Mordecai
“Po punove, edhe mund të vjedhësh diçka”. Shumëkush e njeh shpikësin e këtij mekanizmi origjinal të korrupsionit në Shqipëri si dhe disa nga zbatuesit pasionantë pasues të tij. Kështu shprehej ai dhe ndjekësit e tij herë nën zë, e herë me zë të lartë dhe vazhdimisht me mendje si një refren.
“Po punove, edhe mund të vjedhësh diçka”. Kjo mendësi po merr fund nga SPAK-u. Të gjithë ata, që kanë menduar dhe që kanë vepruar kështu këto dy dekadat e fundit, janë vënë në rresht për të kaluar nga skaneri i SPAK-ut. Fundi i kësaj mendësie toleruese ndaj korrupsionit është fryti më i mirë dhe më surprizues i punës së SPAK-ut dhe GJKKO-së.
“Po punove, edhe mund të vjedhësh diçka”. Fundi i kësaj mendësie është edhe më i rëndësishëm edhe se sa fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe paprekshmërisë së zyrtarëve të korruptuar.
“Po punove, edhe mund të vjedhësh diçka”. Shumëkush e di mirë se në fillimet e tranzicionit, dekadën e parë të demokracisë, jo pak zyrtarë abuzuan me fondet publike pa bërë pothuajse asnjë punë publike. Pastaj në fillim të viteve 2000 në pushtetin qendror dhe atë vendor u shfaqën ata që bënin ndonjë punë publike dhe rrëmbenin prej këtyre fondeve ndonjë pjesë.
Qytetarët dhe militantët, me pritjen e tyre të gjatë për t’u rrëgulluar troturaret, rrugët, ujësjellësat, kopshtet dhe shkollat nisën ta toleronin këto vjedhje të vockëla. Këtu zuri fill edhe rrënjë mendësia edhe alibia e korrupsionit “Po punove, edhe mund të vjedhësh diçka”.
Për taksistët e mesnatës dhe pronarët e bizneseve të vogla nuk janë të largëta dhe të harrueshme netët kur ndonjë makinë e zyrtarëve kalonte për të mbushur bagazhin me gjobat e ditës.
As për përfaqësuesit e firmave të vogla nuk janë të shkuara tej përqindjet e rryshfeteve, që ndanin me zyrtarët nga pjesa e fondeve të dhëna po prej tyre për të ndërtuar ndonjë vepër publike. Secili punonte dhe secili vidhte nga pak në kurriz të fondeve nga taksat e qytetarëve dhe dëm të cilësisë së ndërtimit. Në mëngjes zyrtari që kishte marrë përqindjen e vet nga fondi publik, pozonte si punëtor i madh para objektit gjysmë të përfunduar.
Kishte shumë që thonin: I lumtë! E ngriti këtë objekt publik më në fund, si askush tjetër më parë. Edhe po mori ndonjë pjesë nga ato para, nuk ka gjë. Rëndësi ka që bëri punën. Tani kjo mendësi po merr fund nga SPAK-u, ku janë renditur isha-t e të dy krahëve në arrati apo jo. Portretet më të zbehta këto ditë janë pikërisht të ayre, që mendojnë prej dy dekadash se “Po punove, edhe mund të vjedhësh diçka”. Sidomos kur kjo “diçkaja” doli se është në shifra eurosh me shumë zero prapa.
Vetëlavdërimet e zyrtarëve të kërkuara me presione për disa punë publike, po shohin theqafjen e merituar, se askush nuk ua ka borxh brohoritjet dhe propagandën në disa mandate për disa vepra të ngritura me fonde publike pas përqindjeve të rrjedhura nëpër xhepat e tyre. Euforia e hajdutëve të vetamnistuarve me lavdi cinike po merr fund nën dosjet voluminoze, që kanë pushtuar zyrat e SPAK-ut. Aty po shkruhet se ata që punojnë vërtet nuk vjedhin, dhe se ata që vjedhin nuk punojnë vërtet. Shpresa më e madhe për një demokraci të shëndetshme në Shqipëri mbetet pikërisht tek kjo nismë e SPAK-ut për të ndarë ata që vjedhin nga ata që punojnë, në mesin e atyre që na qeverisin tani dhe që na kanë qeverisur më herët. “Po punove, mund të vjedhësh” nuk ka më.