Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi nuk do të marrin pjesë në protestën e organizuar nga opozita pasditen e sotme (20 shkurt) përpara Kryeministrisë.
Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndodhen jashtë vendit për arsye personale.
Ndërkohë para Kryeministrisë vijon puna për përfundimit e skenës që do të ngrihet për protestën, ndërsa godina e qeverisë është rrethuar me gardh metalik.
Gjithashtu janë vendosur kamera me revolucion të lartë për të filmuar ndonjë incident të mundshëm gjatë protestës.
Ndërkohë protesta do të hapet nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të mbajë fjalimin nga distanca, ndërsa gjatë tubimit do të mbajnë fjalën edhe figura të tjera të opozitës, si Gazment Bardhi apo Flamur Noka.
Ndërkohë tubimit kundër kryeministrit Rama nuk do t’i bashkohen as Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin atë.
Më shumë se 1 mijë forca policie do të angazhohen pasditen e sotme për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita. Pjesë e planit të masave do të jenë forcat e rendit, të sigurisë kombëtare dhe të repartit special RENEA.
Në gatishmëri dhe të planëzuar do të jenë edhe efektivë të Gardës së Republikës. Ata do të pozicionohen në brendësi të institucioneve të rëndësisë së veçantë, ndërsa do monitorojnë dhe nga tarracat e godinave, aktivitetin e protestës. Në dispozicion të policisë do të jenë edhe autobotet me ujë, në rast se protesta do të përshkallëzohet. Aktiviteti i protestës do të monitorohet edhe me kamerat e sigurisë së instaluara përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kamerat me rezolucion të lartë, janë montuar gjatë protestave të shkuara të opozitës. Pjesë e planit të masave është bërë edhe Policia Rrugore, që do të bllokojë disa segmente rrugore. Rrugët që do të bllokohen para dhe gjatë protestës janë në bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali” si dhe rrugë tjera lidhëse me Kryeministrinë apo institucione të tjera, ku pritet të protestohet