Papa Françesku e kaloi fazën më të vështirë të sëmundjes, që e detyroi të shtrohej në spitalin Gemelli të Romës e sipas parashikimeve, nesër mund të kthehet në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Është pothuajse i sigurt drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, i cili, në komunikatën e sotme për gazetarët, sqaron gjithsesi se mjekët do të presin “rezultatet e analizave të fundit, bërë sot paradite”.
“Dita e djeshme – shkruan Bruni në komunikatë – kaloi mirë, me një kuadër klinik normal. Në mbrëmje, Papa Françesku hëngri një picë, bashkë me ata, që kujdesen për të në këto ditë shtrimi në spital: me Atin e Shenjtë ishin të pranishëm mjekët, infermierët, asistentët dhe personeli i Xhandarmërisë së Vatikanit. Sot paradite, pasi hëngri mëngjesin, lexoi disa gazeta dhe rifilloi punën”.
Dalja e mundshme e Papës nga spitali u paralajmërua edhe mbrëmë, në komunikatën e dytë të Sallës së Shtypit, publikuar dje, ku njoftoheshin informacionet e dhëna nga personeli mjekësor, që kujdeset për Françeskun nga data 29 mars, kur ai u shtrua në spital. “Në kuadrin e kontrolleve klinike të programuara – sqaronin specialistët – u diagnostikua një bronkit infektiv, për të cilin ishte i nevojshëm një trajtim me antibiotikë në endovenë, që dha efektin e shpresuar, duke e përmirësuar menjëherë gjendjen shëndetësore” të Atit të Shenjtë.
Tanti për tani, programi i Papës për Javën e Madhe të Pashkëve, që fillon më 2 prill, me të Dielën e Larit, nuk ka pësuar ndryshime, por priten konfirmime ditët e ardhshme.