Amnistia Gazit dhe Ulsiut! Përfituan 80 të dënuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion


Amnistia që nisi të ekzekutohet sot ka prodhuar pasojat e para negative. Proçesi që është administruar nga Ministria e Drejtësisë duke shmangur prokurorinë ka lejuar të lenë burgun persona që kanë ende llogari të pambyllura me drejtëinë. 80 përsona të hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë përfituar prej saj, duke rrëzuar propagandën e qeverisë se kjo kategori është e përjashtuar nga amnistia.

Autor: Redaksia INA Media

Fran Frrokaj, ish Kryetar i Bashkisë së Lezhës, i dënuar për tjetërsimin e tokave tek “Rana e Hedhun” është mes gati 730 të dënuarve që lanë qelinë mëngjesin e kësaj të mërkure, sepse përfituan nga amnistia. Kryebashkiaku ishte dënuar për shpërdorim detyre me 3 vjet burgim nga Gjykata e Apelit e Shkodrës. Nga formula e komplikuar e ligjit për Amnistinë, atij iu zbrit edhe 1 vit e dy muaj burgim që i kishte mbetur, duke i mundësuar atij lirinë.

Por, nga investigimi i INA Media rezulton se ndaj Fran Frrokajt, veç këtij dënimi, është aktiv edhe verdikti tjetër i dhënë nga gjykata e posaccme në Tiranë, për skandalin e tokave të hetuar nga SPAK. Vendimi i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) mban datën 1 mars 2024 dhe dënimi ka qenë 1 vit e 4 muaj burgim, duke llogaritur edhe aplikimin e gjykimit të shkurtuar.

Për vendimin e dytë, sipas ligjit të amnistisë (numër 33/ 2024) që hyri në fuqi këtë të mërkurë, Frrokaj nuk duhet të përfitonte. Neni 75/a mbi kompetencat e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rendit kategoritë e funksionarëve që gjykohen nga gjykata e posacme dhe aty përmenden Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, të ILD, Kryetarët e Bashkive, Deputetët etj., të cilët në këtë amnisti nuk duhet të përfitojnë.

Së bashku me Frrokaj, u liruan si të denuar nga e njëjta dosje edhe ish kryetari i Qarkut Gjok Ndoka dhe Lekë Rroku, por këta të fundjt nuk jane subjekte që përjashtohen nga amnistia. Ish kryebashkiaku duket se përfitoi në shkelje të ligjit dhe për shkak të mosbashkimit të dënimeve.

Juristi Elis Bilali parashikon se bashkimi i dënimeve është vetëm një nga nga ngërçet e shumta që ka zbatimi i amnistisë, përderisa neni 5 thekson se të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret u zbriten dy vjet nga dënimi i mbetur për personat e dënuar gra dhe të mitur dhe një vit e gjysëm nga dënimi i mbetur për personat e dënuar burra.

“Problematika ka. Një nga rastet më të zakonshme është rasti i bashkimit të dënimeve. Një dënimi të dhënë për një vepër të cilën ligji për amnistinë e parashikon ulje dënimi dhe një vepre për të ciliën ligjin nuk parashikon ulje. A do parashikohet ulje?” – ngre dilemën avokati, i cili shton për INA Media se në vlerësimin e tij, i paqartë ngelet edhe rasti i vendimeve në të cilat gjykatat kanë aplikuar nenin 59, pezullimin e ekzekutimit të dënimit.

“I dënuari nuk është paraqitur të përmbushë detyrimet e shërbimit të provës dhe rrjedhimisht është kërkuar në gjykatë revokimi i vendimit të dhënë. A do të aplikohet për këto raste amnistia apo do të konsiderohen persona që i janë shmangur Ligjit” – vijon Bilali.

Sipas Ligjit për Amistinë përjashtohen nga vuajtja e dënimit jo vetëm burrat dhe gratë që janë dënuar përkatësisht për krime me dënime deri në katër dhe pesë vjet burgim respektivisht (sipas kritereve të renditura në ligj), por edhe të burgosurit burra që iu kanë mbetur katër vite burg dhe pesë vjet për gratë. Mbi këtë llogari, sot u liruan 730 të burgosur. Fasha e dytë e aplikimit të amnistisë është ajo e zbritjes së dënimit, ku përfshihen persona të cilët nuk plotësojnë tërësisht kriteret e përcaktuara në ligj për lirim të plotë, nga e cila përfitojnë zbritje në dënim me dy vjet për gratë dhe një vit e gjysëm për burrat. Në këtë pikë llogaritet të fitojnë ulje të dënimit 1600 persona. Parashikimi i tretë i vazhdimësisë së amnistisë përfshin ata të dënuar nga gjykatat me dënim alternativ si dhe me mbylljen e procedimeve penale në prokurori. Hetimet e pashqyrtuara apo nën proces shqyrtimi që do të “falen”, pavarësisht nga data e rregjistrimit të tyre, kanë si prag veprat e kryera deri në 31 mars 2024, si dhe ata qe janë kallzuar, hetuar apo janë nën gjykim për manifestimet e kryera deri më të njëjtën datë.

Asnjë listë

Drejtoria e Burgjeve nuk iu përgjigj INA Media-s për listën e të dënuarëve që u liruan më datë 24.04.2024, sipas ligjit për amnistinë, emrat e personave që iu kishte mbetur pa kryer nga dënimi deri në 4 vjet për burrat dhe 5 për grate, ose që janë dënuar me dënim deri në 4 vjet, apo me cdo lloj dënimi më të butë, përfshirë gjobën dhe dënimet alternative.

Nuk ka të dhëna as për emrat e të burgosurve që do iu ulet dënimi – për burrat 1 vit e gjysëm dhe për gratë dy vjet nga dënimi i mbetur. Këta të fundit llogaritet te jenë rreth 1300 persona.

Edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm nuk kanë evidentuar cilët janë shtetasit që përjashtohen nga hetimet për veprat penale të kryera deri në datën 31 mars 2024, për krime që Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon dënime deri në dy vjet burg.

Avokati Alban Qafa këmbëngul se qëllimisht është lënë jashtë angazhimit Prokuroria, duke ngarkuar ngritjen e komisioneve pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Veprave Penale që kanë kryer vlerësimin e dosjeve penale të të burgosurve në rang vendi.

“Listat janë përpiluar nga Ministria e Drejtësisë, ndonëse janë ngritur komisionet pranë Drejtorive të Burgjeve dhe kjo me synim që të lihet hapësirë për abuzime dhe pëfitime. Shumë ndryshe nga amnistia e 100 vjetorit të pavarësisë, për listën e përfituesve të së cilës u angazhuan prokurorët e ekzekutimeve penale, tani kjo listë përpilohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me udhëzime, ndërkohë që edhe ligji për amnistinë nuk shprehet se duhet ta bëjnë Prokurorët” – thotë për INA Media avokati.

Në prokuroritë kryesore të kontaktuara zyrtarisht nga redaksia e INA Media deri të martën (një ditë para nisjes së amnistisë), u pranua se nuk ishte dorëzuar asnjë listë me emrat e të burgsurve që u liruan të mërkurën.

SPAK konfirmon zyrtarisht se nuk ka asnjë proçedim që mbyllet për shkak të amnistisë. Ndërkohë që në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm pritet të pushohen hetimet për çështje si shkatërrimi i pronës me zjarr, të arrestuarit për lloto dhe baste online, apo hetimet për kundravajtje apo aksidentet automobilistike. Të pyetur nga INA Media, disa prokurorë komentojnë se do veprojnë rast pas rasti, pasi të rilexojnë fashikujt apo të rishikojnë dosjet që gjenden nën proces shqyrtimi nga gjykatat.

Një ndër ata shtetas që do të përjashtohet nga poçedimi penal është edhe djali i ish deputetit Tom Doshi, i cili sipas policisë është autor i një aksidenti automobilistik të ndodhur në datën 17 mars 2024, në aksin Milot Lezhë, ku u rrezikua jeta e dy personave.

James Doshi, pas favorizimit nga Policia Rrugore e Lezhës, menjëherë pas aksidentit, “i ndrin sërish fati” nga ligji i amnistisë e për rrjedhojë nuk do ketë asnjë shqetësim nga procedurat hetimore. Ligji i amnistisë penale përjashton nga ndjekja penale personat që kanë kryer vepra penale deri në datën 31 mars, me marzh dënimi maksimumi dy vjet burg apo gjobë. Në këtë mënyrë Doshi nuk do të rrezikojë të shkojë fare në prokurori apo më pas gjykatë. Të njëjtin fat të mbarë patën rreth një vit më parë dy djemtë e ish deputetit Doshi. Pavarësisht se ata u përfshinë në një konflikt fizik, një prokuror i kryeqytetit pushoi çështjen ndaj tyre.

Nga amnistia fituan dhe të dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, shkrirë pas reformës në drejtësi dhe zëvendësuar nga GJKKO. Bie në sy lirimi i Emiljano Tarjas, hetuar nga ish Prokuroria për Krimet e Rënda dhe dënuar me 15 vite burgjm për trafikim të të miturve. Dosja penale kundër tij tregon se si trafikanti shfrytëzoi një të mitur në Zvicër, përmes dhunës dhe kërcënimeve.

Një tjetër i liruar është Klodian Selimi, i denuar si anëtar i grupit të Lazaratit përgjatë sulmit me armë ndaj Policisë së Shtetit.

Nga bonusi i amnistisë ekziston mundësia të fitojë edhe djali i Nurihan Seitit, anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Rei Meta u dënua me tre vjet burg për vrasje nga pakujdesia të Armando Meshaut. Vepra për të cilën Meta u dënua nuk është përfshirë tek krimet kundër jetës, që sipas nenit 4, të ligjit të amnistisë janë kritere ndaluese për të përftuar. Aq më teper që përkufizimi tjetër (neni 2) konsideron të dënuar personin nga gjykata e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të oprganizuar, vendime ndaj të cilave nuk është bërë ankim në gjykatat përkatëse të apelit brenda afatit ligjor, duke marrë formë të prerë brenda datës 31 mars 2024.

Avokati Bilali parashikon se ajo që do të ndodhë pas të mërkurës kur lirohen të burgosurit e listuar nga komisionet e çdo burgu, dhjetra të tjerë do ti drejtohen gjykatave për përfitim amnistie, pikërisht duke luajtur kartën e mos apelimit, apo të zbritjeve të dënimit të pa monitoruar.

“Do ketë shumë të pandehur që do ti drejtohen gjykatës, për vlerësimin e rasteve për çështjet që janë në gjykim në apel duke vepruar me heqje dorë nga ankimi për shkakun që të konsiderohet i dënuar për efekt të ligjit” – thekson ai.

Me SPAK-un përballë
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një prej daljeve publike garantoi se nga amnistia përfitojnë vetëm tre ish efektivë policie të dosjes së Morinës. Realiteti është krejt ndryshe. Plot 80 persona të shpallur fajtorë prej gjykatës së posacme dhe të hetuar nga SPAK përfitojnë nga aministia. Kjo e dhënë u vendos në dispozicion zyrtarisht prej SPAK që jep shpjegimet përkatëse për secilin vit duke nisur nga 2021.

SPAK deklaron për INA Media se ka kontribuar me komente dhe mendime sa herë i është kërkuar mendim për ligje, të cilët lidhen me veprimtarinë e institucionit dhe vlerëson se politikat penale duhet të kryhen në përmbushje të objektivave të ndryshme kushtetuese të vitit 2016, dhe frymën e reformës në drejtësi.

“Nga analiza e Prokurorisë së Posaҫme, për ndikimin e ligjit të sapo miratuar nr. 33/2024, “Për Dhënie Amnistine”, ka një numër të dënuarish për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, i Kodit Penal, që përjashtohen nga vuajtja e dënimit. Për disa persona pavarësisht përfitimit të këtij ligji, e kanë vuajtur pjesën e dënimit të tyre. Nga ana tjetër nuk ka subjekte apo procedime që përfitojnë amnisti nga ndjekja penale. Mbështetur në të dhënat e Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Prokurorinë e Posaçme, ju informojmë se nga ky ligj përfitojnë një numër personash të dënuar, si më poshtë vijon: Për vitin 2021 janë 16 persona; Për vitin 2022 janë 24 persona; Për vitin 2023 janë 18 persona; Për vitin 2024 janë 22 persona” – sqaron SPAK për INA Media.

Tabela e mësipërme “rrëzon” deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së drejtësisë, që për mediat tha se asnjë subjekt i SPAK dhe me dënim të formës së prerë nuk përfiton nga amnistia. Nga studimi i dispozitivëve të bërë publikë nga Gjykata e Posacme e Apelit, INA Media konstatoi emra të tjerë përftues të amnistisë që janë shpallur fajtorë nga gjykata antikorrupsion, si Ish-Drejtori i Burgjeve Judmir Shurdhi, Ish-Anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Ardian Hajdari, dhe Ish-Oficeri i Policisë së Elbasanit Leonard Palushi, dënuar për korrupsion, emri i të cilit u përmend nga bashkëpuntori i drejtësisë Nuredin Dumani.

Emra të tjerë të gjetur fajtorë janë ai i Ibrahim El Salih, dënuar me 2.8 vite burg për propogandë për qëllime terroriste për ISIS. Ndërkohë që zyrtarë të burgut të Peqinit nuk konfirmuan nëse në këtë listë gjendeshin edhe ekstremistë të tjerë të dënuar si pjesë e dosjes së imameve që rekrutuar shtetas shqiptarë duke financuar dërgimin e tyre për të luftuar në Siri.

Një tjetër emër i konfirmuar për INA Media, i cili përfiton nga amnistia është Abedin Rexha, dënuar për vrasjen e Ish-Kryetarit të Partisë Demokratike në Has, Behar Kastrati, një mjek i njohur në zone.

Po Shërbimi i Provës?
Më shumë se 2200 të dënuar në shërbim prove, përfitojnë nga kjo amnisti. Shifra konfirmohet nga zyra juridike pranë Drejtorisë së Shërbimit të Provës. Edhe në këtë institucion lista mbahet sekrete. Sakaq, INA Media mëson se edhe këtu ka ish nëpunës, ish anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Tenderave si ai i Uniformave të Policisë së Shtetit, dhe i dosjes së Bashkisë Lushnjë që morën dënim alternativ. Ish zyrtarët në shërbim prove janë hetuar nga SPAK dhe vendimi i fajësisë është shoqëruar me detyrimin për tu paraqitur në frekuenca kohore të ndryshme përpara një specialisti të këtij shërbimi.

Nën shërbim prove janë disa ish gjytarë si ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i shpallur fajtor për fshehje pasurie. Por ish funksionari i drejtësisë nuk përfiton nga amnistia. Nga ana tjetër, në listën e funksionarëve përfitues nga amnistia është ish gjyqtarja e apelit Mimoza Margjeka, e dënuar për lirimin e një trafikanti klandestinësh kundrejt gati 6 mijë eurove si rryshfet.

Ish gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka, e cila po vuan dënimin alternativ të shërbimit të proves, gjendet po ashtu në listën e përftuesve të amnistisë. Ish funksionarja e drejtësisë u hetua nga SPAK dhe u gjet fajtore për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi në përgjime shfaqet duke komunikuar me një avokat për uljen e dënimit të klientit të tij kundrejt shpërblimeve financiare. Nga e mërkura e datës 24 prillit 2024, së bashku me të dënuarit e tjerë të kësaj dosje, ata shijojë lirinë.

Gjatë verës parashikohet të ketë një valë të dytë lirimesh nga qelitë, pasi shumë të burgosur të tjerë do të përdorin ligjin për të përfituar me rrugë gjyqësore zbritje nga dënimi. Aq më tepër që ligji lë hapsirë evazive për kategorinë e personave që konsiderohen të dënuar, për të cilët Gjykata e Lartë, deri në 31 mars 2024, ka vendosur prishjen e vendimeve të mëparshme të Gjykatave të Apelit dhe lënien në fuqi të Shkallës së Parë, apo ndryshimet e vendimeve të të dyja shkallëve.

Që interpretimi i ligjit për aministinë do të “prodhojë” një fluks padish për të fituar amnisti në gjykata, e “premton” edhe avokati Dritan Trifka, i cili përmend për INA Media se do ti drejtohet gjykatës për paqartësitë.

“Ky ligj ka edhe kritere ndaluese edhe kritere lejuese, dhe për klientët tanë do kërkojmë përfitim amnistie, jo duke pritur listën, por në gjykatë. Kjo do jetë një goditje për amnistinë dhe avokati këtë punë ka, të lirojë klientin!” – nënvizon avokati./ Ina Media

Latest articles

Related articles