Papa Françesku: lufta është shkatërrim, Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë këtë!

Me rastin e përvjetorit të parë të konfliktit në Ukrainë, Françesku mori pjesë në shfaqjen, në Vatikan, të dokumentarit “Liria në flakë: Lufta e Ukrainës për liri”, përgatitur nga regjisori Afineevsky. Ulur në rreshtin e fundit, me një fëmijë pranë tij, Papa përshëndeti disa nga protagonistët e filmit, si nëna e një ushtari nga Azovstal dhe pronarja e një punishteje çeliku. Më në fund lutja drejtuar Zotit: “Shërona zemrën tonë, mendjen tonë, sytë tonë”.

R. SH. – Vatikan

“Pse nuk mund të jetojmë në paqe? Është kaq e thjeshtë…”. Pyetje tronditëse në pafajsinë e saj që, thellësisht e emocionuar, një vajzë ukrainase ia drejtonte Papës, Kishës, botës, nga dokumentari “Liria në zjarr: Lufta e Ukrainës për Liri”. Vepra, e realizuar nga regjisori Evgeny Afineevsky u shfaq në Sallën e Sinodit të Ri ditën e përvjetorit dramatik të “luftës absurde”, siç e quan Françesku.

Papa dhe Sviatoslavi i vogël

Papa, i ulur në rreshtin e fundit, mori pjesë në transmetim. E, në  përfundim të shfaqjes, u takua me disa nga protagonistët e filmit. Ndërmjet tyre, Anya Zaitseva, gruaja e një ushtari të rënë në dorë të armikut, ulur në të djathtë të Papës, me Sviatoslavin e vogël, një vjeç e katër muajsh në krahë. Fëmija u kënaq pa masë duke luajtur me bastunin e Papës, që ndiqte filmin dokumentar.

Pershendetje të pranishmëve

Françesku përshëndeti edhe disa prej rreth 240 të ftuarve: nevojtarë, refugjatë dhe anëtarë të bashkësisë ukrainase në Romë, të ftuar nga regjisori. Shoqëroheshin – sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Vatikanit – nga përfaqësues të shoqatave ndihmëse dhe nga lëmoshtari papnor, kardinali  Konrad Krajewski.

Frika e një populli

Në përfundim të dokumentarit Papa u dha të gjithëve bekimin e tij dhe u kërkoi të luten së bashku. “Le të lutemi!” – tha në anglisht – i prekur dukshëm nga ky film kaq realist, që të trondiste me pamjet e tmerrshme,  marrë drejtpërdrejtë nga realiteti  a më mirë të themi, nga tmerri i realitetit! Duke  e marrë nga jeta, për ta fiksuar në ekran, frikën e një popullsie të tërë, zëdhënësja e së cilës ishte një artiste teatri që, nga ekrani i drejtoi mbarë njerëzimit thirrjen për t’i dhënë sa më shpejt fund luftës, sepse “Kështu të gjithë do të shkatërrojmë vetveten”.

“Fryma e luftës është të shkatërrosh”

Në lutjen e njëzëshme, së bashku me të pranishmit, edhe Papa Françesku foli për shkatërrimin, duke i kërkuar Zotit ta shërojë njerëzimin nga lumejtë e urrejtjes, që ushqen luftën:

“Kur Zoti e krijoi njeriun, i tha ta merrte tokën, ta punonte, ta bënte të bukur. Po fryma e luftës kërkon të kundërtën. Britma e saj është: ‘shkatërroni, shkatërroni’… Mos e lini të lulëzojë! Shkatërroni gjithçka e të gjithë: burra, gra, fëmijë, të moshuar, të gjithë”.

Këto, fjalët rrënqethëse të Papës, që shtoi edhe:

“Sot, kur mbushet viti i kësaj lufte, të mendojmë për Ukrainën, të lutemi për ukrainasit, ta ndjejmë në zemrat tona, dhimbjen e zemrës së saj. Të mos kemi turp të vuajmë dhe të qajmë, sepse lufta është shkatërrim. Zoti na bëftë ta kuptojmë këtë”.

Lutja e Françeskut, Zotit: “Mbille farën e paqes në ne”

Prej këndej, lutja tronditëse drejtuar “Atit tonë që është në qiell”:

“Shikoje mjerimin tonë, plagët tona, dhimbjen tonë, shiko edhe egoizmin tonë, interesat tona të ulëta dhe aftësinë që kemi për të shkatërruar! Shërona! Shërona zemrën tonë, shërona mendjen tonë, shërona sytë tanë, për të parë bukurinë që krijuam dhe për të mos e shkatërruar me egoizëm. Mbille farën e paqes në shpirtin tonë”.

Takimi me nënën e një ushtari

Para se të kthehej në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku takoi një grua, nënë e njërit prej ushtarëve të mbyllur në fabrikën e çelikut Azovstal, në Mariupol, kapur nga ushtarët rusë dhe aktualisht ende i burgosur. Me ndihmën e një meshtari përkthyes, gruaja i tregoi Papës se i biri muajt e fundit ka humbur 40 kilogram peshë. Papa, tejet i prekur, shprehu dëshirën që ai dhe ushtarët e tjerë, luftëtarë “në mbrojtje të lirisë” të lirohen së shpejti. Gruaja, me lot në sy, i dha Papës tri dhurata: një lule, simbol – shpjegoi – i rezistencës deri në arritjen e lirisë; flamurin verdh e blu të Ukrainës, të cilin Françesku e puthi dhe e bekoi; një qese me kripë, dhuratë tipike ukrainase. “Është kripa e tokës”, tha,  e simbol i “forcës”: gjithçka që duhet për këtë “betejë tepër të fortë, tmerrësisht tragjike”.

Ndal, Luftës III Botërore!

Më pas ndërhyri Natalia Nagornaya, korrespondente e Shërbimit Televiziv të Lajmeve (TSN): “Angazhimi i të gjithëve gjatë luftës është të bëjmë mirë”, kujtoi. “Unë e kuptoj se nuk është e lehtë të  lëvizësh në këto kushte”, por nëse Papa shtegton ndonjëherë në këtë tokë të torturuar, “jam gati të bëhem udhërrëfyesi juaj në të gjitha qytetet e shkatërruara, të rrënuara, të mbijetuara”. Të gjithë i lutemi Zotit t’i japë fund kësaj lufte”, shtoi gazetarja – e në vijim i kërkoi Papës mbështetjen për lirimin e të burgosurve”. Shpresojmë “arritjen e një paqeje të vërtetë, sepse ata erdhën të shkatërrojnë trojet tona”; e dimë se “lufta nuk mund të ndalet, por shpresojmë se Lufta III Botërore mund e duhet të ndalet”.

Papa përshëndeti edhe pronaren e Azovstal. E mori edhe nga ajo një dhuratë simbolike: një byzylyk të punuar me metal nga fabrika e çelikut. Françesku e vuri menjëherë në kyçin e dorës, pastaj, si gjithmonë, kërkoi lutje për vete, duke siguruar të tijat për këtë popull martir!

Latest articles

Related articles