115 VJET pas MEShës së PARË në GJUHËN SHQIPE për ortodoksët shqiptarë nga At FAN NOLI në Boston të Shteteve të BAshkuara, një tjetër meshë në shqip do të mbahet jashtë Shqipërisë e pikërisht në Selanik të Greqisë.
Të dielën, në Kishën e shën Konstandinit dhe Shën Elenës, besimtarët ortodoksë vendosin një gur të rëndësishëm në kulturën jo vetëm të besimit të tyre, por të jetesës dhe gjithë kulturës shqiptare në fqinjin jugor të Shqipërisë.
Mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Selanik është bërë e ditur nga komuniteti shqiptar i Selanikut. Në të njëjtin njoftim informohet se ka qenë një kërkesë e këtij komuniteti që është miratuar nga Autoritetet përkatëse të Kishës ortodokse në Greqi për të mbajtur Meshën e parë hyjnore në gjuhën shqipe në Selanik të Greqisë.
32 vjet pas emigrimit masiv në Selanik pas rreth 55 vitesh izolimi të plotë të Shqipërisë, komuniteti shqiptar arrin të plotësojë kuadrin e jetesës së tij në Selanik, sipas të drejtash që legjislacioni europian i njeh.
Ish ministri i jashtëm Nikos Kocias citoi një numër prej rreth 1 milionë votues shqiptarë disa vite më parë kur diskutohej çështja e emrit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shifrat zyrtare janë nën këto kuota.
Faktorizimi i elementit shqiptar në Greqi ka ardhur në rritje referuar kontributit të tyre në jetën dhe ekonominë e vendit, në të njëjtën kohë që ka zbuluar nënshtresat e shqipes së folur në popullsinë arvanitase.