32 vjet më parë, më 22 mars të vitit 1992, Partia Demokratike arriti fitoren e saj të parë të madhe në vend.
E krijuar një vit e 3 muaj përpara asaj fitorje, PD-ja erdhi në fitoren e 22 marsit të vitit 1992, si frymë popullore, me 62 % të votës së përgjithshme, si ndëshkim për 45 vite komunizëm çnjerëzor.
Pas 22 marsit 1992, Partia Demokratike nuk i mori kurrë votat e asaj kohe, pasi njerëzit e panë se Sali Berisha tradhtoi kauzën e ish të përndjekurve, pronarëve dhe aspiratat studentore.
Burgosja e liderit të opozitës Fatos Nano, me pretencën e prokurorit Genc Gjokutajt, nuk do të paralajmëronte gjëra të mira.
Drejtimi autoritar, me baza tribale në parti e SHIK prodhoi efektet e para në politikë: humbjen e Referendumit Kushtetues, 1994.
Nervozizmi prodhoi vjedhjen më të madhe të votave të parë ndonjëherë në një palë zgjedhje parlamentare.
Mbushja e kutive në 1996 dhe humbja e parave të qytetarëve në firmat piramidale prodhuan trazirat e 1997, me kolapsin e shtetit dhe me 3 mijë viktima.
1997 ishte plagosja e parë e rëndë e Partisë Demokratike. “Gërdeci” i 2008 do ta çonte në koma PD.
Çarja e PS, krijimi i LSI nga Ilir Meta, guerrielja e brendshme e Mjaft të Rama-Veliaj, çuan në fitoren minimale të 2005 kundër Fatos Nanos.
Aleanca me Fatos Nanon për të emëruar presidentit Topi me deputetët e tij, duke e hequr me stil nga nënkryetar i PD, ishte një skemë amorale që rezultoi dëmtuese për interesat e PD. Vetëm me 4 votat e LSI u bë qeverisja e 2009. Tradhtia e LSI në 2013 solli në pushtet Edi Ramën dhe 1 milion vota kundër Sali Berishës.
Aktualisht jemi në mandatin e 3të të Edi Ramës, peshqesh i Ilir Metës dhe ndryshimeve kushtetuese të 2008.
Me non-grata familjare për minim të demokracisë dhe non grata britanike për lidhje me krimin e organizuar, Sali Berisha, në moshën 78 vjeçare, nisi përçarjen e PD me 9 shtator 2021, me Foltoren që kulminoi me dhunimin e selisë së PD në 8 janar 2022 dhe më pas zaptimin e saj, si tokë e xanë.
Rënia graduale e votave të PD është në proporcion të drejtë me humbjen e kthjelltësisë politike të Sali Berishës, injorancën e klanit të tij tribal, me përfshirje aktive në minimin e demokracisë dhe drejtësisë.