Papa Françesku: për paqen në Evropë nevojiten profeci dhe kreativitet

Papa Françesku bashkëndan “dy “ëndrrat” e mëdha të etërve themelues të Evropës” me Komisionin e Episkopatave të Bashkimit Evropian (COMECE), i cili sapo ka zgjedhur Imzot Mariano Crociata si president të ri: atë të unitetit dhe paqes. Dhe shpjegon se si t’i kuptojmë ato sot.

Uniteti. Në këtë pikë të parë është thelbësore të saktësohet se ai evropian nuk mund të jetë një unitet uniform, homolog, por përkundrazi duhet të jetë një unitet që respekton dhe vlerëson tiparët dalluese, veçoritë e popujve dhe të kulturave që e përbëjnë.

Uniteti në diversitet dhe detyra e Kishës

Në fjalimin e tij, Papa Françesku kujton “De Gasperi e Spinelli nga Italia, Monnet e Schuman nga Franca, Adenauer nga Gjermania, Spaak nga Belgjika, Beck nga Luksemburgu”, me prejardhje nga kombe e kultura të ndryshme dhe thekson se “pasuria e Evropës qëndron në konvergjencën e burimeve të ndryshme të mendimit dhe të përvojave historike”, por paralajmëron se “Evropa ka një të ardhme vetëm nëse është vërtet një bashkim dhe jo një reduktim i vendeve me karakteristikat e tyre përkatëse”.

Sfida është pikërisht kjo: unitet në diversitet. Dhe kjo është e mundur nëse ekziston një frymëzim i fortë; përndryshe mbizotëron aparati, mbizotëron paradigma teknokratike, e cila nuk është e frytshme sepse nuk pasionon njerëzit, nuk i tërheq brezat e rinj, nuk i përfshin forcat e gjalla të shoqërisë në ndërtimin e një projekti të përbashkët.

Në këtë sfidë, detyra e Kishës, thekson Papa, është “të formojë njerëz që, duke i lexuar shenjat e kohës, dinë të interpretojnë projektin evropian në historinë e sotme”.

Nevojitet një angazhim koheziv për paqen

E duke folur për bashkëjetesën paqësore, Papa Françesku thekson nevojën për një angazhim më të madh nga ana e vendeve të ndryshme.

Paqja. Historia e sotme ka nevojë për burra dhe gra të gjallëruar e të frymëzuar nga ëndrra e një Evrope të bashkuar në shërbim të paqes.

Papa nuk mungon të kujtojë se sot “mund të flasim për një luftë të tretë botërore” dhe se lufta në Ukrainë e “ka tronditur paqen evropiane”. Ai vëren se “kombet fqinje kanë bërë të pamundurën për të pritur e strehuar refugjatët” dhe se “të gjithë popujt evropianë marrin pjesë në angazhimin e solidaritetit me popullin ukrainas”, por se krahas kësaj “përgjigje korale në nivelin e bamirësisë duhet të korrespondojë”, edhe pse nuk është lehtë, “një angazhim koheziv për paqen”. Papa Françesku e përkufizon impenjimin për paqe si një sfidë “shumë komplekse”, pasi vendet e Bashkimit Evropian janë “të përfshira në aleanca të shumta, interesa, strategji, një sërë forcash që është e vështirë të bashkohen në një projekt të vetëm”, që duhet të hedh poshtë luftën.

Lufta nuk mund dhe nuk duhet parë më si zgjidhje për konfliktet. Nëse vendet e Evropës sot nuk e bashkëndajnë këtë parim etiko-politik, atëherë do të thotë se janë larguar nga ëndrra fillestare. Nëse, nga ana tjetër, e bashkëndajnë atë, duhet të angazhohen për zbatimin e tij, me gjithë mundin dhe kompleksitetin që kërkon situata historike. Sepse lufta është një dështim i politikës dhe i njerëzimit. Këtë duhet t’ua përsërisim politikanëve.

Roli i Comece-s

Edhe Komisioni i Episkopatave të Bashkimit Evropian (COMECE), “në saje të natyrës që ka është një “urë” ndërmjet Kishave në Evropë dhe institucioneve të Bashkimit Evropian”, duke ndërtuar marrëdhënie, takime dhe dialog, punon për paqen, pohon Papa, i cili kërkon mëtej profeci, largpamësi dhe krijimtari “për ta çuar përpara kauzën e paqes”. Është fjala për një kantier ndërtimi, përfundon Papa Françesku, që ka nevojë edhe për arkitektë, për mjeshtër, e edhe për artizanë.

Latest articles

Related articles