Gjenerali mbrojti “Partizanin”, Berisha i çoi kontrollin brenda ditës (Dosja)

Komandanti i Logjistikës në Forcat e Armatosura, Vladimir Qirjazi ka këmbëngulur duke kundërshtuar privatizimin e kompleksit “Partizani”. Nisi letra duke informuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm Maksim Malaj, por edhe Presidentin Topi ku i vendoste në dijeni se për privatizimin nuk i ishte marrë mendim dhe se statusi i pronës ishte i paqartë. Por çfarë ndodhi? Sipas dosjes, Sali Berisha i ka çuar një grup kontrolli nga Kryeministria brenda ditës në ministrinë e Mbrojtjes, pasi nuk iu bind urdhrit për të firmosur. Në fund, gjenerali u shkarkua nga detyra. Në dosje del edhe emri i Oerd Bylykbashit, asokohe në kabinetin e Berishës në Kryeministri.

Pjese nga dosja

Ministri Gazment Oketa i ka kërkuar Vladimir Qirjazit që të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. “Une i thashë Ministrit Gazmend Oketa se nuk mund të firmosja dhe ai më tha se edhe atij po ia kërkonin që të firmosej. Më tha “Duhet firmosur” por nuk më sqaroi se kush ia kishte kërkuar firmosjen. Ministri Gazmend Oketa me tha se kjo gjë mund te shkonte deri ne mase se faktikisht ne raportin e komisionit te auditit Ministrit Oketa i kërkohej qe unë te ndëshkohesha me mase disiplinore….

Në Kryeministri, është gjendur një shkresë fotokopje (por jo origjinalja) e datës 30.03.2009, drejtuar z. Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqari.

Megjithëse është kërkuar pranë Arkivës së Këshillit të Ministrave në Kryeministri shkresa origjinale e datës 30.03.2009 drejtuar z. Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nuk është arritur të gjendet. Gjithashtu nga këqyrja e regjistrit të korrespodencés Model Nr.1 në Kryeministri për periudhën 27.03.2009- 02.04.2009 nuk u konstatua as e regjistruar në protokoll hyrje e shkresës/ankesës date 30.03.2009.

Nga ana e Kryeministrisë ka patur reagim të menjëhershëm, kur me shkresën nr. 1161 prot datë 03.04.2009 të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, shtetasit Gjergj Lezhja, konceptuar nga shtetasi Ilir Kadiu dhe miratuar nga shtetasi Oerd Bylykbashi, drejtuar Komandantit të Forcës Mbështetëse shtetasit Vladimir Qiriazi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Fiqiri Kupe, është pasqyruar ndër të tjera se, është kryer një denoncim nga familjet Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga, Begeja dhe Llagami, aktualisht pronarët ligjorë të truallit të klubit të futbollit Partizani.

Ministria e Mbrojtjes gjithashtu ka reaguar duke iu drejtuar me shkresën nr. 2084/2 prot datë 16.04.2009 të Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, drejtori Ardian Shashaj, Komandes Mbështetëse dhe për dijeni ministrit Gazmend Oketa, sekretarit të përgjithshëm Fiqiri Kupe ku parashtron se Komanda Mbështetëse nuk ka zbatuar urdhërin….

Brenda të njëjtës ditë që rezulton se është përgatitur shkresa e mësipërme, duke u njoftuar Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, rezulton se ka një reagim të menjëhershëm më datë 16.04.2009 me urdhërin Nr. 1289 Prot, nga Kryeministri Sali Berisha, mbi kontrollin tematik në Ministrinë e Mbrojtjes, mbi zbatimin e procedurave ligjore dhe administrative për dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes së pronës me Nr.11, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Bashkëlidhur është programi i kontrollit i përgatitur nga drejtor Oerd Bylykbashi dhe i miratuar nga sekretari i përgjithshëm Gjergj Lezhja. Programi i kontrollit është koncept. nga Ilir Kadiu.

Me shkresën nr. prot (e palexueshme) datë 24.04.2009 shtetasi Gjergj Lezhja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i ka kërkuar shtetasit Vladimir Qiriazit, të verë në dispozicion të grupit të kontrollit, fotokopje të njehsuar me origjinalin, të gjithë praktikës që kanë në lidhje me pronën, në kuadër të kontrollit, nga departamenti i kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion.

Shtetasi Ilir Kadiu, rezulton të jetë gjithashtu një anëtar i familjeve pronare, përfituese nga pronat e ndodhura në Klubin e Futbollit dhe Klubin Shumesportesh Partizani dhe në konflikt të hapur interesi në situatën e krijuar. Për më tepër, ai vetë ka zgjedhur në procedurat përkatëse në lidhje me pronat si përfaqësues shtetasin Jamarbër Malltezi.

Me shkresën nr. 2205/2 regj datë 24.04.2009 shtetasi Vladimir Qiriazi i është drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, ku e bën me dije se në zbatim të urdhër kontrollit të kryeministrit, Sali Berisha, nr. 1289 datë 16.04.2009, më datë 24.04.2009 në Komandën Mbështetëse janë paraqitur për të ushtruar kontroll shtetasit Ilir Kadiu dhe Saimir Struga. Vijon me parashtrimet që kjo pronë nuk është marrë në administrim nga Komanda Mbështetëse, nuk ka pasur përfaqësues në procedurat.

Latest articles

Related articles