“Ekstremizmat amerikanë në politikën shqiptare si risi e dëmshme”


Nga Sebastian Zonja

Po lexoja diku se ishte hartuar një kushtetutë e vlerave të djathta. Në 2005-ën, Berisha bëri “kushtetutën e vlerave liberale” me Henri Çilin. Ishte një përkthim në realitetin shqiptar, pa shije, i disa koncepteve që kishin autorët amerikanë për liberalizmin. Nuk zuri vend. Jo vetëm që ishte thjesht kozmetika e Berishës për të ardhur në pushtet, por ishte edhe bosh. Kërciste.
Me të njëjtin mekanizëm, kozmetika, u vendos se ishte gabuar me liberalizmin, ndaj duhej vajtur kah konservatorizmit.
Pasi lexuan Scrutonin dhe e vunë përball me Raëlsin, konspektuan Zhan Zhak Rusonë përball Thomas Hobbes, dolën në përfundimin se e kishin pasur gabim me liberalizmin. Ka ardhur koha të bëhemi konservatorë. Disa duhet të bëhen konservatorë të ashpër fetarë si evengjelistët në Amerikë, ca të tjerë që të mbrojnë kapitalizmin mos ta rrëzojnë komunistët dhe ca duhet të bëhen sepse është edhe Trumpi dhe shumë VIP-a të tjerë.
Pra, sipas neokonservatorëve në Shqipëri, vlerat janë të djathta dhe të majta. Unë pyes: Pse s’ka edhe kushtetutë të vlerave të majta? Si është më mirë, me një sy të majtë, dy sy të majtë, një sy të djathtë, dy sy të djathtë, apo një sy të majtë, një të djathtë?
Po duar, për shembull. Si është më mirë: dora e nënës që përkëdhel dhe ajo e babit që ndëshkon, apo vetëm dora që përkëdhel pa atë që ndëshkon?
Një peshore për virtytet e ka sjellë Aristoteli që nga “Etika e Nikomakut” dhe që atëherë aty rotull sillemi. Por paskan gjetur një peshore të re – vlera të majta dhe vlera të djathta. Nuk mat me gram e kile kjo peshorja, mat me kahje. As Aristotelit s’do t’i kishte vajtur mendja.
Për shembull, në gjithë logjikën e filozofisë politike, të majtë a të djathtë, mëson se ka hieraki vlerash, e cila ndryshon me kalimin e kohës, përndryshe shkon në diktaturë.
Barazinë, për shembull, po t’ja përmendësh të djathtëve, të thonë se je komunist.
Konkurencën, po t’ja përmendësh të majtëve, të akuzojnë si fashist.
Por, pikërisht alternimi i konkurencës dhe barazisë jep mundësinë që shoqëria të ndërtojë një përfytyrim të ri për të ardhmen.
Sot ne po jetojmë “diktaturën e fjalës së lire”. S’ka ngelur njeri pa thënë se ka të drejtë të thotë ç’të dojë, pa mbajtur përgjegjësi për çfarë thotë dhe pasojat e asaj që thotë? Nëse liria e shprehjes vendos diktatin, ajo ka kufizuar një virtyt tjetër që është përgjegjshmëria. Ose je i lirë, ose je i papërgjëgjshëm, ose do t’i alternosh. Po mendohem se cila është e djathtë e cila është e majtë!!!
Komunizmi, po ta marrim, ka parim bazë barazinë. Në esencë, barazia është koncepti fillestar i botës. Pa të nuk ndërton dot botë. Ndërkohë, për ta arritur atë, komunizmi cënoi shumë vlera të tjera, siç ishte liria e shprehjes, e mendimit dhe Drejtësinë.
Sërish, kapitalizmi ka diktatin e lirisë së mendimit, fjalës dhe tregut të lire. Ky sistem cënon një vlerë të rëndësishme – barazinë, mundësitë e barabarta e të tjerë.
Që të zhvillohemi bashkërisht dhe të futemi në Evropë, e rëndësishme është që t’i ekuilibrojmë vlerat, jo t’i ndajmë në të majta dhe të djatha. Përndryshe, ndarja në të majta dhe të djathta është njësoj si enverizmi që ndante në të Partisë dhe reaksionarë.
Nëse duam të jemi ndopak konservatorë, së paku të tregohemi klasikë. Ruajtja e disa vlerave që ne i shohim si identitare dhe tradicionale dhe përsosja e tyre, trashëgimi i tyre te fëmijët dhe nipërit, është konservatorizëm.
Pjesa e ndarjen në të majtë dhe të djathtë për arsye ideologjike, është prurje e ndasive më të thella në këtë oaz me probleme që kemi.
Në Ballkan sot ne ndahemi për çështje nacionalizmash. Në gjendjen e sotme politike ka një zgjedhje të thjeshtë – kombtarist apo internacionalist.
E djathta konservatore mund të jetë internacionaliste, ashtu siç e majta mund të jetë konservatore dha nacionaliste.
Unë kam zgjedhur të jem kombtarist. Zgjidh edhe ti këtë! Antikomunistët u pushkatuan pikërisht se ishin kombtaristë. Të tjerët u dogjën në flakët që gatuan vetë. Kombi dhe identiteti im kombëtar qëndron shumë më lartë se ideologjia politike e radhës.

Latest articles

Related articles