Sulm me armë në një fabrikë avionësh luftarakë në Ankara, 4 viktima, terroristët marrin pengje

Një sulm me armë ka ndodhur këtë të mërkurë në një fabrikë avionësh luftarakë në Ankara të Turqisë.

Sipas medieve të huaja raportohet se kanë humbur jetën 4 persona, 14 të plagosur. Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya konfirmoi se shpërthimi i dëgjuar jashtë ambienteve ishte një sulm terrorist, por nuk specifikoi detaje të mëtejshme.

“Një sulm terrorist u krye kundër një fabrike avionësh luftarakë. Fatkeqësisht, ka viktima dhe njerëz të plagosur,” shkroi Ali Yerlikaya në X.

Punonjësit e kompanisë u dërguan menjëherë në një zonë të sigurt.

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se sulmi terrorist “i neveritshëm” në kompleksin e Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në kryeqytetin Ankara, në fakt synoi “mbijetesën, paqen dhe iniciativat e mbrojtjes” të vendit, transmeton Anadolu.

“Sulmi terrorist kundër TUSAŞ-it, një nga organizatat lokomotivë të industrisë turke të mbrojtjes, është një sulm i neveritshëm që synon mbijetesën dhe paqen e vendit tonë dhe iniciativat tona mbrojtëse që janë simboli i idealit tonë të ‘Türkiyes Plotësisht të Pavarur’”, shkroi Erdoğan në X.

“Që në momentin e parë të sulmit terrorist, forcat tona të sigurisë ndërhynë me shpejtësi dhe neutralizuan terroristët”, tha ai, duke shtuar: “Kombi ynë duhet ta dijë se duart e pista që shtrihen drejt Türkiyes do të thyhen patjetër; asnjë strukturë, asnjë organizatë terroriste, asnjë bosht i së keqes që synon sigurinë tonë nuk do të jetë në gjendje t’i arrijë qëllimet e tyre”.

“Lufta jonë kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve terroriste dhe mbështetësve të tyre do të vazhdojë me vendosmëri dhe në mënyrë shumëdimensionale”, theksoi Erdoğan.

Ndryshe, deri më tani, autoritetet turke kanë njoftuar për katër të vdekur dhe 14 të plagosur nga sulmi terrorist.

Latest articles

Related articles