Policia e Shkodrës bëri të ditur se ka arrestuar autorin e plagosjes së trefishtë, të ndodhur mesditën e sotme në qytetin e madh verior.
Tre adoleshentë janë plagosur me thikë pas një sherri me një 18-vjeçar të identifikuar si Aldo Hasani. • Adoleshentët e identifikuar si Xhejson Plepi 17 vjeç, Ersid Tula 16 vjeç dhe Kledis Hoxha 16 vjeç dyshohet se kanë ndacmuar të dashurën e Hasanit.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia bëri të ditur se menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, ku shtetasi A. H., pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me thikë tre bashkëmoshatarët e tij dhe u largua, shërbimet e Komisaritait të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja të DVP Shkodër, janë vënë në ndjekje të autorit.
“Ato kanë ushtruar kontrolle të shumta në ambiente të ndryshme, në akse rrugore dhe në lagjet e qytetit të Shkodrës. Për shkak të presionit të Policisë dhe falë negociatave me familjarët e shtetasit A. H., u bë e mundur që rreth orës 20:00, ky shtetas të vetëdorëzohej në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme proceduriale.”- thuhet në njoftim.
Sipas policisë, shtetasi A. H. plagosi me mjet prerës thikë, bashkëmoshatarët e tij, shtetasit K. H., E. T. dhe Xh. P.
“Shtetasi Xh. P. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, ndërsa dy shtetasit e tjerë, pas ndihmës mjekësore, janë larguar në banesë. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.”- përfundon njoftimi i policisë.