Projekti i ri i Edi Ramës – opozitë e re për të shkuar në Evropë


nga Sebastian Zonja

Shumë shqiptarë prisnin një projekt të ri dhe platformë të re politike nga opozita, por ishte kryeministri Rama ai që e artikuloi i pari.
Në 32-vjetorin e Partisë Socialiste, kryeministri dhe kreu i kësaj partie, Edi Rama, nënvizoi se “sot, në kontekstin e një kohe të re jo vetëm për Shqipërinë, kemi nevojë për një fillim të ri, për një projekt të ri politik dhe organizativ”.
Ndërkohë që Edi Rama po sendërton një “parti shtet”, opozita nuk ka ende ndonjë alternativë në horizont.
Cilat janë sfidat që na dalin përpara?
1. PD e vulës e vetme.
Nëse ndërmerret një projekt i këtillë, siç synojnë eksponentët më të lartë të këtij subjekti, do të duhen së paku 7 vjet për të konsoliduar një imazh opozitar.
2. Rithemelimi i vetëm
Ky projekt politik ka dëshmuar se ka sasi votash, influencë në establishmentin ekonomik, por e ka të pamundur të vijë në pushtet. Një katarsis i brendshëm, duke larguar figura që kanë mbërritur në kufijtë e qesharakes, sërish, nuk do të sillte risi përball maxhorancës në pushtet.
3. Opozitë e bashkuar
Mundësia për bashkimin e opozitës është e largët. Njëra pjesë ka legjitimitet, tjetra ka vota. Njëra është non-grata, tjetra s’ka organizim. Edhe sikur të kishte bashkim të opozitës, koha për të ndërtuar imazhe të reja politike kërkon kohë. Duhen disa protesta që të ndërtosh frymën antikorrupsion. Duhen disa marshime për të sensibilizuar publikun. Duhen disa platforma opozitare për t’i bërë ballë fuqisë së qeverisë. Deri më tani, një vit e pak përpara zgjedhjeve, asnjë prej palëve opozitare nuk ka ndonjë platformë për të ardhur në pushtet, as platformë antikorrupsion, as figura të reja për të ndërtuar frymë.
Duhen së paku 6 vjet, maksimumi 10, nga ndërtimi i strategjisë te realizimi i saj.
4. Fuqia e Ramës
Përpara disa javësh, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, kryeministri Edi Rama do të jepte këtë përgjigje, ndërsa u pyet se pse fitonte:
– Shihni ata që kam përballë!
Në çdo vend tjetër të botës, kryeministri do të bënte një pasqyrë të investimeve dhe arritjeve qeveritare, ndërkohë që Rama e kishte të thjeshtë të drejtonte gishtin nga kundërshtari për të treguar se pse fitonte. Pas 10 vjetësh qeverisjeje qendrore dhe 10 të tjerave në Bashki, pyetja themelore është si ka mundësi që kryeministri paraqitet si figurë e re ndërsa të gjithë opozitarët së bashku si e shkuara?
A. Komunikimi i tij është profesional. Opozitarët e tjerë nuk e kanë profesional.
B. Imazhi i tij kurohet deri në detaj. Opozitarët e tjerë nuk kanë stafe për kurim imazhi.
C. Ndërrimi i shpeshtë i bashkëpunëtorëve. Opozitarët kanë të njëjtët bashkëpunëtorë prej vitesh, edhe pse asnjëri prej tyre nuk sjell risi, duke u bërë peshë për imazhin e subjektit politik dhe kryetarët. Një pyetje e thjeshtë: figura e Berishës, ja shtonte apo pakësonte peshën politike Lulzim Bashës? Figura e Kryemadhit, ja shton apo pakëson peshën politike Ilir Metës? Figura e Flamur Nokës, ja shton apo pakëson peshën politike Sali Berishës? PD-ja e vulës është në luftë të brendshme, ndaj s’kam raste konkrete.
Ç. Strategjia e kryeministrit, me shumë gjasë, është ajo që po ndjek Vuçiçi në Serbi. Qarkullon po i njëjti manual për liderët e fortë, apo autokratë. Secili vend me specifikat e veta: Turqi, Hungari, Serbi apo Poloni, por kanë një të përbashkët – përça dhe mbaj të përçarë me çdo kusht opozitën. Tentativa e Edi Ramës për një projekt të ri politik tregon se ai do të bashkëndajë pushtet, sepse pesha e rëndë e tij do ta përpijë. Ndarja e pushtetit me parti dhe personazhe të reja politike do të sjellë ulje të inatit qytetar dhe është një zgjidhje perfekte për qeverisjen e tij në dy vitet e ardhshme dhe vajtjen në zgjedhjet e vitit 2025 me imazhe të reja dhe fuqi të rikuperuara.
5. Në këtë pikë do të doja të analizoja ndikimin e rendit ndërkombëtar mbi Shqipërinë, por nuk kam parë ndonjëherë që të ndryshojë situata nga jashtë pa dashur më parë faktorët e brendshëm. Lufta në Ukrainë, Marrëveshja e Ohrit, rritja e çmimeve dhe fuqizimi i partive ekstremiste nëpërë Evropë … janë kokëçarje më të mëdha për Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin, se ç’është përçarja e opozitës dhe projekti politik i Ramës për të bashkëndarë pushtetin me aktorë të rinj politikë, duke nënkuptuar një “opozitë të re fringo siç e do Partia dhe Pushteti Popullor”.

Latest articles

Related articles