Rama “blen” votën 5 mijë lekë për pensionistët, minatorët, veteranët, policët, gardistët dhe zjarrfikësit

Pensionistët që përfitojë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, punonjës që kanë punuar në miniera në nëntokë, punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, brenda muajit prill do të përfitojnë shpërblim 5 000 lekë për vitin 2023. Vendimi ka hyrë të hënën në fuqi.

Qeveria, me propozim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, vendosi shpërblimin, në masën 5 000 lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:

1. Personat që përfitojë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social;

2. Anëtarë të kooperativave bujqësore;

3. Punonjës që kanë punuar në miniera në nëntokë”;

4. Punonjës, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake;

5. Punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, shkruan rtsh.al.

Persona që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANC-it, në bazë të ligjit “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta.

Persona që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji;

Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar, si fëmijë në përkujdesje të Republikës.

Të drejtën për të përfituar shpërblimin, në masën e përcaktuar e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të përfitimit, deri në datën 31.3.2023, duke përfshirë edhe këtë datë dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht, se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 536 735 000 lekë e ndarë në 3 508 665 000 lekë, për shpërblimin dhe 28 070 000 lekë shpenzime administrative për dhënien e shpërblimit, shkruan rtsh.al. Efektet financiare përballohen nga “Fondi i kontingjencës”.

Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin prill 2023 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit prill 2023, ato të paguhen gjatë vitit. Shpërblimet e patërhequra, parashkruhen me kalimin e 36 muajve nga data e miratimit të këtij vendimi.

Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura, që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore.

Latest articles

Related articles