Nga “Njeriu i Shesheve” tek “Njeriu i Bunkerit” – ANALIZA e degradimit të Berishës

Protesta e dështuar e Sali Berishës dje, tregoi se ai nuk është më sundimtari i shumicës së demokratëve. Për fatin e keq të shqiptarëve tregoi se Rama është i pashqetësuar nga kjo opozitë dhe formë opozitarizmi. Por, për fatin e mirë të demokratëve ende ka një rrugë për të ndërtuar një opozitë të mirë dhe reale.

1. Boll i gënjyet demokratët

Partia Demokratike ka pasur një tendencë për të përdorur protestat si një mjet politik që të galvanizojë bazën e saj elektorale dhe të amplifikojë frymën antiqeveritare. Aq e thellë ka qenë logjika e protestës brenda arsyetimit politik të demokratëve saqë pakkush mendonte se ndonjëherë protesta ishte një formë dhe një metodë për të arritur ujdi të tjera politike.

Megjithëse Basha ishte një figurë e re politike, ku shimica e demokratëve prisnin një farë ndryshimi për mirë të rrugës se si bëhet politikë, ai shumë shpejt ra në të njëjtën paradigmë. Koha tregoi që kjo paradigmë është e vjetëruar dhe komplet e papërshtatshme në raport me kundërshtarin politik që po adaptohej karshi sfidave të reja. Shenjat e ndryshimeve ishin të dukshme.

Për fatin e keq, shumë demokratë niseshin nga premisa se Edi Rama erdhi në pushtet sepse arriti të prodhojë 21 janarin 2011. Në fakt ata nuk e kuptonin se 21 janari ishte më shumë një produkt i vrasjeve dhe teorisë së sulmit ndaj institucioneve të pavarura. Duke pasur këtë ide të gabuar në mendjen e tyre, ata mendonin që dhuna ekstreme për kauza të drejta, do të shoqërohej me një revoltë qytetarë kunër Ramës të ngjashme me atë që i ndodhi Berishës. Mirëpo megjithë vjedhjet galopante dhe korrupsionin, Rama nuk çedoi aty ku Berisha sot e kësaj dite krenohet; vrasjen e protestuesve.

Në vitin 2017, e karikuar me paradigmën e protestave, PD vendosi të zhvillonte një protestë të madhe që përfundoi në një çadër që synimin sipërfaqësor e kishte heqjen e Ramës si kryeministër dhe qeveri teknike. Ndërkohë që synimin real kishte prishjen e Reformës në Drejtësi. Protesta dështoi! Jo aq sepse njerëzit kuptuan mesazhin real, por sepse drejtuesi i saj (pra, Basha) shihej më shumë si njeriu që fshihte Berishën.

Në vitin 2019, PD ndërmorri disa nisma të forta kundër qeverisë. Dolën përgjimet e prokurorisë së Krimeve të Rënda në gazetën BILD, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Saimir Tahiri, Xhemal Qefalia ishin disa nga njerëzit e përfshirë në skandalin e blerjes së votave në Dibër. Ndërkohë një tjetër dosje penale për blerjen e votave doli nga përgjimet e Durrësit ku përfshiheshin Dako dhe një bandë kriminale me qendër në Shijak.

Opozita, që atëherë kishte djegur mandatet si shenjë proteste kundër një qeverie që po shkatërronte institucionet kishte një mbështetje më të madhe në publik. Vetë akti i djegies së mandateve qe i fortë dhe tërhoqi vëmendjen, mirëpo rrugëtimi për të shembur sistemin rezultoi jo aq i mirëmenduar. Demokracitë institucionale në perëndim janë të tilla që nuk tolerojnë dhe nuk pranojnë revolucionin si koncept pasi në vitet 1920 Europa mbarë u përfshi nga revolucionet që prodhuan fashizmin, nazizmin dhe komunizmin si forma regjimi.

Ishte një mrekulli se si në këto kushte, Partia Demokratike mundi të marrë mbi 600 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2021. Megjithë manipulimet, skandalin e patronazhistëve dhe problemet e Ramës me kriminelët (që kulmuan me vrasjen në Elbasan), sërishmi PD kishte problemet e saj që ishin të lidhura me filozofinë e politikës dhe paradigmat e politikës që ajo kishte ndërtuar.

Gënjeshtrat që vetë kjo forcë politike kishte prodhuar në fakt mbulonin halliin e vërtetë të Sali Berishës dhe tarafit të tij politik. Kur SHBA e shpalli nongrata atë dhe familjen e tij, Berisha tentoi që të fshihej pas Partisë Demokratike duke përdorur ndaj drejtuesit të saj Bashës (që e kishte zgjedhur vetë) shantazhin e dyfishtë. Nga një anë e kërcënonte me heqjen e tij nëse merrte vendim siç ia kërkonte SHBA dhe nga ana tjetër kërcënonte amerikanët me lëvizje destabilizuese.

Bindja e Berishës ka qenë se ai mund të thërriste nën hyqëm turma të mëdha proteste për të mbajtur nën presion SHBA dhe SPAK. Ai ka pasur të njëjtën bindje, shoqëruar me ushqimin e mitit të “Njeriut të Shesheve”, se do të mund të shkundte vendin me protesta. Prandaj dhe shumë opinionistë i kërkuan atij rikthimin që ai e tentoi me lëvizjen e Foltores.

Në skemën e vogël të Partisë Demokratike, Sali Berisha rezultoi decisiv pasi përballë kishte njeriun që e kishte krijuar vetë. Ai përdori skemat leniniste përzier me masën e protestave të mëdha politike. Mblodhi në stadium me mijëra demokratë duke i gënjyer, ndërsa sulmonte sa elitën e PD aq edhe SHBA. Pastaj po me skema populiste “shkarkoi” gjithë Partinë Demokratike dhe sajoi një tjetër “parti” që e komandonte një bashkësi, që në fakt qe vetëm ai.

Një vit pas gjithë kësaj skene, Sali Berisha nuk mblodhi dot as 10 mijë persona në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dështoi turpshëm me revolucionin e tij dhe demokratët e bojkotuan pasi janë të bindur se nuk është revolucioni rruga e duhur por politika.

2. PD duhet të ndryshojë kurs

Nevoja e thërritur nga deputetët e PD në shtatorin 2022 e shtynë këtë të fundit që të kërkonte një rrugë të tretë për të dalë nga skema leniniste që kishte iniciuar Sali Berisha. Deputetët e PD propozuan 3 komisione hetimore, duke ndryshuar kurs dhe duke kërkuar një jetë institucionale dhe një politikë perëndimore përballë një rregjimi që kishte fituar edhe prej gabimeve të PD.

Rezultati i kësaj politike ishte shumë pozitiv. Partia Demokratike mundi të provonte me komisione hetimore një eficencë të mrekullueshme ndërsa argumentoi përpara shqiptarëve se si afera e inceneratorëve kishte marrë 430 mln euro për t’ia çuar njerëzve të qeverisë.

Aq eficente ishte kjo si lëvizje saqë vetë Berisha i kapur gafil u përpoq ta sulmonte dhe kur nuk ia arriti dot të ngjiste mashtrimin e tij, nisi të kërcënonte anëtarët e komisionit. Synimi i Berishës ishte që t’ia vidhte provat dhe argumentet Komisionit Hetimor për t’ia dhënë më pas Partisë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Në fund të Komisionit Hetimor, shqiptarët u ngritën në një protestë të madhe kundër çmimit dhe korrupsionit (u ngritën si shqoëri civile). Ndërkohë që në fund të serialit të nisur nga Monika Kryemadhi, ndjekësit e verbër të Sali Berishës mbushën mitingun e Ilir Metës tek inceneratori. Tre javë përpara protestës së dështuar të 11 shkurtit, Monika Kryemadhi paraqiti një tjetër serial, rezultati qe më i trishtë.

Arsyeja përse shqiptarët iu përgjigjën aksionit të parë dhe jo aksionit të Berishës dhe Metës lidhet me faktin e asaj që quhet politike dhe asaj që quhet jo-politike. Demokracitë ofrojnë mundësi dhe opsione që njerëzit të mësojnë në mënyrë të strukturuar çfarë ndodh dhe si ndodh një veprim. Kështu përmes jetës parlamentare në 2022, Partia Demokratike mundi të kapë elementë që e vunë në vështirsi Edi Ramën. Këtu nuk është vetëm fjala për inceneratorët por edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, debatin për portin e jahteve, debatin për amnistinë fiskale.

Arsyeja se përse këto tema ngjitën ishte sepse Sali Berisha iu bashkua nismave të Partisë Demokratike. Ditën që ai e kuptoi se këto nisma do t’i shkatërronin Foltoren sepse e institucionalizonin debatin dhe i jepnin avantazhe më të mëdha PD-së pro amerikane, ai vendosi të zaptojë Foltoren dhe më pas urdhëronte Baçin, Tritan Shehun dhe Ina Zhupën të sulmonin deputetët e PD.

Berisha e di që jeta parlamentare dhe institucionale jo vetëm defaktorizon deputetët e tij në Foltore por njëkohësisht dhe fut në kafaz “luanin” që duhet të mbrojë familjen e tij nga SPAK. Kështu sajoi tre protesta madhështore si për të trembur deputetët, për të trembur SPAK dhe në fund ndërkombëtarët.

3. Rama me vazon

Ditën e djeshme, Edi Rama kishte nisur punën për të ngjitur disa pjesë të një vazoje. Mesazhi që ai dha ishte ironik; së pari i drejtoi mesazh Berishës se ai nuk e vret mendjen për të ngaqë e di që është i dështuar. Së dyti, ai dha mesazhin që ndonëse Ramës i kishte plasur skandalin McGonigal (pra thyerje) ai gjeti një mënyrë se si të shfryjë gjithë këtë skandal duke ia hedhur topin për të shënuar një kosh Berishës. I bindur që ky i fundit nuk do të shënojë pikë.

Për sa kohë opozita do të vazhdojë politikën qesharake të protestave dhe të ndjekjes së Berishës nuk do të mund të prodhojë rrezik potencial për Edi Ramën. Ky do të përpiqet të rregullojë jetën e tij pas skandaleve ndërkohë që nuk do të ketë kurrë presionin nga një opozitë që ka mbetur ende tek logjika e protestës.

Mirëpo që opozita të zhbëjë këtë logjikë politike i duhet të distancohet nga Sali Berisha. Ndjekësit e Berishës në parlament, pra ata që ai i ka vendosur disa tituj koti, do duhet që të distancohen. Por, asnjë prej tyre nuk ka guximin të distancohet pasi secili nga ata pret që të trashëgojë ato 9 mijë njerëz në shesh. Kjo është një tjetër tragjedi nga e cila opozita gjithashtu duhet të distancohet.

Rrugëtimi që Partia Demokratike nisi në 2021 dhe më tej 2022 është i vështirë por që prodhon fryte të qëndrueshme. Kjo forcë politike duhet të modernizohet dhe të përdorë mjetet politike për të arritur qëllimet politike. Rruga për të përthithur qytetarët gri dhe mbi të gjitha demokratët që kanë bojkotuar Berishën dhe lëvizjet e tij qoftë kur ishte Basha në krye të PD, kalon nga përdorimi i politikës si mjet dhe jo formave guerrilase.

Latest articles

Related articles