Ne mund të ishim si Izraeli, por s’na lë Berisha me Ramën

nga Sebastian Zonja

Interesat në rajon

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka një përmasë tjetër të cilën kam arritur ta kuptoj ditët e fundit pas disa leximeve dhe leksioneve nga autorë në zë të strategjisë ushtarake dhe gjeopolitikës.
Nëse në Ukrainë kemi përplasjen me rusët, indirekt ngjan se në Lindje të Mesme po përplasen amerikanët me kinezët dhe luftën e tyre po e bën Izraeli.
Kinezët dhe rusët kanë marrë primacinë e mbrojtjes së shiizmit në rajon duke hyrë thellë në lojë. Primankovi është strategjisti i parë që e parashtron këtë për rusët. Ai cilësohet Kisingeri rus. Më pas dolën propagandistë të çmendur si Dugini, të cilët shiten si teoricienë te publiku shqiptar, që e çojnë përpara teorinë e tij me kafshëritë që shkruajnë.
Kinezët ndërkohë kanë punuar gjatë për të çuar përpara marrëveshje tregëtare në rajon dhe për të siguruar pozicione që dobësojnë fuqinë amerikane.
Në atë rajon, Izraeli nuk qëllon dot as edhe një plumb pa leje amerikane. Në çështje të sigurisë, sikundër në Ballkan, janë amerikanët ata që vendosin pikat mbi i. Sa i përket politikës dhe demokracisë është çështje tjetër. Spekulimet me Iluminati dhe Traktatet e Sionit janë për kafe.

Konflikti

Në thelb, konflikti do të zgjasë me muaj dhe rreziku qëndron te Libani. Atje ndodhet Hezbollahu që ka trupa më të përgatitur prej luftës në Siri, më i armatosur dhe ka numra më shumë se Hamasi në Gaza.
Hamasi ka përkatësi nacionaliste dhe është i lidhur drejtëpërdrejtë me çështjen palestineze. Hezbollahu jo. Irani ka interesa te Hamasi për ta mbajtur nën tension Izraelin, por ka interesa strategjike te Libani dhe Hezbollahu sepse është vend bregdetar dhe e nxjerr në Mesdhe.

Brezi shiit dhe ai sunit po përvijohen tashmë qartë.

Irani, në aleancë me Rusinë dhe Kinën, del në Mesdhe me anë të ndihmës ruse në Siri dhe brezit shiit në Irak. Industria e tij e armatimit është duke punuar me kapacitet maksimal duke qenë se Rusia është blerësi kryesor i armatimit prej luftës në Ukrainë. Ka ndërtuar dhe ristrukturuar thuajse të gjithë industrinë e vet.
Saj parashikimeve të shërbimit inteligjent amerikan, brenda pak vitesh, një nga superfuqitë, Kina apo Rusia, do ta pajisë edhe me armë atomike. Pasja e armës çudibërëse ndyshon komplet strukturën e fuqisë në atë rajon.
Jo më kot të gjitha vendet sunite nuk bzajnë për çfarë ndodh aktualisht në rajon.

Amerikanët

Në Amerikë ndërkohë nuk ka konsensus për një luftë të re. Të vetmit që ja bëjnë tetë me dy Iranit janë amerikanët. Izraeli ka fuqi të madhe ushtarake, por e ka të pamundur. Vlen të kujtojmë se për vrasjen e Kasem Sulejmanit, presidenti Tramp e akuzoi për frikacak kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu. “Hoqi dorë nga operacioni”, tha Trampi. Pra, kur vjen puna te Irani, Izraeli mendohet disa herë përpara se të bëjë ndonjë lëvizje. Dhe, kur e ka menduar mirë e hollë, janë amerikanët ata që japin OK.

Mediet amerikane dhe qëndrimi republikan na tregon se amerikanët janë të lodhur dhe nuk duan t’ja dinë për çfarë ndodh nëpër botë. Së fundmi, administrata Biden lidhi fondet për Ukrainën me ato për Izraelin. Fondet u bllokuan. Republikanët thonë se rëndësia strategjike e Izraelit është më e madhe se ajo e Ukrainës.
Në krahun tjetër, amerikanët i bënë dhuratë evropianëve një luftë në kufi me një nga superfuqitë, duke kërkuar të shtyjnë NATO-n, ndaj janë evropianët që i thonë se me aleatin tënd në Lindje të Mesme bëj ç’të duash, por këtu ne duam që të mbyllim këtë punën tonë.

Mjerë ata që humbin jetën! I lehtë i qoftë dheu!

Ne, shqiptarët

Në fund, përvijimi i ri i blloqeve të sigurisë, ekonomisë dhe politikës do të sjellë me mijëra viktima të tjera. Sapo ka nisur rendi i ri botëror. Le të tregohemi të vëmendshëm që të mos ndodhë e njëjta gjë në Ballkan. Serbia është gati për tensione dhe ka treguar se ka kapacitete për t’i shtyrë përpara.
Ne si aleatë amerikanë nuk mbrojmë dot veten, e jo më të përfaqësojmë interesat e tyre në rajon. Dobësimi i fuqisë së shqiptarëve në rajon, meritë e padiskutueshme e dyshes Rama – Berisha, është së pari kundër interesit tonë kombëtar dhe kundër interesit të aleatit tonë strategjik, SHBA-së.

Latest articles

Related articles