nga Sabah Sheta, aktivist politik
Protesta do vazhdojë.
Aksesi në Thumanë-Kashar nuk fitohet me fjalë, por me projekt, akte konkrete qeverie dhe nisje të punimeve në terren
Edhe sot vëllezërit të mi nga Kruja, Fushë -Kruja Nikla, Cudhia, Bubqi dhe Thumana ishin në protestë duke kërkuar një të drejtën minimale, për t’i lejuar 85 mijë qytetarët e Bashkisë Krujë dhe mijëra bizneset të shkojnë në shtëpitë e tyre pa taksë dhe për të mos shkuar deri në Kashar. Falenderim zemre kam për secilin, por si krutan, shpreh mbështetjen time sikurse ka ndodhur nga dita e parë, për të vazhduar protestën pa ndërprerje, për ta intensifikuar atë si dhe për ta rritur në pjesëmarrje, deri në realizimin e kërkesës tonë të drejtë dhe legjitimi, aksesin në rrugë Thumanë-Kashar sikurse e kishim më parë.Vëllezër krutanë! Sot u tha që rruga do të hapet dhe është premtuar një takim nga drejtues vendorë me ministren e Transporteve Balluku. Premtimet mbeten të tilla sa kohë nuk ka një projekt, nuk ka një vendim qeverie, nuk ka makineri në terren për të nisur puna.
Asnjë hap pas nuk do të ketë nëse nuk do të shohim më sytë tanë punën që ka filluar, e më parë aktet e duhura që e legjitimojnë nisjen e punimeve për aksesin në rrugë. Krutanët nuk do të gënjehen kollaj! Premtimet boshe nuk do të vlejnë dhe as do ta fikin dot protestën, por përkundrazi do ta ndezin më shumë atë nëse nuk mbahen. Ftoj çdo bashkëqytetar të vazhdojmë pa ndërprerje protestën derisa kërkesa jonë të bëhet realitet! Të bashkuar duke patur Krujën të parën do të fitojmë!