Papa Françesku në Afrikë, Parolin: udhëtim për promovimin e pajtimit

Udhëtimi i Papës në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut pritet të kontribuojë për fundin e dhunës. Këtë thekson kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për mediat e Vatikanit. Sipas Sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë, vizita “mund të shënojë pikën e kthesës në ngjarjet, shpesh tragjike, të këtyre vendeve”
R.SH. – Vatikan

Afrika pret Papën, që nuk ka reshtur kurrë së dëshiruari dhe së përgatituri këtë takim në trojet e vuajtura të Republikës Demokratike të Kongos dhe të Sudanit të Jugut, martirizuar nga konfliktet dhe shfrytëzimi. Nga 31 janari deri më 5 shkurt, Françesku, në udhëtimin e tij të 40-të ndërkombëtar, do të çojë në këto vende Fjalën e Zotit, shpresën e paqes dhe të dialogut.

Qëndrimi në Sudanin e Jugut do të ketë natyrë ekumenike, pasi bashkë me Pasardhësin e Pjetrit do të jenë në vend edhe kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatori metodist i Kishës së Skocisë, Ian Greenshields. Do të jetë “ekumenizëm i dëshmisë”, nënvizon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Radio Vatikanin / Vatican News, duke sqaruar se kjo vizitë dëshiron të shprehë afërsinë e Papës me Kishat dhe me bashkësitë lokale, tejet “të gjalla dhe aktive”, por edhe të kontribuojë në arritjen e pajtimit “shoqëroro-politik” në dy realitete, që, për arsye të ndryshme, përjetojnë dramën e miliona refugjatëve, luftën guerilase, tensionet etnike dhe politike.

Hirësia juaj, Papa po përgatitet të niset për në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut. Një vizitë e dëshiruar jashtë mase, e shtyrë që nga korriku i vitit të kaluar, për shkak të dhimbjes së gjurit. Ç’ ka në zemër Françesku?

Si në çdo udhëtim apostolik, Ati i Shenjtë dëshiron mbi të gjitha të bëhet i afërt, të takojë Kishën dhe popullsinë vendase. Në këtë vizitë, kjo dëshirë është veçanërisht e fuqishme, sepse udhëtimi pritej prej kohësh e Papës iu desh ta shtynte, për shkak të problemit të gjurit e, edhe sepse kemi të bëjmë me dy vende në një situatë veçanërisht të vështirë, për shkak të konflikteve të vazhdueshme. Prandaj, Papa shkon atje si bari për të takuar popullin e Zotit dhe njëkohësisht, edhe si shtegtar i paqes e i pajtimit.

Dy vende me pasuri të jashtëzakonshme, por të shtypura nga konfliktet dhe dhuna, që nuk ndalen: cili është kuptimi i këtij udhëtimi?

Do të thosha se ka dy aspekte: ka një aspekt baritor, që është afërsia me Kishat lokale dhe me këto komunitete, të cilat janë bashkësi të gjalla, aktive, pastaj, është edhe aspekti shoqëroro-politik. Nga ky këndvështrim, pritet që prania e Atit të Shenjtë, fjalët e dëshmia e tij të ndihmojnë për ndërprerjen e dhunës së vazhdueshme dhe për të forcuar proceset e paqes e të pajtimit.

Etapa e parë do të jetë Republika Demokratike e Kongos ku do të mbahet edhe takimi me viktimat e Lindjes së vendit. A mund të ndihmojë kjo vizitë në shërimin e plagëve në zemrat e njerëzve?

Shpresojmë që po, sepse janë vërtet plagë shumë të thella. Situata vazhdon të jetë kështu prej kohësh: dhunë, konfrontim dhe konflikt. Prandaj, fakti që Papa do të takohet me viktimat e kësaj gjendjeje është shumë domethënës e sigurisht do t’i ngushëllojë ata. Besoj se aspekti i parë dhe përmasa e parë e këtij takimi është pikërisht ajo e ngushëllimit të këtyre popullsive, të cilat kanë vuajtur, kanë pasur të vdekur, refugjatë… Pastaj, aspekti tjetër është gjithnjë ai i inkurajimit që të mos e humbin besimin e shpresën, të mos e lëshojnë veten në dorën e hakmarrjes, të mos i shtojnë përçarjet ekzistuese, të kenë si objektiv paqen. Prandaj, bashkimi dhe vëllazërimi janë qëllimi, për të cilin Papa takohet me këto viktima.

Nga Kongo, Ati i Shenjtë do të shkojë në Sudanin e Jugut. Kujtojmë se në vitin 2019, ai u puthi këmbët liderëve të vendit, duke iu lutur për paqen. Çfarë roli mund të luajë feja në stabilizimin e vendit?

Kishat e krishtera – siç kam mundur të shoh edhe unë vetë – punojnë në shërbim të gjithë popullsisë, aty ku shpesh, as shteti dhe nganjëherë, as agjencitë ndërkombëtare nuk arrijnë. Prandaj, ato gëzojnë besimin e popullsisë dhe kanë autoritet, gjë që u jep mundësinë të luajnë një rol të rëndësishëm në dialogun e ndërlikuar ndërkombëtar. Kur isha në Sudanin e Jugut, vetë presidenti më kujtoi gjestin e Papës, që e preku dhe e mallëngjeu thellësisht: mund të themi se ishte gjest profetik. E, edhe gjest, që impenjon: besoj se me të vërtetë i impenjon autoritetet të ndërmarrin hapa konkrete në rrugën drejt paqes. Shpresojmë që ky udhëtim të jetë vazhdimësi e atij çasti të veçantë dhe të nxisë marrjen e vendimeve konkrete e praktike që procesi i paqes ta arrijë objektivin e tij.

Papa do ta vizitojë Sudanin e Jugut së bashku me kryeipeshkvin anglikan të Canterbury-t dhe me moderatorin metodist të Kishës së Skocisë. Pra, do të jetë edhe udhëtim me vlerë të madhe ekumenike…

Po. Kjo prani e tre krerëve fetarë – Papa, kryeipeshkvi i Canterbury-t dhe moderatori i Kishës së Skocisë – është shprehje kuptimplote e ekumenizmit, madje, e një ekumenizmi dëshmie, do ta quaja. Ndërkohë, vetë fakti që të tre shkojnë së bashku, tregon se është e mundur të gjenden mënyra bashkimi edhe përtej dallimeve, ose përmes dallimeve. Pastaj, kemi një angazhim të përbashkët nga ana e grupeve fetare të pranishme në vend për të qenë dëshmitarë të Ungjillit, për të qenë nxitës të paqes. Prandaj, prania dhe udhëtimi do të jenë shumë domethënës, pikërisht sepse do të karakterizohet nga tre zëra.

Si pritet Papa në këto vende afrikane? Ju vetë, siç na kujtuat, i keni vizituar kohët e fundit, duke vërejtur se në to bashkohen shpresa dhe varfëria, drama dhe ardhmëria. Si mund të ndryshohet ky skenar?

Është ndryshim i ngadaltë, që kërkon përkushtim dhe impenjim të përbashkët. Çdo vend duhet të përpiqet për të hartuar politika, që bazohen vërtet në drejtësi dhe paqe. Më pas, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbështesë liderët politikë të secilit prej tyre: t’i mbështesë në këtë situatë delikate, duke i shoqëruar vendet drejt zhvillimit të plotë shoqëror, ekonomik dhe institucional. Në këtë kuadër hyn edhe roli i Kishave, të cilin e përmenda më parë, veçanërisht në fushën e bamirësisë, të arsimit dhe të shëndetësisë.

Cili është urimi juaj personal për këta popuj, që i keni takuar e vizituar dhe, në përgjithësi, për Afrikën?

Jam shumë i lumtur që mund ta shoqëroj Papën në këtë vizitë, pikërisht sepse në muajin korrik bëra të njëjtin udhëtim për t’u thënë njerëzve të mos shkurajohen, se Papa do të vinte, megjithëse, në atë rast, iu desh ta pezullojë udhëtimin. Njerëzit e kuptuan këtë mesazh e tani, janë plot me gëzim, gati për ta mirëpritur Papën dhe për të ndenjur me të. Urimi im është që ky takim me Papën dhe më pas, në Sudanin e Jugut, edhe me liderët e tjerë fetarë, të shënojë pikën e kthesës në ngjarjet shpesh tragjike të këtyre vendeve dhe të mbështesë vullnetin e mirë të të gjithëve: vërtet besoj se është i nevojshëm një impenjim i ri nga të gjithë. Nëse do të ekzistojë ky përkushtim, vendet mund të dalin nga gjendja e konfliktit aktual, mund të sigurojnë zhvillimin e barabartë të gjithë popullsisë dhe të ecin drejt një ardhmërie më të mirë.

Latest articles

Related articles