dhe arsyeja pse kontrata garanton pagesën e një numri minimal prej 475,000 rastesh në vit. Me këtë nivel fitimi, kompania 3P Life Logistic nuk ka pasur asnjëherë mundësinë e financimit të kompanive apo të hoteleve të tjerë të aksionerëve të saj, gjë që përmendet nga kryetarja e komisionit, duke shtuar vlerat në mënyrë të qëllimshme.
Për të qenë më të qartë, deri në fund të afatit 10-vjeçar, parashikohet që vlera e projektit do të shkojë në 63 milionë euro dhe jo 130 milionë euro, sikurse është shpifur atë natë.
Qytetarët, në vend që të orientoheshin për rëndësinë e kujdesit për veten dhe për jetën, dëgjonin çdo ditë se si analizat bëheshin në bodrume, se si për analizat përdornin emrat e të vdekurve, se si do të mbyllen së shpejti dhe nuk do të kryhen më, dëgjonin për burgje e vjedhje milionash, thashetheme që vazhdojnë edhe sot. I kujtojmë opinionit publik se numri më i ulët i pjesëmarrësve, sidomos në vitet e para, erdhi jo nga pakujdesia e njerëzve për shëndetin e tyre, por nga gënjeshtrat me qëllim mosrealizimin e këtij projekti. Sot këta njerëz që lëshuan këto të pavërteta duhet të skuqen dhe të kërkojnë falje për atë dëm që i kanë shkaktuar qytetarëve për mos kryerjen e Kontrollit Mjekësor Bazë.
Megjithatë, për kaq shumë sa është folur dhe përfolur dhe sa shumë është përbaltur nga ata që duan të përfitojnë politikisht, përgjigjen për këtë e kanë dhënë vetë qytetarët. Deri më sot, mbi 1.1 milion njerëz na kanë besuar dhe kanë marrë pjesë në Kontrollin Mjekësor Bazë, dhe janë paraqitur për vite me radhë. Kështu, nga fillimi i projektit deri më 31 Gusht 2024 rezultojnë:
- 3,307,911 kontrolle mjekësore të realizuara nga 3,781,058 kontrolle mjekësore të planifikuara (473,147 rastet e pakryera).
- Me një çmim faktik mesatar 1,757 lekë (deri në 31 Gusht 2024) për çdo kontroll mjekësor bazë (vizitë mjekësore, intervista, marrja e analizave, EKG, matje tensioni, kthim përgjigje në Qendrën Shëndetësore)
Në një kohë kur për të njëjtin protokoll të kontrollit të kryer në laboratorë private, por edhe shtetërore, çmimi mesatar i tyre është mbi 2.5 herë më i lartë.
Për të mos harruar faktin se nga fillimi i projektit deri më sot, janë suspektuar: - 11,638 raste alerte me vlera kritike, të cilat janë tregues i situatave kritike që mund të rrezikojnë jetën e individit.
- 14,072 raste me Fece Gjak Okult, që tregon rrezik të shtuar për kancerin e zorrës së trashë.
- 8,628 raste të dyshuara për patologji malinje në gjak nëpërmjet ekzaminimit mikroskopik, të cilat janë raste të dyshuara të kancerit të gjakut.
Pra, siç mund të kuptohet, bazuar në konstatimet e mësipërme, çdo muaj suspektohen mbi 300 qytetarë që kanë të domosdoshëm referimin me vulën alert drejt mjekëve specialistë në Q.S.U.T për kontroll më të specializuar për shëndetin e tyre. Një pjese e konsiderueshme e këtyre rasteve janë diagnostikuar me patologjinë e suspektuar prej nesh.
Por e gjithë kjo s’do të ishte bërë po të mos ishte ajo ushtri e madhe me mjekë dhe infermierë të Qendrave Shëndetësore dhe punonjësit e përkushtuar të ISHP, Fondit FSDKSH dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë punuar me profesionalizëm për të bindur qytetarët të kenë besim dhe të kryejnë analizat për të mirën e shëndetit të tyre. Shqipëria ka tani një sistem të përkryer PPP të Kontrollit Mjekësor Bazë, nga i cili mund të përfitojnë të gjithë shqiptarët kudo ku janë, sepse është aty dhe është realizuar për të gjithë, nga veriu në jug, funksionon në mënyrë perfekte në 436 Qendra Shëndetësore në të gjithë Shqipërinë. Këto vlerësime i dëgjuam çdo ditë nga mjekët dhe profesorët e sistemit shëndetësor, specialistët dhe funksionarët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, I.SH.P, F.S.D.K.SH, etj., që dëshmuan si dëshmitarë të thirrur nga ky Komision Hetimor. Këtë punë nuk e hedh dot poshtë askush, pavarësisht gënjeshtrave. Ne në punën tonë kemi vetëm shifra dhe fakte.
Ne nuk do të lejojmë që këtë histori suksesi të projektit të Kontrollit Mjekësor Bazë, punë dhe përpjekje të mëdha të këtyre njerëzve që kanë marrë pjesë në këtë projekt, ta nxijnë asnjë person, qoftë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Prandaj, ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ndjekur gjyqësisht këto deklarata të pavërteta të znj. Vokshi, të cilat kanë dëmtuar rëndë imazhin e shoqërisë dhe jo vetëm.
Konçesioni i Check-UP.