Nga Denis Dyrnjaja
Po jetojmë epokën e tërmeteve e tmerreve e dëmeve shkatërrimtare që vijnë prej tyre. Banesa të shembura e jetë të humbura shtyjnë çdo kënd të lutet që mos të na vërë përballë kësaj sfide pasojat dhe përmasat e së cilës janë të pallogaritshme. Ka një rast të vetëm që të bën të lutesh për një tërmet, madje shumë të fuqishëm. Një tërmet që të trondisë politikën shqiptare.
Vendi rreket për më shumë se 30 vjet në një agoni të tejzgjatur social/ekonomiko/politike, si pasojë e mendësisë autokratike, egoiste e plot makutëri që dominon mendjet e njerëzve të cilët përmes manipulimeve, intrigave dhe spekulimeve kanë marrë kontrollin e partive politike që i përdorin për të ardhur e shfrytëzuar pushtetin për axhenda krejtësisht personale e klanore. Kjo ka bërë që të kemi parti të ngjashme me pak dallime në mendësi e funksionalitet e kryetarë që ndryshojnë nga karakteristikat personale por me një cilësi të përbashkët substanciale. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë janë autokratë.
Ata i kanë shndërruar partitë në garnizonë politikë, ku nuk ka mendim të lirë dhe mendimi ndryshe murmuritet. Për rrjedhojë në këto të ashtëquajtura parti, nuk ka as zgjedhje e demokraci. Ndryshojnë format e autokracisë se njërit apo tjetrit lider, por jo përmbajtja dhe rezultati që është mbajtja me çdo kusht e postit. Rreshterët partiakë nga viti në vit po bëhen edhe më fanatikë, të bindur e të përulur. Kjo përulje vjen kryesisht se shumica e njerëzve vijojnë të mendojnë se duhet të punësohen në shtet dhe e shohin këtë mundësi përmes penetrimit në politikë.
Shumë prej tyre gëzojnë një kualifikim fals me nota e diploma të pamerituara në shkolla ose të paaftë për standardet e tregut dhe konkurrencës, ndaj ata janë kontingjenti më i mundshëm për t’u shndërruar në shërbëtorë partiakë. Partia të siguron të drejtën e shkollimit e më pas të punësimit me kusht që të shërbesh për të minimalisht familjarisht dhe mundësisht edhe farefisnisht. Kështu janë krijuar gazermat e mëdha të partive politike me njerëz vegjetativë që të presin pushtetin.
Sa më shumë ardhja e ditës në pushtet aq më shumë rritet frustrimi i kësaj kategorie. Të tjerë kanë zgjedhur të jenë oportunistë dhe konformues për shkak se lidhjet me pushtetin u kanë sjellë përfitime e të tjerë janë indiferentë pasi shohin se fuqia e tyre për ndikim është thuajse zero. Në këto kushte kur shoqëria është në një amulli totale interesash dhe zhvillimi është inerci, jo qëllim e projekt nga një politikë pa vizion dhe strategji, vendit i nevojitet një tërmet, një tronditje e fortë tektonike sociale. Ashtu sikurse ndodh nëntokë ku akumulimi i heshtur i energjisë në shumë vjeçare shkakton tërmete, ashtu duhet të ndodhë edhe në realitetin politik të vendit.
Një energji negative që ka prekur tashmë neverinë masive ndaj kësaj klase politike 30 vjeçare, ka arritur kulmin e neverisë e cila në një mënyrë a në një tjetër do ta shpalosë këtë energji negative në formën e një tërmeti që do ta shpërbëjë këtë establishment politik arkaik e do t’i hapë rrugën një brezi të ri që do të provojë veten nëse është i aftë të prodhojë demokraci, ligj dhe shtet jo formal, por real. Vështirë të parashikohet me saktësi se kur kjo do të ndodhë, por e sigurt është se kushtet janë pjekur e nevoja për këtë tërmet social/politik ka ardhur.
Mbetet për t’u parë sesa e fortë do të jetë kjo tronditje tektonike poktike dhe sesi do të kormpozohet skena e re politike pasi kjo të ndodhë. Tani të gjithë e dinë se kjo duhet të ndodhë. Madje edhe ata që janë përfituesit e këtij degjenerimi sistemik. Thjeshtë këta të fundit mundohen të shtyjnë sa më shumë në kohë këtë tërmet që do t’i shpërbënte edhe pse në fakt me manovrat, sjelljen e qasjen e tyre politike vetëm sa e përshpejtojnë këtë proces.