A “tradhëtuan” shqiptarët në luftën italo-greke ( tetor 1940 – prill 1941)?

Dr. Hasan Bello
Në një fjalim që Mussolini mbajti më 10 qershor 1940 nga ballkoni i Pallatit Venezia deklaroi se nuk ishte në planet e tij të fuste në konflikt Zvicrën, Jugosllavinë, Turqinë dhe Greqinë. Por ky qëndrim në dukje i qetë ndryshoi në ditët e para të korrikut, kur ambasadori italian në Athinë informoi Ministrinë e Jashtme se një numër i konsiderueshëm anijesh dhe aeroplanësh britanikë ishin dislokuar në Greqi. Mussolini kërkoi takim urgjent me ambasadorin grek në Romë, të cilit i deklaroi se ky ishte një akt i pabesë dhe e kërcënoi se në qoftëse përsëritej do ta detyronte Italinë të ndërmerte veprime konkrete kundër Greqisë.
Tensionet mes dy vendeve kulmuan më 2 gusht me kërkesën që ministri i Jashtëm dhe dhëndërri i Mussolinit, Konti Çiano i parashtroi ambasadorit grek për largimin nga Italia të konsullit grek të Triestes. Në horizont dukej qartë se po kërkohej vetëm një shkak lufte.
Kjo u gjet më 9 gusht, kur Mëkëmbësi i Mbretit italian në Shqipëri, Francesko Jakomoni njoftoi Çianon se ky “fat” i takoi Daut Hoxhës, një shqiptari të Çamërisë, i cili ishte gjetur i vrarë në Konispol “përgjegjëse për të cilën ishin autoritetet greke”. Në fakt italianët kishin punuar paraprakisht për të shfrytëzuar irridentizmin shqiptar. Gjatë vizitës që Çiano kishte zhvilluar para pak kohësh në Shqipëri kishte mbajtur fjalime publike, ku turma e ekzaltuar e pjesmarrësve ishte nxitur të lëshonte britma “Rroftë Kosova”, “Rroftë Çamëria shqiptare”. Ndërsa sekretari i Fashios, Nuri Dino, pinjoll i njërës nga familjet më të njohura, ishte ngarkuar me detyrën për të përgatitur trazira në Çamëri.
Ushtarakët e specializuar të xhenios që ndodheshin në Shqipëri i shkruanin Romës se infrastuktura rrugore në jug nuk lejonte transportimin e shpejtë dhe të rimokiozuar të trupave italiane. Prandaj sulmi duhej të fillonte para shirave të vjeshtës. Një pikëpamjeje të tillë i përmbaheshin edhe këshilltarët e atashuar pranë Mëkëmbësisë. Sipas tyre, Greqia duhej të kapitullonte përpara se të merte frymë Anglia, si dhe para se Gjermania të krijonte në Ballkan, situata pak të favorshme për depërtimin italian.
Kjo bëri që më 15 tetor 1940, në orën 11:00 në zyrën e Mussolinit të organizohej një mbledhje ku merrte pjesë ministri i Jashtëm Çiano, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Mareshalli Badolio dhe zëvendësi i tij, Mëkëmbësi Francesko Jakomoni dhe komandanti i trupave italiane në Shqipëri gjenerali Visconti Prasca. Qëllimi ishte të përcaktohej në vija të përgjithshme modaliteti i sulmit kundër Greqisë.
Ky nxitim erdhi pas një takimi që Mussolini kishte pasur me Hitlerin më 4 tetor në Brenero, ku ai ishte njohur me sulmin që Gjermania do t`i bënte me 11 tetor Rumanisë. Kjo e kishte acaruar tejmase Mussolinin, i cili i kishte deklaruar Çianos se “Hitleri më vë gjithmonë përpara fakteve të kryera, por kësaj here do ta paguaj atë me të njëjtën monedhë: do ta mësoj prej gazetave se kam pushtuar Greqinë, kështu që ekuilibri do të ristabilizohet”.
Sulmi kundër Greqisë ishte planifikuar të fillonte më 28 tetor. Ndërkohë u përpilua një skenarë incidentesh, i cili do të krijonte parakushtet politike, që ambasadori italian në Athinë t`i dorëzonte kryeministrit Metaksa një ultimatum.
Mëngjesin e 28 tetorit, në përvjetorin e 18 të marshimit fashist mbi Romë, 105.000 trupa italiane u përqëndruan në kufirin grek. Bashkë me sulmin filloi një shi i rrëmbyeshëm i cili ra pandërprerë për 48 orë, duke kthyer të gjith terrenin ku zhvillohej operacioni në një det balte.
Në vijim ngjarjet treguan se italianët ishin të papërgatitur. Dështimet e tyre në kufirin shqiptar, qoftë për shkak të qëndresës greke, qoftë për shkak të mbështetjes britanike apo terrenit të vështirë bëri që fajin t`ia hidhnin dezertimit të forcave shqiptare. Sipas një ushtaraku të lartë italian, nga ana shqiptare argumentohej se lufta kundër Greqisë është një çështje vetëm e italianëve dhe, në rastin e shtrirjes së mëtejshme të kësaj lufte kundër Anglisë, Shqipëria ishte e interesuar për shmangie. Kjo, sipas tij, shpjegonte mungesën e vullnetarëve intelektualë. Asnjë nënpunës i administratës, drejtues partie, ministrie, mësues apo funksionarë shqiptarë nuk ishte mobilizuar në krah të forcave italiane. Për këtë arsye, në të gjitha qytetet shqiptare dhe në kryeqytet nga italianët u përhap fjala se shkak për mossuksesin e ushtrisë italiane ishte “tradhëtia shqiptare”. Më 10 nëntor gjatë shqyrtimit që Mussolini i bëri këtij fenomeni, deklaroi se “në momentin e sulmit jo vetëm që nuk ka patur asnjë shenjë revolte nga popullsia e Çamërisë gjatë luftës me trupat greke, por drejtpërdrejtë kanë ndeshur fenomene shumë të rënda nga ana e disa reparteve shqiptare”. Ai citonte rastin kur një karabinier shqiptar ishte kapur në befasi duke prerë linjën telefonike; raste dezertimesh apo shpërndarje traktesh kundër Italisë.
Sipas burimeve italiane nga 19.039 shqiptarë të thirrur nën armë kishin dezertuar 3114 persona. Nga luftëtarët shqiptarë kishte patur 207 të vdekur dhe 430 të plagosur. Ndërkoh që dëmet e shkaktuara në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë së Jugut ishin të pallogaritshme. Gjatë luftës italo-greke mbi to ishin zhvilluar 202 bombardime ajrore. Këtë situatë do ta shfrytëzoi kryeministri grek Metaksa, i cili, më 24 nëntor 1940 deklaroi në radio se “Populli grek donte të luftonte për t`i kthyer pavarësinë Shqipërisë”. Por në kundërshtim me këtë, ligji i luftës i miratuar në këtë periudhë do të bëhet shkak që mes dy vendeve edhe pas dekadash të ketë probleme.
Në luftën italo-greke shqiptarët u mobiluzuan me forcë. Prandaj ata mbajtën një qëndrim të rezervuar. Kjo nuk ishte një luftë e drejtë, por shprehje e politikës ekspansioniste të Mussolinit. Megjithatë kostot ekonomike dhe politike që populli shqiptar u detyrua të paguante dhe, pasojat që shqiptarët e Çamërisë përjetuan në vitin 1944 duke u dëbuar nga Greqia ishin tepër të rënda.

Latest articles

Related articles