Një në katër të rritur dhe afro 20% e fëmijëve vuajnë nga alergjia.
Mjekët alergolog thonë se këtë fillim pranvere po përballen me fluks pacientësh në spitale.
Mehmet Hoxha, Mjek alergolog: “Një në 4 të rritur dhe 20 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve janë me alergji, dhe natyrisht që janë shifra shumë të larta. Me të drejtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur si sëmundjen e shekullit”.
Krahasuar me vitet e shkuara numri i atyre që kërkojnë ndihmën e mjekut është edhe më i lartë. Doktor Mehmet Hoxha shpjegon disa nga arsyet që kanë ndikuar në shtimin e rasteve.
Mehmet Hoxha, Mjek alergolog: “Kemi një zgjatje në kohë të sezonit polemik, dhe ai është afruar me afro 20 ditë dhe ko lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike. Me ngrohjen globale, me rritjen e dioksidit të karbonit në ajër, me rritjen e papastërtisë dhe ndotjes atmosferike në ajër. Lidhet ngushtë edhe me rritjen e numrit të polemeve si koncentrim në ajër, ndryshe nga vitet e tjera. Rrjedhimisht edhe simptomologjia është shumë e shprehur”.
Mostrajtimi i alergjisë mund të shkaktojë komplikacione, një ndër to astma, ndaj Hoxha bën thirrje që simptomat të mos nënvlerësohen.
Mehmet Hoxha, Mjek alergolog: “Është instalimi i astmës bronkale, e para. E dyta është polisensibilizimi, pra nga një alergji e vete kthehen në shumë alergji. Dhe e treta janë ndryshimet permanente që ndodhin në hundë. Dmth, një rritje e alergjive kronike që mund të çojë në obstruksion nazaldhe në prishje të dukshme të cilësisë së jetës së këtyre pacientëve”.
Vaksinim dhe diagnostikim në kohë janë këshillat e mjekut specialist.
Mehmet Hoxha, Mjek alergolog: “Trajtim adekuat, jo thjesht qetësues dhe mbi të gjitha vaksinimi. Imunoterapia është zgjidhja për këta pacientë”.