Partia Demokratike kërkon ndryshimin e rendit të ditës në seancën e sotme plenare në parlament. Selia blu kërkon që pjesë e rendit të ditës sot, të jetë dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, për kontrollin e banesës dhe arrestimin e Deputetit Arben Ahmetaj.
Partia Demokratike njofton se kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e ka dorëzuar pranë sekretarisë së Kuvendit.
Kjo kërkesë e selisë blu vjen pas diskutimeve të mbajtura për dy ditë radhazi në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Ky Këshilli miratoi dje kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj. Këshilli po ashtu, vendosi që raportet të paraqiten brenda ditës së premte, datë 14 korrik ora 12:00 dhe seanca e posaçme plenare do të zhvillohet ditën e hënë, më datë 17 korrik.
Në një prononcim për mediet nga selia e kryesisë së Kuvendit, pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi deklaroi se Partia Socialiste do të përgatisë një raport që do t’i dërgohet Kryetares së Kuvendit, në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që kërkon arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.
Pëllumbi u shpreh se “për sa kohë ne bindemi që procedura është e rregullt dhe nuk ka fakte të cilat të vërtetojnë që ka një tejkalim për heqje imuniteti, sigurisht ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se “Këshilli me votë unanime vendos t’i rekomandojë seancës plenare dhënien e autorizimit për arrestimin dhe kontrollin e banesës për deputetin Arben Ahmetaj”.
“Ajo në të cilën u ndamë ishte koha në të cilën do të duhet seanca plenare të miratojë këtë kërkesë. Opozita depozitoi raportin e saj me shkrim. Çdo vonesë është në dëm të drejtësisë, është pengim i drejtësisë, çdo vonesë ndihmon personin e akuzuar”, theksoi Bardhi.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka dorëzuar më 10 korrik në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Partia Socialiste deklaroi se raportin e saj do ta dorëzoi të premten, pasi të njihet plotësisht me pretendimin e palëve.