Kush është Eljon Hato që i shpëton prangave?

spot_img

Disa dhjetëra forca policore të Shkodrës të mbështetura nga ato të ndërhyrjes së shpejtë dhe RENEA, kanë ushtruar kontroll të befasishëm në banesën e vëllait të të shumëkërkuarit, Eljo Hato. Ky i fundit njihet si mik i të zhdukurit Ervis Martinaj dhe i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza”.

Eljo Hato 34 vjeçar (skeda)do të përfshihej për herë të parë në skedarët e policisë që në vitin 2014 kur pas një konflikti banal në Shkodër ai vrau një bashkëmoshatar shok të tij dhe plagosi një tjetër. Por rrezikshmëria e të riut shkodran i njohur nga miqtë dhe me emrin Esmeraldo nuk përfundoi vetëm me vrasjen e shokut të tij Indrit Hylli dhe plagosjen e Jetmir Mollës.

Ai u arrestua në vitin 2015 në Laç ndërsa në burgun e Shën Kollit dyshohet se porositi një tjetër vrasje nga brenda qelisë. Bëhet fjalë për porosinë për të eliminuar mjekun radiolog të spitalit të Shkodrës Agron Terolli. Fatmirësisht ngjarja u parandalua nga policia e Shkodrës pasi arrestoi 21-vjeçarin që do të kryente krimin.

Pas marrjes në pyetje të të arrestuarit u mësua se djali i mjekut kishte plagosur me armë zjarri një person dhe e kishte lënë të paaftë fizikisht. Hato dhe djali i mjekut e kryenin dënimin në të njëjtin burg ndërsa për policinë ngjarja mbeti thjesht nën dyshimin e hakmarrjes.

Pas tre vitesh burg Hato u lirua në rrethana të paqarta ndërsa në verën e vitit 2018 u përfshi në konfliktin me armë në lokalin në zonën e ish bllokut në Tiranë ku mbeti dhe i plagosur. Tre vite pas ngjarjes u shpall sërish në kërkim nga Policia e Shkodrës pasi dyshohej se kishte marrë pjesë në një atentat të organizuar për vrasjen e Taulant Pepaj. Atentati fatmirësisht dështoi dhe shënjestra i shpëtoi plumbave.

Por gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e Shkodrës, nuk ngriti akuzë për dy të dyshuarit e policisë Eljo Hato dhe Sehar Xhenje pasi sipas akuzës ata nuk ishin të përfshirë në këtë sulm. Gjykata e Shkodrës shpalli fajtor vetëm Shkëlzen Xhenjen për “Mbajtje pa leje të armëve”, i cili u dënua vetëm 3 vite e 8 muaj burgim.

Latest articles

Related articles