Treshja Rama-Berisha-Meta luftojnë të mbajnë në këmbë njëri-tjetrin


Nga Namir Lapardhaja

Për 45 vjet në Shqipëri, përveçse tek dhuna dhe terrori, diktatura u mbështet tek shtypi, librat e shkrimtarëve mediokërr dhe tek Kinostudio “Shqipëria e Re”.
E gjithë kjo makineri gjigante kishte vetëm një qëllim: nga njëra anë të frikësonte, nëpërmjet dhunës, ndërsa, nga ana tjetër, të manipulonte nëpërmjet propagandës.
Në të gjitha mjetet e deziformimit mbizotëronte metoda e soc-realizmit. Bota është bardhë e zi. Nga një anë të mirët, nga ana tjetër të këqijt. Lindja komuniste e mirë, Perëndimi imperialist i keq. Të gjithë ia kishin me të hedhur marksizmit dhe komunizmit, vetëm ne qëndronin stoik si shkëmb graniti kundër të gjithëve.
Edhe pse për dekada me radhë këtij populli iu bë shplarje truri, iu injektuan llojlloj parazitësh në kokë, regjimi nuk ia doli për një gjë: nuk ia mbushi dot mendjen, edhe pse e mbajti të nënshtruar, nuk e bëri dot të besonte marrëzitë e tij, edhe pse e shtypi pa asnjë lloj disidence dhe reagimi për gati gjysmë shekulli.
Kur erdhi momenti, njerëzit u dyndën për të ikur nga gjithë ajo marrëzi kolektive.
Të njëjtën vijë propagandistike vijon sot edhe Trekëndëshi i Bermudës, nëpërmjet paktit okult për të mbrojtur njëri-tjetrin me të gjitha mënyrat, sepse rënia e njërit hap “kutinë e Pandorës” dhe realizon efektin domino, duke i marrë me vete gjithë të tjerët. Dhuna dhe terrori sot janë zëvendësur nga korrupsioni dhe blerja e zërave kritik, duke i vendosur shumicën e tyre në rresht për t’iu përshtatur lojës së vogël, por duke fituar lekë të madh. Metodat e “Tre Tenorëve” të hajdutërisë dhe të korrupsionit janë shumë më të avancuara se sa ato të regjimit të kaluar. Mjetet më moderne. Miliona euro janë hedhur dhe vijojnë të hidhen nga lekët e vjedhura të popullit ndër vite. Qëllimi: ruajtja e status quo-s. Madje, sot Perëndimit i kemi përvetësuar edhe metodologjinë e manipulimit, që në shumicën e saj është krejt e pakuptuar për njerëzit e thjeshtë, të palëçitur dhe të padijshëm nga teoritë e komunikimit masiv, njëkohësisht edhe të manipulimit masiv. Shumica e tyre ushqehen përditë me ato që thuhen në televizor, apo ato që shkruhen në gazeta apo portale, pa e pasur mundësinë e shikimit dhe leximit me sy kritik të gjithçkaje.
Treshja Rama-Berisha-Meta kanë vetëm një shans: të luftojnë sa më shumë për të mbajtur njëri-tjetrin në lojë. Sa më gjatë. Sa më larg. Sa më fortë. Nuk do jetë e largët dita kur kori i sovranistëve do të jetë në të njëjtën gjatësi vale, pa më të voglin hezitim. Jo se sot nuk janë, por do ta bëjnë në mënyrë më të qartë dhe më të hapur. Sepse i bashkon i njëjti hall. Halli i rënies së gongut të pandëshkueshmërisë në katet e larta të politikës.
Ata sot qëndrojnë në lojë vetëm nëpërmjet propagandës, e cila gjenerohet nga lekët e vjedhura të korrupsionit. Ata sot janë të fortë vetëm si pasojë e njëri-tjetrit. Nesër, kur një prej tyre të bjerë, dy të tjerët njëkohësisht do të jenë të marrë fund.
Trekëndëshit nuk i ka mbaruar thjesht Koha. Jo, më shumë se kaq.
Ramës, Berishës dhe Metës u ka mbaruar Rruga.

Latest articles

Related articles