Një kompani “greke” ka fituar sërish tenderin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për fushatën sensibilizuese. Është e njëjta që fitoi edhe në vitin 2021, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar.
Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet, duke bërë me dhjetëra tendera. Njëri prej tyre është ai i propagandës, ai sensibilizuesi, që mëson shqiptarët si të votojnë apo për mënyrat e tjera.
Sipas dokumenteve të bëra publike Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “shërbime për fushatën edukuese, informuese dhe sensibilizuese”.
Në këtë procedurë ka marrë pjesë firma “OGLIVY” me një vlerë 22.042.800 lekë pa TVSH. Ndërkohë, ka qenë edhe firma “ALB DESIGN PSP”, e cila s’ka paraqitur ofertë ekonomike.
Pra, nga dy firma, njëra nuk paraqiti ofertë, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar.
Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “OGILVY” e themeluar në vitin 2005, ka si aksioner z.Konstantinos Panagiotopoulos (49 %) dhe kompaninë “BOLD OGILVY & MATHER S.A” (51 %). Nga një vëzhgim i thjeshtë rezulton se të dy aksionarët janë me origjinë grekë/marrë me shkurtime nga Boldnews.