Ngjashmëritë në propagandën serbe dhe atë të Rilindjes. Rama ka shkuar një hap më tej se Vuçiçi


Nga Sebastian Zonja

Ramën e pagëzuan Skënderbe, Vuçiçin Aleksandri i Madh -ngjashmëritë në propagandën serbe dhe atë të Rilindjes. Rama ka shkuar një hap më tej se Vuçiçi.

Për ditë me radhë kemi parë kryetituj se si janë rritur rrogat e qytetarëve dhe penisonet e moshës së tretë. Nuk mungon askund ky titull nëpër portale dhe gazeta. Për ta kuptuar se është propagandë dhe jo lajm, mjaft të lexosh në thellësi dhe të pyesësh: a ka kapacitete ekonomia për të rritur rrogat dhe pensionet? Nëse i gjithë artikulli shoqërohet me premtime se sa e bukur do të jetë e nesërmja, është po e njëjta propagandë si në komunizëm. Asokohe ditë më të mira do të vinin, ne po ja dilnim, edhe pse situata ndërkombëtare nuk na favorizonte sepse ishim nën rrethim nga imperializmi. Sot ajo propagandë përkthehet – Jemi mirë, por do ishim më keq sikur të mos ishte Rama, sepse ka luftë në Ukrainë dhe po bëhet reforma në Drejtësi që do zgjidh gjithë problemet. Pasi të marrë fund lufta dhe Reforma, ka nisur propaganda që shpërndan Rama se kemi gogolin rus brenda vendit, duke akuzuar dhe demonizuar opozitën, me të njëjtën metodologji siç bëjnë diktatorët nën sferën ruse.

Me kë ngjan kjo propagandë?

E kemi thënë edhe më herët se Shqipëria po shkon në rrugën e autokracisë që ka ndërtuar Vuçiçi. Nuk është risi, pasi linjën e autokracive e drejton Putini, manuali është i thjeshtë, mjaft të kesh vullnet për ta zbatuar.
Hapat, sipas ekspertëve të fushës janë të thjeshtë:
1. Kap median
2. Merr në dorë shërbimet sekrete
3. Propagando se opozita është e lidhur me fuqi djallëzore
4. Përça opozitën

Së fundmi, një media opozitare serbe, nga të paktat në vend, “Raskrikavanje” ka botuar një analizë të gjatë ku shkruan se “Vitin e kaluar, në Serbi, më shumë se 800 mijë euro nga xhepat e qytetarëve serbë kanë shkuar për kontrata me kompanitë që botojnë gazetat “Informer”, “Srpski telegraf”, “Alo”, “Večernje novosti” dhe “Kurir”, të cilat, sipas analizave të ekspertëve, kanë publikuar mbi 1200 manipulime dhe dezinformata vetëm në faqet e para.”
Pra, janë përdorur fondet publike për t’i bërë reklamë presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij.

Ne jemi pak më keq, por nuk e di pse nuk ndihet kjo situatë, pasi “Patronazhisti” dhe “Aktivisti” edhe pse kanë dalë në dritë si shkelje të rënda, nuk ka ende asnjë masë nga organet kompetente.

“Forma mbizotëruese e manipulimit, ishin titujt e paargumentuar, për të cilët kishte pak ose aspak prova apo argumente në vetë tekstin. Veç kësaj, mbizotëronin pretendimet e njëanshme në formë komentesh, ofendimesh apo “bërtimash””, shkruajnë analistët serbë.
A nuk ndodh edhe në Shqipëri që opozita dhe aktorë afër saj të stigmatizohen nga medie të rëndësishme?
Epitetet e përdorura, me urdhër nga qeveria, ndaj opozitës në Serbi janë: “të papërgjegjshëm”, “të pafuqishëm”, “të mjerë”, “lëvizje e dëshpëruar”, “turpi i vendit”, “të kompleksuar”. Përditë, në medie të ndryshme, kudo, kishte një analizë apo kryetitull që trajtonte opozitën në këtë mënyrë.
Për ta sjellë në Shqipëri, a nuk gjen përditë nga një analizë të tillë edhe në Shqipëri për opozitën? Kalemxhinjtë e Rilindjes, me urdhër dhe direktivë nga lart, përdorin të njëjtat epitete përditë, në shkrime, kafe dhe biseda të lira.
Andaj, kudo dëgjon se opozita shqiptare është e mjerë, e kompleksuar, turpi i vendit… epitete të cilat i gjejmë drejtëpërdrejtë edhe në faqen Facebook apo Twitter të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë krizës së luftës në Ukrainë, titujt e porositur nga Presidenca ishin: “Bota përballet me uri të madhe”, por komenti më poshtë duhej të ishte “Serbia ka mjaft ushqim”.
Me kë ju ngjan kjo propagandë?
– “Po të mos ishte Edi Rama, nuk do të kishte grurë dhe miell, apo jo?

Imazhi i presidentit serb Vuçiç kurohet me tepër kujdes për mediet dhe tabloidet. Gjatë vitit të shkuar, ai është shfaqur mbi 142 herë në faqet e para, ekskluzivisht në një kontekst pozitiv, që përfshin:
– parandalimin e luftërave, qetësimin e tensioneve, “mbrojtës i Serbisë” dhe se ka “shpërbërë” kundërshtarët e interesave serbe.
A nuk ndodh e njëjta gjë me Ramën, i cili po mbron Shqipërinë nga trazirat e luftës në Ukrainë, ka qetësuar tensionet në Ballkan dhe është mbrojtës i Shqipërisë nga opozita që ai e cilëson anti-kombëtare?

Në fund të fushatës zgjedhore, Vuçiçin e pagëzuan deputetët e vet dhe mediet si “Aleksandri i Madh”. A nuk e pagëzuan edhe Ramën Skënderbe?
Pse ka kaq ngjashmëri në lidhjet e Rilindjes me qeverinë serbe, edhe në epitete ndaj liderit?

Latest articles

Related articles