Teza e minimumit jetik, shëmbëlltyra e analfabetizmit ekonomik të së majtës

Nga Ruel Domi

Në një vend si Shqipëria, ku varfëria e lartë, kapja e ekonomisë dhe mungesa e shpresës janë bërë shtyllat e një sistemi të kthyer në një ‘mur berlini’ midis shqiptarit dhe aspiratave të tij, idetë radikale të populizmit majtist zënë vend mirë dhe fuqishëm. Ky është rasti dhe me propozimin absurd të minimumit jetik. Dynjaja e painformuar mendon se minimumi jetik ka të bëjë me indeksimin e pagave dhe pensioneve; pra nëse Shqipëria do kishte nje minimum jetik prej 400,000 lekësh, atëhere pensioni minimal, asistenca sociale apo dhe paga minimale do ishin 400,000 lekë. Edhe pse organizata kombetare e punës, e përkufizon minimumin jetik si “shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë socialkulturore”, në leksikun politik shqiptar minimumi jetik nuk është as më shumë dhe as më pak sesa para qyl nga shteti për cdo invidid, pamvarësisht statusit të ketij individi në fuqinë punëtore. Një tezgë politike marksiste në Tiranë, ka huazuar idenë e minimumit jetik nga ideja e “universal basic income”. Kjo tezë, e përhapur nga politikanë socialistë të Partisë Demokrate Amerikane si Alexandria Ocazio Cortez, Bernie Sanders apo Elizabeth Warren, është ideja që shteti i paguan një shumë të caktuar parash një individi pa punuar. Në ‘kumbajanë’ e teorive, ideja e parave ‘falas’ nga shteti mund të duket morale dhe e mirë, por duhet folur për problemet e thella që kjo politike ka. Dhe këto probleme janë të shumta.

Së pari, minimumi jetik në formën e ‘çeqeve’ nga shteti drejt individit do të shkaktonte inflacion. Shumë inflacion. Shumë ekspertë kanë mbërritur ne konkluzionin se paketat e stimulit të shpërndara në kohën e COVID-it janë arsyea pse inflacioni pati një rritje të madhe mbas pandemisë. Lufta në Ukrainë pati efektin e vet, por rritja e madhe e sasisë së parasë në treg, në shporpocion total me sasinë e produkteve dhe kërkesën për produkte, solli inflacion dhe rrjedhimisht rritje të cmimeve të artikujve bazë. Injektimi i parasë në ekonomi, ajo që ekspertët e quajnë ‘lehtësim sasior’, duhet bërë në raport me rritjen ekonomike dhe me ofertën e produkteve në treg. Nëse ‘revolucionarët’ do fillonin t’u jepnin para njerëzve pa punuar, kjo do të rriste në mënyrë artificiale sasinë e parasë në ekonomi, që për të njëjtën ofertë produktesh në treg, do përkthehej në zhvlerësim të lekut dhe inflacion. Ky zhvlerësim i lekut do godiste eksportuesit që shesin në lekë nderkaq inflacioni do godiste cdo shqiptar. Për më tepër, kjo tezë do të godiste produktivitetin e kompanive që nga ana e vetë do të shkaktonte renie të ofertës në treg dhe domosdoshmërisht inflacion. Nëse u thua njerëzve që do paguhen pa punuar, një pjesë e madhe e fuqisë punëtore do të punojë më pak duke ditur që një pjesë e pagës i garantohet nga shteti. Kjo do të sjellë rënie të rendimentit të punës, rënie të ofertës së artikujve të ndryshme duke ditur që me pak njerëz po punojnë për t’i prodhuar ato produkte, duke shkaktuar rrjedhimisht presion inflacionar mbi ekonomi dhe mungesë të produkteve bazë. Është gjithmonë popullata e thjeshtë që paguan haraçin e ideve revolucionare dhe teza e ‘minimumit jetik’ do jepte po të njëjtin rezultat. Nuk ka rëndësi nëse është Venezuela, ku politikat marksiste Maduriane shkaktuan inflacion 130,000%, apo Shqipëria nesër. Këto politika shkaktojnë gjithnjë inflacion, mungesë oferte dhe varfëri.

Së dyti, paraja e dhënë qyl nga shteti është praktikisht një rishpërndarje imorale e një forme më të zgjeruar. “Revolucionarët” që marrin altoparlantin dhe qarkullojnë tezën e minimumit jetik nuk do rishpërndajnë rrogën e vetë, por rrogën e sipërmarrësit, mjekut, avokatit, financierit, arkitektit, inxhinierit etj. Pra që skema e minimumit jetik të realizohet, produktivi ne shoqëri do taksohet në norma më të larta, në menyrë që individë të tjerë të marrin ndonjë 300 apo 400 eurosh më shumë në muaj pa punuar dhe me garanci nga shteti. Të marrësh para nga ai që punon për t’ja dhënë atij që nuk punon duke perdorur argumentin e varfërisë, është imoralitet qe bazat i ka tek hajdutëria e legjitimuar.

Së treti, kjo politikë do kultivonte një kulturë të parazitizmit shoqëror dhe jo të punës. Në kushtet kur INSTAT raporton se 22% e të rinjve janë të papunë, një propozim që jep para qyl nga buxheti i shtetit do te rriste papunësine dhe do formëzonte një kulturë ku llotoja, kumari dhe urrejtja ndaj të pasurit e produktivit, zëvëndëson punën, produktivitetin dhe krijimtarinë. Kjo lloj hajdutërie e legjitimuar i jep mesazh shoqërisë se i pasuri dhe i arriri është ‘i keqi’ kurse paraziti dhe ziliqari është ‘i miri’. Kjo lloj mendësie komuniste është recetë për të vrarë shpirtin e nje shoqërie.

Kur e dëgjoj tezën e minimumit jetik e kam kollaj të kthej kokën dhe të qesh. Por gjithmonë më kujtohet fjalia e filozofes libertariane Ayn Rand: “Absurditetet e pakontestuara të së sotmes janë sloganet e pranuara të së nesermes”. Të mos t’i lejojmë absurditetet e neo-marksistëve të bëhen sloganet e pranuara të së nesërmes. Përndryshe, Venezuela e shkatërruar nga politikat e ‘drapërit dhe çekanit’, mund të jetë Shqipëria jonë nesër. Nuk duhet lejuar kurrsesi!

Latest articles

Related articles