SPAK ka dalë me një komunikatë për mediat në lidhje me arrestimin e nënkomisarit të Policisë, Sokol Canameti, 48 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Nga hetimet ka rezultuar se efektivi Sokol Canameti, duke ushtruar presion ndaj të arrestuarit E. K., i ka kërkuar këtij të fundit shumën prej dy mijë euro në këmbim të lënies të lirë, duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë.
Sipas SPAK, i hetuari E.K., ka vënë në dijeni menjëherë të jatin, të hetuarin F. K., i cili nëpërmjet njohjeve të tij, pasi ka siguruar shumën prej 235.000 lekësh, ja kanë dhënë efektivit Sokol Canameti, rreth orës 17.30-20.00 të datës 10 tetor 2022.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 181 datë 31.10.2022, procedim i regjistruar mbi bazën e materialit referues të dërguar nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit të Mbikqyrjes Policore, Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.
Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se personi nën hetim S. C., me detyrë oficer i policisë gjyqësore, ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, pasi zyrtari i policisë gjyqësore, i hetuari S. C., duke ushtruar presion ndaj të arrestuarit E. K., i ka kërkuar këtij të fundit shumën prej 2000 euro në këmbim të lënies të lirë, duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë. I hetuari E.K., ka vënë në dijeni menjëherë të jatin, të hetuarin F. K., i cili nëpërmjet njohjeve të tij, pasi ka siguruar shumën prej 235.000 lekësh, ja kanë dhënë të hetuarit S. C. rreth orës 17.30-20.00 të datës 10.10.2022. Me veprimet e tyre shtetasit E. K. dhe F. K. dyshohet të kenë konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.30 datë 07.04.2023 ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg për shtetasin:
• S. C., i dyshuar për veprën penale “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga Neni 319/ç të Kodit Penal.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë, ekzekutoi në datën 09.04.2023 masën e sigurimit të caktuar me vendimin nr.30 datë 07.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.