Shënime mbi romanin “Stina e hijeve” të autorit Viron Graçi


Natasha XHELILI


Hyrje
Një bukuroshe e fjetur udhëton në sediljen e pasme të një taksie.Rruga është e gjatë.Duhet të udhëtoj natën dhe të kaloj kufirin pa u zgjuar.Ç’magji është bërë mbi të?A mund ta zgjoj puthja e një princi të dashuruar? Ku ndodhet ky princ fatlum? Shoferi nuk do që ta prish magjinë, ai do që ajo të kalojë kufirin duke fjetur. Nëçdo postbllok atij i ngrin nga pak zemra se mos të tjerët do duan ta zgjojnë. Po a mund të zgjohet ajo?

NJERIU DHE BOTA
Që prej antikitetit Sokrati bën thirrje O njeri njihe veten tënde! Prej shekullit XX Kamy i përgjigjet: njeriu në këtë botë është i huaj, nuk ka mundësi ta njohë as veten as tjetrin.Duke u nisur nga ky dialog shekullor i njeriut, në kërkim të vetvetes janë krijuar vepra artistike dhe filozofike të cilat hedhin dritë mbi ecurinë e këtij dialogu. Njeriu vendoset në mjedise e situata të ndryshme për tëparë si do të reagojë e do të përshtatet, për të gjykuar si do të sillet në momente të rëndësishme të udhëkryqit të rrugëtimit të tij jetësor. Kur i duhet të kujdeset për pasardhësit, për t’u siguruar atyre një të ardhme sa më të mirë, ai është i aftë të bëjë “gjithçka”, duke përligjur veprimet më të ulta që në situata të tjera nuk do t’i kishte menduar kurrë se mund t’i bënte. Megjithatë ajo që na mban në këmbëështë se ende ka njerëz që nuk pranojnë të shkelin kufijtë edhe kur vihet në rrezik jeta e pasardhësve të tyre, duke mos u bërë pjesë e “eksperimentit” që jeta kryen me ta dhe u duhet të takojnë vdekjen që u rrëmben nga duart të dashurit e tyre më të afërt.
Pikërisht këto janë problemet që shtrohen në romanin “Stina e hijeve” të autorit Viron Graçi.Stina e hijeve është romani më i mirë i vlerësuar nga Ministria e Kulturës për vitin 2015.Ngjarjet e romanit në pjesën më të madhe të tij zhvillohen në Athinë, por ato vijnë edhe në realitetin shqiptar, në Fier. Ngjarja është nga ato që janë të dëgjuara në Shqipëri: një vajzë që ka vdekur në Greqi dhe i ati e sjell në Shqipëri si pasagjere të fjetur, me qëllim që mos të paguajë shpenzimet që duheshin, pasi ato ishin të larta dhe të papërballueshme për të.
Të shkruash për realitetin bashkëkohës është e vështirë, por shumë e rëndësishme. Lexuesi ndërgjegjësohet për ngjarjet qëndodhin përreth tij dhe fiton një këndvështrim të ri për jetën dhe kohën kur jeton. Ndoshta mund të ketë dëgjuar histori të ngjashme që qarkullojnë si mite, por asnjëherë nuk ua ka vënë veshin atyre.Atëherë zgjohet dhe rrëmon thellë e më thellë në realitetin ku gjendet.Bëhet i vetëdijshëm për rolin e individit në shoqëri dhe anasjelltas.Sheh se ç’ mund të bëhet për të ndryshuar diçka në këtë shoqëri se nesër mund të jetë ai viktima e radhës.


TREGIME TE VEÇANTA
Në pamje të parë duket sikur janë tregime të veçanta të rrëfyera nga protagonisti në vetën e parë. Jashtë parashikimit, janë katër rrëfyes, të katërt në vetë të parë. Një mënyrëjo e zakonshme rrëfimi. Të katërt tregojnëcopëza të realitetit ku ndodh ngjarja, me qëllim që mozaiku të bëhet i plotë.Çdo copëz është e rëndësishme, pa të nuk ka dritë në zhvillimin e ngarjeve.
Në rrjedhën e romanit që çon drejt fundit të kobshëm ka kaq shumë ndalesa. Ka aq shumë sa numri i pyetjeve që na lindin gjatë leximit të tij. Në çdo ndalesë, një dritare që lejon të shohim në errësirën e krijuar dhe të zgjerojmë horizontin.
Rrëfyesi i parëështë një bastexhi shqiptar që jeton në Athinë dhe qëëndërron gjithmonënë“arratisje me kalin e çmendur të kureshtjes.”Ai fillon të zhbirojë në botën e basteve, “sepse kam dashur të thyej emocionalisht paqen, limontinë, rregullat.” I bie shkurt: tregon gjendjen e tij në ekstazë për të vënë baste jo vetëm në zonën e basteve , por edhe jashtë saj. Me shokun e tij Gentin, vënë një bast për të bërë të tijën Elonën, “atë vajzë të bukur, të varfër, indiferente edhe ndaj fatit të saj.” Edhe pse bëhet pjesë e bastit ajo vjen krejt ndryshe në realitetin e saj: kanceri me “kali i zi i vdekjes, me trokun e kobshëm erdhi ta marrë përgjithmonë trupin e saj pa jetë për t’ia rikthyer nënës së saj në vendlindje.” Në fakt e dimë që në fillim fatin e saj të pashmangshëm, është si një kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, shkon drejt fundit me këmbët e veta.Bastexhiu e mat kohën me stinë. “Për afro katër stinë u bëra hija e vetvetes, hija ime ndiqte hijen e asaj… vajzës.” Si dhe “ Po të më kish parë dikush stinën e parë kur u arratisa nga vetvetja për Elonën, nga fundi i stinës së katërt nuk do të më kish njohur më”
Elona ishte një bast që la pasoja të mëdha, pasoja që s’mund të shmangen, ajo u bë një “viktimë e ndërlikuar”. Parashtrimi i problemit të fatit që lëkundet gjithnjë në botën letrare ngjan me fatin e heronjve të antikitetit në pohimin që bën rrëfimtari në fillim të romanit: “Nuk e zgjodha unë dramën time, ajo më zgjodhi mua…” , po kështu edhe për Elonën pohohet se ajo shkoi po ashtu drejt fatit të pashmangshëm “ Nuk lëvizi të kërkonte një fat të merituar, nuk lëvizi të hidhte në tapetin e humbësit fatin e saj të keq.”Po ç’janë këta heronj viktima të fatit? Si do të lëkundet trajektorja e ekzistencës së tyre në varësi të fatit?“Me modestinë dhe thjeshtësinë e një bukurosheje të fjetur, ajo pranoi pa gjeste e thirrje largimin nga bota e lëvizjeve”.
Duke e bërë pjesë të një basti, ai ndien diferencën mes tyre.“Nuk dëshiroj të zotëroj hijen e saj të lehtë e të freskët, gati të tejdukshme që po më ndjek duke u bashkuar tinëzisht me hijen time të rëndë, të errët.” Në këtë kundërvënie të hijeve autori përplas dy botë, që shtrihen në kufijtë e njëra tjetrës. Ndërkohë që ai vë baste çdo ditë, Elona guxoi të bënte bastin më të madh të mundshëm. Ajo luajti me jetën e saj duke u dorëzuar, duke mos u kuruar, sepse rrugës humbi shpresën. Humbjet e saj filluan qëkur ajo nuk e fitoi dot të drejtën e studimit dhe në vend që të shkonte në universitet, shkoi të punonte në një rrobaqepësi me një rrogë shumë të ulët. Ajo e kuptoi se sëmundja e saj kërkonte shumë para për t’u kuruar dhe prindërit e saj nuk mund ta gjenin kurrë atë shumë. Nuk tregohet me hollësi si veniten ëndrrat e saj, pasi autori nuk i afrohet shumë asaj.Ai e pranon fatin tragjik dhe e lë në duart e tij.
Përveç rrëfimit të ngjarjeve që lidhen me heroinën kryesore, autori tregon marrëdhënien qëështë krijuar mes shqiptarëve emigrantë dhe vendasve grekë. Kjo marrëdhënie është paraqitur edhe në vepra të tjera që trajtojnë të njëjtën tematikë, por pohimet e evidentuara këtu i shtohen listës së gjatë të dëshmive të qëndrimit jomiqësor të vendasve ndaj shqiptarëve: “Vendasit nuk na duan, nuk na duan,” tha Genti duke kapërcyer nga tema, “dal të ndeshem me grushta kundër kujtdo që pretendon se grekët kanë ndjenja normale ndaj nesh. Ata nuk sillen normalisht me ne, nuk tregojnë edukatën fillestare qytetare.
Rrëfyesi i dytëështë nëna e Elonës. Nëse rrëfyesi i parëna flet për jetën e shqiptarëve në Greqi, rrëfyesi i dytë na çon në Shqipëri, në familjen e Elonës.Realiteti shqiptar i hidhur që i përball njerëzit me varfërinë, me shitjen e tezës së pranimit në universitetet publike, me rrogën e ulët e pa siguracione në fasoneritë shqiptare.Mbi të gjitha paraqet dhimbjen e një nëne për vajzën e sëmurë në moshë të re, së cilës nuk mund t’i qëndrojë pranë se mjekimi i saj bëhet jashtë vendit e ajo nuk e di gjuhën dhe i duhet të rrijë me vajzën tjetër duke lënë burrin që ta shoqërojë vajzën.Ky rrëfim është i mbushur me pjesë të shkurtra nga baladat shqiptare që të mbushin me ndjenjën e ankthit dhe pritjes. Në këtë rrëfim pritja nuk merr fund duke përshkruar minutë pas minute ato dy ditë të gjata. Në përsëritjen e pohimit: Nuk kam qenë kurrë si tani, tregohen momente nga jeta e Elonës dhe përjetime nga jeta e nënës së saj.
Nëna e Elonës, bëhet gati të pres vajzën: bluan kafenë për miqtë që do t’i vijnë, lyen flokët që të mbuloj thinjat që vajza të mos e vërë re plakjen e parakohshme të saj, përgatit shtëpinë, komunikon në telefon, shpreson se gjithçka e keqe mori fund. Si nënë ajo ka parandjenja që shfaqen gjatë gjithë rrëfimit, por autori e mban të gjallë shpresën e kthimit deri në fund “Nuk jam idiote të besoj te më e keqja, te më e zeza, te më mizorja e pamjeve që më ofrohen si hije të panjohura, ditën me diell e netëve me hënë.
Ajo mendon shumë skena se si do ta pres vajzën e madhe duke treguar veprimet që do të kryejë në kohën e ardhme, por rrëfimi i saj mbyllet me një makth balade: Elona. Thuaja mamit të vërtetën! Si erdhe deri këtu?! Me kë erdhe nga aq larg, bija ime?!”
Ashtu si rrëfyesi i parë, edhe nëna e Elonës mendon për hijet që i shfaqen. Tëdy i shohin njerëzit si hije dhe përpiqen që t’u vënë emra si ata.Hija e Luftëtarit të Panjohur që kishte qëndruar në kopsht gati prej një viti qëkur ishte larguar Elona, nuk shihet më tëvendi i zakonshëm, një natë para se ajo të kthehet në shtëpi.
Rrëfyesi i tretëështë një taksist.Ai merr babanë e Elonës nga Greqia për ta sjellë në Shqipëri.Ai tregon fatin e shumë shqiptarëve që lanë punën që kishin në Shqipëri edhe kur dukej e lakmuar nga të tjerët.Ashtu si babai i Elonës ai ishte një mësues, por e kishte braktisur vendin e punës për njëjetë më të mirë për familjen e fëmijët. Autori ironizon me jetesën e këtyre dy personazheve që kanë vetëm një pikë të përbashkët: Ata kanë qenë mësues në Shqipëri. Vënia përballë e jetës së tyre në Greqi tregon fatin e shumë emigrantëve shqiptarë që detyrohen të bëjnë një jetë të pandershme, sepse kanë rënë pre e sistemit Administratat tona janë punishte të palodhura për të prodhuar e konsumuar gënjeshtra. Gjithë Bota gënjen. Greqia-gënjeshtër e madhe, me brirë. Ballkani-gënjeshtër. Europa-gënjeshtër.
E gjithë kjo është një revoltë që kërkon të shpërthejë. Duke vënë në të njëjtin mjedis (në taksi) këta dy personazhe, tregon përpjekjet që mund të bëjë një prind për fëmijën e tij. Taksisti kryen herë pas here spiunllëqe në policinë greke për të përballuar jetën dhe për shkollimin e djalit, ndërkohë që Arizi pendohet që nuk pranoi të bënte “gjithçka” për të shpëtuar jetën e së bijës. Megjithatë autori na bën të ditur se edhe Ganiu (taksisti) e humbi në njëfarë mënyre djalin e tij kur ai i tha “Harroje fytyrën time, baba, harroje.”
Nëse në tri rrëfimet e para kemi shfaqjen e teatrit të jetës, në të katërtin paraqitet një miniskenë taksie me njëaktor që dialogon me Elonën (e vdekur).Ai flet me të, i drejtohet me emër Elona dhe vë në skenë dramën e jetës së tij.Por kjo është jeta ime, jeta ime e menderosur: një rrobë e stërpërdorur, me arna, e stërlarë, e shpëlarë nga ngjyrat dhe freskia origjinale
Udhëtimi i fundit është si një udhëtim balade.Plot me rreziqe e lojëra aktorësh të sprovuar, plot me errësirë që bashkëshoqëron natën, bukuroshja e fjetur merr rivlerësimin e saj që nuk e arriti dot derisa ishte gjallë. Në këtë udhëtim monologohet jeta e një aktori që i duhej të ishte i tillë edhe në jetë duke përfunduar si shofer taksie.
Në fakt të gjithë personazhet që shfaqen duken të dështuar në përpjekjet e tyre për t’ia dalë në jetë.Në një mënyrë apo një tjetër, ata ndihen të parealizuar, pavarësisht se ç’ përpjekje titanike bëjnë. Fatet tragjike të tyre enden sanë Shqipëri e në Greqi. Përpiqen për veten e fëmijët, po nuk i arrijnë qëllimet e tyre.
Pendesa që ndien babai e Elonës në fund është një thirrje për ndihmë e çdo qytetari shqiptar që ndodhet në kufijtë e ekzistencës dhe nuk e gjen mbështetjen e shtetit të vet.Ai vërtet u tregua i ndershëm në kontrast me personazhet e tjerë, por çmimi i ndershmërisë ishte shumë i lartë.Mund të isha treguar kokulur, pak si lajkatar, pak si zvarranik.” “Në përgjithësi ata që na njohin mendojnë se vajza pagoi me jetën e saj krenarinë time, inatin tim, paaftësinë time për të merituar lëmoshë publike, pagesa, shpërblime të majme, të fshehta. Hallet si të miat në Shqipëri nuk i zgjidh mënyra ime e jetesës. Humba vajzën! Për fajin tim!
PRITJA
Pritja merr forma të ndryshme pas çdo rrëfimi, por më e gjatëështë pritja e lexuesit për fatin e Elonës.Kjo pritje merr ngjyra pas shfaqjes sëçdo rrëfyesi.Lexuesi pret me padurim zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Gjithçka është ndërtuar si një pazëll të cilin kemi filluar ta mbushim nga çdo cep dhe ecim drejt qendrës duke zbuluar gjithnjë e më shumë për personazhin kryesor.Fati i saj, i copëtuar në rrëfimet e personazheve të tjerë, merr formë, përpëlitet, kërkon ndihmë, gjunjëzohet e vdes.
Autori ushqen me durim personazhet që ata të përmbushin aspiratën e tij. Ata luftojnë deri në fund, deri në cakun që ndan dy botët: jetën e vdekjen. Edhe kur shkojnë drejt vdekjes, e lënë në ajër të gjallë dëshirën për jetë.Ëndrra e tyre është njëëndërr që i përket njerëzimit. Në mos sot, nesër do të përmbushet.
VDEKJA
Vdekja perceptohet si e zakonshme, megjithëse kundër saj bëhen beteja për ta larguar sa më shumë ditën kur do t’i dorëzohen pa pasur frikë. Megjithëse taksia në fund, në fakt është një arkivol i hapur, jo më kot autori e zgjedh si një sfidë ndaj vdekjes. Ajo mund të duket sikur fle në taksi, është një bukuroshe e fjetur që udhëton në kohë, që përballet me errësirën e natës, me policinë që mund të jetë dyshuese dhe me dëshirën e shoferit për ta puthur.Vdekja dhe jeta luajnë së bashku.Ato kacafyten në kufijtë e njëra- tjetrës për një minutë më shumë.Nuk ka asgjë që mund t’i ndajë me thikë. Ashtu si në tregimet e Markezit, ku jeta e vdekja gëlojnë pa të keq pranë njëra-tjetrës, edhe Graçi merr guximin të “jetësoj” qoftë edhe për disa orë vdekjen.
ELONA
Personazhi kryesor Elona, paraqitet nga këndvështrime të ndryshme.Rrëfyesit flasin për të, por ajo nuk është një personazh veprues nëroman.Ajo nuk e ka frikë vdekjen, është dorëzuar e po pret fundin e saj, ama ajo nuk do të rri në shtrat të ngrys ditët e fundit të saj duke zbatuar këshillat e mjekëve, ajo do të dalë të “jetojë” atë pak kohë që i ka mbetur.
Autori kostaton me frikë se e para vdes ëndrra: Bashkë me shuarjen e ëndrrës së saj se do të fitonte konkursin dhe do të regjistrohej në fakultet për të studiuar arkitekturë, i ishin zvetënuar shijet, dëshirat për të vizituar ndërtesa a vende ku spikaste grandomania, origjinaliteti, karakteri tipik dhe mosha shumëshekullore
Elona zvetnohet pak nga pak, duke mos i pirë ilaçet që i jepte doktori.Ajo e kuptoi se çdo përpjekje ishte e kotë. Me gjithë përpjekjet që bëri babai duke takuar “ njerëz të rëndësishëm”, të afërm e njerëz të zakonshëm, nuk mundi të gjejë aq shumë para sa nevojiteshin dhe ajo e dinte shumë mirë se nëse nuk gjente para, nuk mund të jetonte. Elona doli nga spitali me dëshirën e saj. Nuk mund të shtyhej më. Morën ilaçe dhe telefona kontakti për këshilla në distancë me mjekë specialistë, do t’i vazhdonte në shtëpi kurat, derisa të binte nga qielli dhuruesi. Ishin gënjeshtra të trasha kompromisi vrasës të imponuara nga kokëfortësia dhe largpamësia engjëllore e Elonës.
Duket se ajo duhet të vdes për të shpëtuar prindërit nga telashet që u solli, por edhe pse nuk u ndie e plotësuar në këtë jetë.Sjelljet dhe veprimet e saj i njohim nga personazhet e tjerë. Ajo nuk bëhet rrëfyese në roman: duket se ka vetëm një mision, të vdesë. Gjithçka rrokulliset shpejt e ajo bie në krahët e vdekjes si padashur, por e bindur se aty do të gjej paqen e qetësinë.
GJUHA E PËRDORUR
Sa e bukurështë gjuha e përdorur. Sa rrjedhshëm ndërtohet hap pas hapi romani. Si dorëzohen para tij të gjitha kalatë e dyshimit, fjalitë ndërtojnë paragrafët dhe paragrafët i japin jetë kufijve të pashkelur të së sotmes.Autori rreh të vërtitet rreth një fjale a fraze dhe hulumton rreth saj deri në kufijtë e arritjes duke përmbushur kërkesat e tij të larta për shpalosjen e realitetit që shkon në pragun e legjendës. Ai rikthen në përdorim metaforën, për të plotësuar kuptimin e saj, duke e rimarrë në situata të tjera, duke nxjerrë në pah veti të qenësishme, duke shkulur çdo dyshim si një bar të keq që të krijojë një vepër të bukur nga ana artistike e estetike.
“ Stina e hijeve” është një roman që rend në botën shqiptare të krijuar jashtë kufijve. Personazhet ndihen të tjetërsuar e janë kthyer në hije, duke mos e njohur veten me veprimet që bëjnë. Kjo stinëështë krijuar si një stinë e pestë, si një periudhë kalimtare në një dimension tjetër, jashtë kohës e hapësirës sonë.Ajo ka fituar tipare të reja, ka personazhe të humbur, që nuk e gjejnë dot vetveten, që u rrëshqet bota poshtë këmbëve, që janë tronditur e nuk vijnë dot në vete. Autori sillet si një psikolog me personazhet e tij: ai i vendos ata që të rrëfehen duke u dhënë mundësinë të reflektojnë për sjelljet e tyre.
Hijet që shfaqen e zhduken në momente të ndryshme të jetës së një personazhi, janë tjetërsimet që pësojnë ata, si pasojë e përshtatjes në realitetin ku ndodhen. Ka çaste kur ata mbeten fare pa hije, kur nuk e njohin as veten, kur zhyten thellë në llumin e kohës e megjithë përpjekjet për t’u kapur pas një dege shpëtimi, nuk dalin dot mbi të. Atëherë ata kanë nisur një rrugë pa kthim, kur kanë rënë pre e veseve e situatave ekstreme.
Romani “Stina e hijeve” duke u rreshtuar në vargun e romaneve më të mirë shqiptarë, përmbush kërkesa të larta të prozës së gjatë. Ai lexohet me endje deri në fund, duke të dhënë një shije të mirë, që përpiqesh ta ruash për një kohë të gjatë.
(Delvinë, janar 2024.)

Latest articles

Related articles