Nuk është më çudi që Edi Rama, gjithmonë kur është në prag të një skandali, apo për të hequr vëmendjen ndaj një skandali në veprim, bën deklarata apo premtime të një natyre ekonomike. Kjo në fakt është vetë mendësia e qeverisë së tij, bashkë me Ministrat e tij që veprojnë symbyllurazi, jo me program, jo me prioritete ndaj qytetarëve apo sektorëve të ndryshëm, por duke e përdorur buxhetin e shtetit si para që dalin nga xhepi i tyre.
Ky është edhe i premtimi i rradhës.
Premtoi rritjen e pagës minimale, por Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagave mesatare bruto në të gjithë rajonin e Ballkanit. Pavarësisht se qëndrimi imi dhe Partisë Demokratike është që shqiptarët, të kenë paga dinjitoze, por fryrja e administratës aktuale me mbi 50% karahasuar me 10 vite të mëparshme, dhe nga ana tjetër premtimi për rritje 2 muaj para zgjedhjeve tregon qartësisht një përdorim thellësisht elektoral.
Premtoi rritjen e pensioneve me 5 mijë lekë, po nga prilli 2023. Ashtu dhe për mjekët.
Ky nuk është fillimi i mandatit të tij të tretë, e as nuk është një paketë mbështetëse për grupe të caktuara të popullsisë për shkak të situatës ekonomike të rënduar, mbi rritjen e cmimeve të shportës.
Jemi plot 2 muaj para zgjedhjeve dhe KM i vendit premton rritje, shpërblime nga buxheti i shtetit.
Edi Rama dhe partia e tij, po bëjnë gjithcka për ti blerë këto zgjedhje.
Edi Rama është në kundërshtim të hapur me parashikimet e Kodit Zgjedhor, i përditësuar në vitin 2020, pikërisht nga votat e partisë së tij.
Pika 4, neni 91 sanksionon: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.”
KQZ ka detyrimin sipas dispozitës së Kodit, në pikën 4, neni 92, se: “në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni, sipas pikës 3 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj”.
Ende sot nuk ka asnjë vendimarrje institucionale të KQZ për këto shkelje mjaft të rënda të vetë KM së vendit.
Ndërkohë vetë Kryekomisioneri Celibashi, me porosi politike dhe qëllime të qarta njëanshmërie po keqpërdor tagrin e tij institucional për të penguar me cdo kusht regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale.