Papa Françesku në Hungari: shtegtim i “premtuar”, në emër të paqes dhe të ardhmërisë së Evropës

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, paraqet vizitën e Françeskut në Budapest më 28-30 prill. Takime me autoritete politike dhe fetare, me të rinj, studentë universiteti, refugjatë, duke përfshirë edhe disa ukrainas të mirëpritur në vend. Papa do të takohet edhe me bashkësinë greko-katolike. Në qendër të vëmendjes, temat e ekumenizmit, sfidat e breznive të reja, Bashkimi Evropian, familja, lufta: “Mund të presim fjalë dhembshurie për konfliktin në Ukrainë”.

R. SH. – Vatikan

Është shtegtim apostolik – i 41-ti i Papës – por mbi të gjitha, shtegtim që “nisi si premtim” i bërë popullit dhe kishës hungareze për t’i vizituar përsëri, pas ndalesës së shkurtër në shtator 2021, në meshën përmbyllëse të Kongresit të Eukaristik në Budapest. Françesku do të jetë në Hungari, “tokë plot histori”, e vizituar dy herë në vitet 1990 nga Gjon Pali II, nga 28 deri më 30 prilli i ardhshëm. “Shtegtim me takime të ndryshme”, kujtoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, teksa paraqiste udhëtimin papnor.

Përqafimi i realiteteve të ndryshme të vendit

Gjatë tri ditëve, në të cilat do të jetë në kryeqytetin hungarez, “qytet urash” që provoi luftëra dhe pushtime, shkatërrime dhe rindërtime, ndarje dhe ribashkime dhe, që nga 24 shkurti 2022, pa një fluks të pandërprerë refugjatësh nga Ukraina, Papa Françesku do të përqafojë realitete të ndryshme: autoritete civile dhe politike, duke përfshirë Presidentin Novak dhe Kryeministrin Orbán, ipeshkvij e kardinaj, refugjatë (duke përfshirë disa ukrainas), të rinj, fëmijë të sëmurë, përfaqësues të botës së shkencës dhe kulturës. Programit, tashmë të shpërndarë, do t’i shtohet edhe një takim me bashkësinë e gjerë greko-katolike të vendit, gjatë të cilit disa përfaqësues do të japin dëshminë e tyre në takimet e ndryshme. Dhjetë, për të qenë të saktë, takimet, vizitat dhe ceremonitë publike e private; gjashtë, fjalimet e Papës, të gjitha në italisht. Në qendër, temat e unitetit evropian, e ardhmja e të rinjve, dialogu ekumenik, inkurajimi për një kishë që ka jetuar kohë të hidhura persekutimi dhe, natyrisht, drama e luftës e thirrja për paqe, në një komb që e ndan 135 km kufi me Ukrainën e sulmuar. Një rrip i ngushtë toke, udhë arratisjeje për shumë të shpërngulur, të cilët mbërrijnë në Hungari me autobus, tren ose me makinë pas radhëve të gjata kilometrike, duke kaluar nëpër vendin si pikë tranziti dhe duke u zhvendosur më pas në Gjermani, Holandë, Itali e vende të tjera.

 Vuajtjet e së kaluarës të Kishës Hungareze

Papa do të prekë me dorë vuajtjet e këtyre njerëzve, ashtu si edhe martirizimin e bashkësisë së krishterë hungareze, e cila, kujtoi Bruni, “vuajti për një kohë të gjatë nga një regjim totalitar mbikombëtar, veçanërisht i ashpër në shtypjen e fesë e në lidhjet e saj me Romën”. Hungaria nuk i harron ipeshkvijtë e saj, priftërinjtë, besimtarët e vrarë ose të privuar nga liria, as kohët e “kishës së nëndheshme” në të cilën klerikët shuguroheshin në fshehtësi, ndërsa punonin në fabrika, e as shenjtorët dhe të lumtë e saj që ” flasin ende sot” dhe figurat e ndritura si kardinali Jozsef Mindszenty (shpallur i nderuar nga Papa Françesku, më 2019) “historia e fesë, e rezistencës dhe e vuajtjes së të cilëve është e rëndësishme për të kuptuar katolicizmin hungarez”, theksoi Bruni.

Bisedime me autoritetet politike

“Megjithatë, toni i këtij udhëtimi është i ndryshëm,” shtoi ai. E kjo, sepse bëhet fjalë për “një shtegtim të mirëfilltë apostolik”, i cili i drejtohet Hungarisë në pjesët të ndryshme e përmes çasteve dhe takimeve të ndryshme. Para së gjithash, takimi institucional me autoritetet në ish Manastirin Karmelitan, tani selia e kryeministrit Viktor Orbán, të cilin Papa e ka takuar tri herë (e fundit, pas rizgjedhjes së tij, në prill 2022) dhe në Pallatin Sandor, ngrehinë e shekullit të 19-të, seli e Presidentes të Republikës, Katalin Novák, prej një viti, në krye të vendit. Me ta Papa do të ketë një bisedë private.

Të varfër, refugjatë, fëmijë të sëmurë

Privat do të jetë edhe një nga takimet më domethënëse të udhëtimit, vizita, të shtunën, më 29 prill, tek fëmijët e Institutit të të Lumit László Batthyány-Strattmann, kushtuar mjekut hungarez që mjekonte fëmijët e verbër dhe të varfër. I drejtuar gjithmonë nga një murgeshë, Anna Fehér, e njohur edhe si “Nënë Tereza e Hungarisë”, deri në vdekjen e saj në vitin 2021, mirëpret të miturit me shikim të dëmtuar ose me nevoja të veçanta arsimore. Në të njëjtën mënyrë, menjëherë pas kësaj, Françesku do të takojë të varfërit dhe refugjatët e kombësive të ndryshme, “shumë edhe nga Ukraina fqinje” – kujtoi zëdhënësi i Vatikanit. Më pas, takimet e zakonshme të çdo shtegtimi apostolik: me autoritetet civile dhe trupin diplomatik; me ipeshkvij, priftërinj, seminaristë, të kushtuar; takimi privat me jezuitët në Nunciaturë dhe ai me të rinjtë e vendit. Në fund, Mesha, në këtë rast e kremtuar në Sheshin Kossuth Lajos, e pasuar nga Lutja e Mbretëreshës Qiellore. Këtyre ngjarjeve i shtohet takimi me bashkësinë katolike greke, e cila ka rreth 400 mijë besimtarë me origjinë të ndryshme, të shpërndarë në të gjithë vendin dhe jashtë tij, që dëshmojnë sesi këto troje kanë qenë strehë për shumë të krishterë gjatë pushtimeve turke në zonat fqinje.

Temat

Udhëtimi zhvillohet tërësisht në Budapest, nuk ka udhëtime apo vizita të tjera në vende simbolike, siç është Abacia Pannonhalma, e cilësuar nga Bruni si “pikë referimi për dialogun me vëllezërit e besimeve të ndryshme të krishtera”. Ekumenizmi do të jetë një nga temat e përsëritura në fjalët e Papës, së bashku me ato të sfidës ekologjike (“Papa e ka lavdëruar tashmë Hungarinë në këtë pikë në të kaluarën”), të së ardhmes së brezave të rinj, të jetës dhe të familjes – tema të trajtuara tashmë nga Papa në takimin me dyer të mbyllura në shtator 2021 me Orbán dhe ish-presidentin Janos Ader, ashtu si çështjet e paqes dhe të luftës. “Do të jemi disa qindra kilometra larg kufirit me Ukrainën. Sigurisht mund të presim fjalë për dhimbjen e këtij konflikti dhe për kërkimin e paqes”, theksoi Bruni.

Thirrje Europës

Në këtë etapë në zemër të Evropës, vështirë të mos mendosh për Bashkimin Evropian dhe për Evropën në tërësi, “në perspektivë të së ardhmes”. Nëpërmjet hungarezëve, shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Jorge Mario Bergoglio do t’ia thotë “një fjalë gjithë Evropës, lindur nga ndërtimi pasionant i një bashkësie kombesh,  pasion i dobësuar, ndoshta, me kalimin e viteve, duke vënë në dyshim rolin e Evropës dhe të evropianëve në këtë kohë, në fushën politike, por edhe shoqërore e kulturore. Evropës së popujve, me historinë e edhe me përgjegjësinë e saj në angazhimin për paqen globale”.

Shoqëruesit

Françesku do të shoqërohet në udhëtim nga një infermiere dhe një mjek. Në delegacionin shoqërues, përveç anëtarëve të zakonshëm, do të jenë edhe prefekti i Dikasterit të Kishave Lindore, Imzot Claudio Gugerotti dhe prefekti i Dikasterit të Ipeshkvijve, Robert Francis Prevost, kreu i Dikasterit, që normalisht nuk udhëton me Papën, por që në këtë rast do të shkojë “për ta nxitur të gjithë kishën hungareze”. Në avion, edhe një punonjës i Vatikanit. I pyetur për takimet e mundshme me përfaqësues të Kishës Ortodokse të lidhur me Patriarkanën e Moskës, duke përfshirë Mitropolitin Hilarion, i cili u shpërngul në Budapest vitin e kaluar, dhe të bashkësisë protestante, gjerësisht e pranishme në Hungari, Matteo Bruni shpjegoi se tani për tani nuk janë në program por që nuk duhet përjashtuar mundësia e një takimi apo prania e tyre në takimet e ndryshme.

Latest articles

Related articles