Nëse fëmijët tuaj kanë lindur në 2008 atëherë lexo këtë artikull!

Nga Admir Malaj

Nëse fëmijët tuaj kanë lindur në 2008 atëherë lexo këtë artikull!

I.
Ishte viti 2008! iPhone i pare sapo ishte lançuar ndërkohë që kriza financiare kishte rrënuar një pjesë të mirë te ekonomisë globale.

Shumë nga ne që lexojnë këtë artikull kishin mbaruar studimet e larta, të tejzgjatura, të shoqëruara me masterizime dhe doktoratura. Disa të tjerë kishi katër, pesë vite që kishin filluar punë, me rroga që sot do dukeshin qesharake, por rëndesi kishte të fillonim punë, të tregonim veten.

Tituj, si masterizimet dhe doktoraturat, që prindërit tanë i kanë parë gjithnjë si veçori të elitës, u masivizuan pafund në atë periudhë, aq sa në ditët e sotme garantojnë diçka shumë afër asgjësë.

Shumë prej nesh as nuk i bënë këto studime dhe ndoshta mund t’i ketë ngelur peng. Disa thjesht i blenë më vonë, si medalje kapaçka të gjeneralëve lindorë.

Gjithsesi mbetet dyshimi tek secili prej nesh: Çfarë mësova dhe ku u futa falë këtyre studimeve dhe titujve?

Përgjigja mund të jetë: Kam mësuar disa gjëra që nuk më kanë shërbyer shumë dhe se titujt nuk me kanë dhënë ndonjë akses të madh tek elitat lokale apo ndërkombëtare.

Personalisht, sikur të takoja veten time 18 vjeç do t’i shpjegoja shumë gjëra. Edhe pse, ndoshta më e rëndesishme do të ishte të takoja veten time 14 vjeç. Atëherë shkolla e detyrueshme ishte 8 vjeçare.

Unë vetes time do t’i thoja këto fjalë: Mos shko në gjimnaz, por regjistrohu në një shkollë profesionale, që të mësosh të përballesh me jetën.

II.
Po le t’i kthehemi vitit 2008, sidomos për ata që atëherë po prisnin vajzën apo djalin e tyre, që sot në 2023 është plot 15 vjeç.

Vitet kanë kaluar pa u kuptuar dhe halleve të lindjes, hapave dhe fjalëve të para, zgjedhjes së çerdhes, kopshtit, shkollës fillore, private apo publike, alfabetit, matematikës, teksteve, notit, sportit, formës fizike, sistemit Montesori apo IB, aftësisë së fëmijëve për t’u shoqëruar, e me cilën shoqëri pastaj, pa anashkaluar 1001 debatet me edukatoret të vazhduara me mësueset dhe netët pa gjumë duke lexuar faqe interneti dhe statuse psikologësh në mediat sociale, epra të gjitha këto, sot në 2023 duken gati të harruara.

Tani ka vetëm një problem, një diskutim që hapet njëherë nga një prind dhe njëherë nga tjetri, me shpresën që në fund vajza apo djali të marrë një vendim vetë, që barra e “gabimit” të mos bjerë tek ne. Ky problem është: Ku do ta vazhdojë shkollën e mesme?

Unë nuk mund ta fsheh faktin që jam pro shkollave profesionale, e thashë më lart, apo dhe një liceu artistik, sepse mendoj se gjimnazi është një koncept i tejkaluar, pa hyre fare në brendinë cilësore të këtij formati në vendin tonë.

Gjimnazi mund të konsiderohet një shkollë gjeneralistë, me një përbëres të fortë humanist, që përcjell rritjen e nxënësve nga shkollimi i detyruar deri në atë universitar, aq sa në shumë vende konsiderohet edhe si një parapërgatitje për universitet, vendi ku mendohet se shkojnë elitat.

Pra, në mendimin tim, gjimnazi mund të konsiderohet paradhoma e universitetit, një mundësi që nuk të kufizon zgjedhjet e mëvonshme dhe për më tepër të hap dhe botëkuptimin, sepse të lejon ta jetosh adoleshencën në mënyrë më të çlirët.

Por sot çdo shkollë profesionale është paradhomë e universitetit. Edhe sikur një drejtimi të caktuar t’i mungojë ndonjë modul mësimor, më besoni që me pak aktivitet jashtëshkollor kjo mund të plotësohet. Pastaj le të themi të vërtetën, edhe në gjmnaze fëmijët mësojnë jashtëzakonisht shumë gjëra në programet jashtëshkollore, të angazhuar siç janë në kurse të ndryshme.

Nëse flasim për periudhën e adoleshencës dhe të shijuarit e këtyre viteve të rëndësishme për rritjen e tyre, unë sërish kam një pyetje: A mendoni vërtetë se gjimnazi i sotëm është si gjimnazi që kemi bërë ne? As 15 vjeçarët e sotëm nuk janë siç kemi qenë ne. As Bota nuk ështe me siç ishte para 20 apo 30.

Në një kohë ku kanë ndryshuar shumë gjëra, ku kemi ndryshuar vetë, e ku pritet që gjërat të ndryshojnë edhe më shume, me Inteligjencën Artificiale, Internetin e Gjërave, Ndryshimet Klimaterike, Plakjen e Popullsisë, Migracionet, Konfliktet, Pandemitë, e shumë e shumë gjëra të tjera, personalisht mendoj se vetëm një gjë është e sigurtë:

Fëmijët tanë duhet të fillojnë të përballen me jetën më shpejt dhe në mënyrë më praktike.

III.
Në vend që të të parkojnë për tre vite në një sistem gjeneralist i cili në parim nuk ka për synim që të të ballafaqojë me Botën e Punës, shkollat profesionale të shtyjnë që ti të fillosh me të vërtetë të mendosh se çfarë do bësh kur të rritesh, madje dhe se çfarë do bësh përpara se të rritesh.

Bota e Punës është e rëndësishme, sepse në moshën e rritur ajo na merr plot 1/3 e kohës, duke qenë dhe qendra e jetës sonë shoqërore, ose të paktën një pjesë e mirë e saj. Të mësosh të përballësh me të, do të thotë të mësosh të jetosh dhe madje të jetosh i lirë dhe i plotë.

Sërish mbeten disa pikëpyetje për shkollat profesionale (sidomos për ata më skeptikët), si për shembull stafi pedagogjik, apo sërish mundësia për të aksesuar elitat e vendit dhe më tej ato ndërkombëtare.

Me eksperiencën që kemi dhe me atë që shohim, besoj që nuk ka shume dyshime se stafet pedagogjike nuk kanë ndonjë ndryshim të madh në kapacitete. Madje stafet e shkollave profesionale, duke qenë të përbërë nga njerëz që vinë nga profesionet, mendoj se kanë dhe atë ndjenjën e prakticitetit qe të ndihmon.

Mbetet gjithnjë pengu i elitarizimit të gjimnazit, apo i çdo shkolle publike apo private që e mban veten si paradhomë e universiteteve prestigjoze. Edhe këtu duhet pak shpirt kritik. Të aksesosh një universitet të mirë kërkon dije të thelluara në degën që do studiosh, mesatare të larte, por më shumë akoma kërkon një narrativë bindëse për letrat e motivimit dhe ato të referencës. Sërish, edhe këtu, nxënësit e shkollave profesionale do të kenë gjithnjë një histori më bindëse për të treguar, e madje mendoj se do t’ja dalin më thjeshtë që të fitojnë bursa në universitetet më të mira.

Po përtej universiteteve, një shkollë profesionale do të zgjojë nga “gjumi” përpara bashkëmoshatarëve të tjerë kur vjen puna për të zgjedhur një profesion, një punë apo ndërmarrë një nisëm private si sipërmarrës. Fakti që zgjat 4 vite dhe përfundohet në moshën 19 vjeçare, nuk përbën një vit të humbur, për të rendur pas diçkaje që ende nuk është e qartë, por është një vit më shumë për të konsoliduar bindjen mbi prirjet dhe dëshirat për karrierën e mëvonshme. Një karrierë që çdo dhjetë vite mund të njohë kthesa (pak ose shumë) të forta.

IV.
Ka pasur gjithnjë një narrative, në mendimin tim jo shumë të saktë, ku mëshohet tek fakti që shkollat profesionale të mësojnë një zanat. Kjo na çon shpesh të humbasim në diskutime per sigurimin e vendit të punës, për llojin e punës, e gjëra të tilla, të cilat le ta themi nuk zgjojnë as interesin e një adoleshenti dhe as ushqejnë egon e një prindi.

Unë personalisht mendoj se shkolla profesionale ka mbi të gjitha aftësinë për të bërë të fortë për çdo sfidë të jetës, pastaj fitimi i një zanati është thjesht një bonus.

Ne sot kemi nevojë t’i rikthejmë fëmijët dhe veten tonë me këmbë në tokë, duke ecur në rrugë më praktike drejt rritjes, në vend të atyre që kemi bërë këto 30 vite.

Edhe pse çdokush nga ne dëshiron më të mirën për fëmijët, apo dhe vetë fëmijët mendojnë se kanë zgjidhjen më të mire, e vërteta është që ne nuk dimë se çfarë njohurish do duhen pas 10 apo 20 vitesh. Por Tregu i Punës e di, prandaj sa më afër t’i qendrosh, aq më shpejt adaptohesh.

Elitarizmi kërkon financa të shëndosha dhe rrjete miqësore apo profesionale që të të referojnë. Për më tepër, elitarizmi është si një llotari, sepse vetëm pak mund ta aksesojnë. Ndoshta 1% e të rinjve?

Në këtë pikë, a ja vlen të luash llotarinë me të ardhmen e fëmijëvë, kur mund të zgjedhesh një rrugë që mund të funksionojë, madje shumë më mirë dhe në mënyrë praktike për 95% të tyre.

Më e keqja që mund të ndodhë është që me kalimin e viteve do keni një fëmijë më të përgjegjësuar dhe që do dijë të lidhë një prizë, të kujdeset për kopshtin, të bëjë një injeksion, të menaxhojë pazaret e shtëpisë, apo rregullojë një tub që rrjedh. Pa harruar që puna të bën të aftë te lidhesh më shumë me njerëzit, nga të gjitha moshat dhe prejardhjet.

Nuk duket dhe aq keq apo jo?

Latest articles

Related articles