Gjatë punës sime si farmaciste ndodhë që të vijnë prindërit me një recetë të vjetër të barnave të përshkruar për fëmijët e tyre, duke i kërkuar barnat e njejta për t’ua përdorur. Këso forme ata vlerësojnë se fëmija i tyre ka të njejtat simptoma dhe nuk e shohin të arsyeshme vizitën të mjeku, duke e cilësuar si të kushtueshme dhe të panevojshme, gjë e cila është shumë e gabuar dhe mund të bartë pasoja të rënda te fëmijët. Meqënëse shpeshherë simptomat mund të jenë të njejta, por sëmundjet mund të jenë të ndryshme dhe jo domosdo kanë nevojë për mjekim të njejtë, e para së gjithash pa një kontrollë të detajuar te mjeku dhe pa një përshkrim të ri të barnave.
Kjo ndodhë thuajse për të gjitha barnat, duke përfshirë flakonet e ndryshme që janë për format inhalatore, e deri te antibiotikët dhe barnat tjera.
Si farmacistë na takon të këshillojmë prindërit që të mos përdorin barna pa nevojë dhe pa përshkrim të mjekut, edhe përkundër këmbënguljes së tyre dhe shpeshherë arsyetimit se: Ne i kemi për fëmijët tanë, ne i bartim pasojat për ta. JO, ju nuk mund ti bartni pasojat, por ato i bartin direkt fëmijët tuaj dhe nuk është e mundur që të merrni gjithçka që ju e mendoni të mirëqenë për fëmijët, për këtë arsye jemi ne profesionistët mjekësorë që i vlerësojmë kur duhet dhe kur nuk duhet të jipet një bar.
Në përgjithësi, është shumë e rëndësishme që prindërit të jenë të kujdesshëm kur mendojnë ti japin barna fëmijës së tyre dhe asnjëherë t’mos i përdorin pa nevojë.
Disa nga rreziqet që mund të ndodhin në këtë situatë janë:
• Rreziku i diagnostikimit të gabuar:
Një recetë e përshkruar më parë mund të mos jetë më e përshtatshme për simptomat e reja që fëmijët mund të kenë. Kjo mund të çojë në diagnostikim të gabuar dhe në dëmtim të shëndetit të fëmijës.
• Rreziku i interaksioneve të barnave:
Nëse fëmija merr barna të ndryshme, ka rrezik që ato të ndikojnë negativisht në njëra-tjetrën, duke fuqizuar apo ulur veprimin e njëra- tjetrës.
• Rreziku i dozimit të gabuar:
Fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj dozimeve të gabuara të barnave, kështu që duke përdorur një dozim që nuk është i përshtatshëm për fëmijën, mund të çojë në dëmtim të rëndë të shëndetit të tyre.
Duke qenë nënë e tri vajzave dhe farmaciste me profesion, në rast se fëmijët e mi kanë një problem shëndetësor, i dërgojmë për një vizitë të afërt te pediatri i tyre dhe nuk marr përsipër ti mjekoj pa i parë profesionisti i fushës dhe pa dhënë këshillat e duhura se si të veprojmë tutje, sepse unë mund të njoh mirë barnat por është mjeku ai që vlerëson sakt anën klinike të pacientit.
Andaj, për çdo shqetësim për fëmijët tuaj, e duke ditur që ju mendoni më të mirën për ta, drejtohuni në institucionet shëndetësore publike, në të cilat ka profesionistë të përgatitur e me përvojë të gjatë, të cilët janë përherë në dispozicion.
Shkroi: Laureta Berisha Kosumi