I nderuari Z. Kryetar i PD, Z. Basha!
Te nderuar delegatë!
Të nderuar demokratë!
Të nderuar miq!
Sot jemi pjesë e një ndër kuvendeve më të veçanta për nga rëndësia që PD ka zhvilluar në këto 33 vjet që nga krijimi i saj. Sot jemi pjesë e një Kuvendi, ku pesha e vendim-marrjeve të tij do të jetë fillimi i një faze të re për ne të gjithë, si anëtarë të saj, por dhe për vendin, Shqipërinë. Në këtë kuvend parimet kryesore që na bënë të jemi pjesë, janë ato të qëndresës ndaj identitetit politik dhe përgjegjshmërisë për të marrë përsipër bërjen e një politike pa ngarkesa të së kaluarës dhe me frymëzimin për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Për t’ju ofruar qytetarëve shqiptarë një Shqipëri ku të sundojë ligji, rendi, prona, shanset e barabarta, familja, besimi në Zot, aleanca euro-atlantike dhe paqja në rajon, përkundrejt autoritarizmit, autokracisë, stabilitokracisë dhe oligarkisë politike-financiare.
Gjithësesi, jam e ndërgjegjshme, që sot Partia Demokratike vjen në këtë kuvend e sakatuar, me grindje dhe luftë brenda shtëpisë, dhe mbi të gjitha me dilemën, se si do të arrijë të bindë shqiptarët të rikthejnë besimin tek PD, si e vetmja forcë që do u japë mundësinë të ndryshojnë pushtetin dhe të votojnë PD si alternative e qeverisjes së nesërme. Sot ne kemi një shtëpi të ndarë, jemi në grindje me njëri-tjetrin, duket se inatet, pragmatizmi politik, politika tribale, trashëgimia e fortë e komunizmit, idhujtaria ndaj udhëheqësit, interesat oligarkike dhe mpleksja e përllogarive personale politike, ende janë plagë të hapura, që dëmtojnë shtëpinë e demokratëve dhe na pengojnë të bëhemi bashkë në shtëpinë tonë, PD. Duket se dora e shtrirë e PD institucionale nuk ka mjaftuar për t’i bindur anëtarët e shtëpisë së demokratëve për t’u rikthyer, por ende janë në kërkim të një strehëze të re.
Çfarë duhet bërë? Cila është alternative e ringritje së besimit? Si do ringrejmë PD?
Për këtë duhet që t’i kthehemi dhe historisë, duke mos harruar që nga kohët biblike se “çdo shtet, sundimtarët e të cilit grinden mes tyre, do të rrënohet dhe asnjë familje ku ka grindje, nuk do të mund të qëndrojë.” Apo siç ka pohuar Abraham Lincoln që më 1858, “një shtëpi e përçarë brenda saj, nuk mund të qëndrojë. Ndaj nuk pres që shtëpia të prishet, të bjerë, Por pres që shtëpia të pushojë së përçari”.
Prandaj ajo që ne të gjithë kemi nevojë të kuptojmë dhe mbi të të reflektojmë, është pikërisht dhënia fund e grindjeve dhe e dashakeqësive, përllogaritjeve personale të momentit dhe të interesave në dëm të PD, pasi një shtëpi me grindje brenda nuk mund të jetë alternative e së nesërmes për Shqipërinë. A house divided against itself, cannot stand!
Ky nuk është kuvendi i idealistëve, por i realistëve, që mbështetën një vendimarrje politike, për të vijuar aleancën dhe bashkëpunimin me administratën e Presidentit të SHBA, dhe për të ndarë problemet personale politike dhe korruptive të patriarkut, ish kryetarit nga vetë partia, duke besuar te integriteti dhe morali politik që ju ofrojmë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht kostove. Kush qëndroi në institucionin e PD pas 9 shtatorit 2021 dhe deri më sot tregoi se është i ndërgjegjshëm për sfidat politike, por vendosi t’i mbetet besnik pikërisht moralit politik, dhe jo kalkulimeve vetjake momentale.
Legjitimimi i strukturave paralele, marrja e pushtetit me dhunë dhe puçet në historinë e Shqipërisë kanë dështuar. Paralelizmat historikë me Qershorin e 1924, apo diktaturën komuniste mjaftojnë për të kuptuar, se nuk duhet të kapemi pas kauzave momentale, interesave personale në dëm të atyre të qytetarëve që dëmtojnë vendin, dhe shkaktojnë regres, paqartësi dhe destabilitet.
Ky kuvend duhet të na nxisë të gjithë, por sidomos lidershipin e ri që do të dali prej tij, për ta shndërruar PD në një parti funksionale, për ta bërë moderne, që t’i përshtatet zhvillimit të Shqipërisë dhe nevojave dhe kërkesave të elektoratit shqiptar. Një PD që nuk duhet të mbesë preh e grindjeve dhe smirave personale, të cilat duhet t’i kapërcejë. PD duhet të shndërrohet në një makineri elektorale, një parti me ide dhe alternativa novatore për zhvillimin e vendit, për t’ju ofruar shqiptarëve, jo vetëm demokratëvë, shpresën dhe besimin se PO, ne e ringritëm PD. PO ne do ta MUNDIM Rilindjen!
Sot është momenti për të mos genjyer më veten, për të mos mbyllur sytë, veshët dhe gojën përpara realitetit delikat dhe kritik ku ndodhet PD, por dhe vetë Shqipëria. Ndaj para çdo vendimarrje politike dhe individuale, gjithësecili duhet të mos harrojë, PSE NISI GJITHÇKA?
Pas këtij kuvendi legjitim, është koha e aksionit politik të institucioneve të lidershipit të ri të PD për të legjitimuar qëndresën e demokratëve prej 9 shtatorit 2021, dhe shprehur vullnetin për të mundësuar një Shqipëri më të mirë për shqiptarët.
PD është alternative e së ardhmes!
PD është e ARDHMJA!