nga Taulanda Jupi
Një mbrëmje teatri e pazakontë, një ringjallje që prek me jehonën e vuajtjes dhe shpresës. Në duart e një grupi artistësh të rinj – dikur studentët e mi – drama e Frank McGuinness, “Someone Who’ll Watch Over Me” mori një dimension të ri, një gjuhë ndjeshmërie që e përshkoi çdo skenë me një peshë të rallë emocionale.
Regjisori i shfaqjes Xhuliano Brisku krijoi një univers klaustrofobik, të mbyllur dhe të heshtur, ku terri i qelisë bëhet simbol i izolimit dhe robërisë së mendjes dhe shpirtit. Ky vizion i thellë regjisorial vendosi një distancë të afërt mes skenës dhe spektatorit duke i zhytur ata brenda dhimbjes dhe iluzioneve të personazheve, si në një përballje të drejtpërdrejtë me vuajtjen e tyre.
Aktorët Amri Hasalliu, Klevis Bega dhe Urim Aliaj me një vëmendje të veçantë ndaj detajeve të karakterit i shndërruan personazhet në pasqyrë të vuajtjes dhe shpresës njerëzore.
Në çdo lëvizje të heshtur dhe çdo fjalë të zëshme, ndjehej përballja e tyre me vetminë dhe dëshirën për mbijetesë.
Ishte një përvojë e veçante për mua, besoj edhe për kolegët e mi, si pedagogë të tyre, të shihnim këta artistë të rinj të rritur profesionalisht duke i dhënë shpirt veprës, duke shkrirë pasionin, talentin dhe ndjeshmërinë e tyre në një lëvizje të përbashkët që përtej artit lidhej me shpirtin njerëzor.
Kjo shfaqje dramatike ishte një triumf artistik, një dëshmi e forcës së tyre krijuese dhe e thellësisë së tyre interpretuese, që nuk lidhej vetëm me personazhet që ata sollën, por me fuqinë e tyre për t’i dhënë një tingull të ri dhimbjes së thellë të McGuinness e cila rezonon fort me një realitet ku rrugët e zgjidhjes duket se janë të mbyllura.