‘Nuk negociojmë me non gratat e zëdhënësit e tyre’, si ndryshoi qëndrim Edi Rama në 3 muaj

Më 24 nëntor, në një konferencë me gazetarët dhe kur Rithemelimi kishte pak javë që kishte nisur aksionin opozitar duke penguar seancat normale në Kuvend, Edi Rama shfaqej i prerë.

“Nuk negociojmë me non-gratë dhe me asnjë zëdhënës të non-gratës. Këtë e kemi thënë që ditën e parë dhe nuk është e re.

Non-grata dhe zëdhënësit e tij që kanë marrë përsipër që për një hall krejtësisht personal me drejtësinë e re të kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit që ndezja deri dhe e flakës në sallën e parlamentit merr dhenë në të gjithë mediat e huaja. Kjo sjell gjë tjetër përveç shkarravitjes së imazhit të Shqipërisë. Janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre, parlamenti ka rregullat dhe kufizimet e veta”, deklaronte ai.

Qëndrimi kundër negociatave me Sali Berishën dhe mbështetësit e tij në Kuvend u pasua me disa nisma të socialistëve, që ndërhynë te komisionet hetimore dhe rregullorja e Kuvendit.

Kjo e fundit u ashpërsua duke parashikuar përjashtim deri në 60 ditë për ata që pengojnë seancat.

As ndryshimet në ligj dhe as ato në rregullore nuk zbutën qëndrimin e opozitës, të paktën deri më tani, por si socialistët ashtu edhe Rithemelimi edhe pse e mohojnë publikisht kanë lëshuar terren për negociata, edhe nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve.

Edi Rama u tërhoq nga kushti për të mos negociuar me zëdhënësit e Non Gratës, ku më i zëshmi prej tyre, të paktën me termat e përdorur nga Rama në nëntor, është Gazment Bardhi.

Ai sot po negocion me kreun e grupit parlamentar të PD-së, ndërsa PD ka hequr dorë nga kërkesa për pesë komisione hetimore dhe shpreson që të marrë dy prej tyre.

Latest articles

Related articles