“100% në mbështetje të SPAK”, Basha: Me votën për nr. 4, lekët kthehen tek qytetarët, jo tek shokët te 7×7=313

spot_img

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatët Taulanda Jupi, Eduard Kelmendi, Neli Demi, Diana Tona dhe Irsida Shehi, zhvilloi një sërë takimesh me qytetarë, sipërmarës dhe familjarë në Njësinë 10 dhe zonën e Laprakës në Tiranë.

Fokusi i bisedave ishte lufta kundër korrupsionit dhe rikthimi i ekonomisë në shërbim të qytetarëve. “Jemi 100% me SPAK-un dhe 100% kundër korrupsionit. Me votën për numrin 4, do të sigurohemi që lekët mos të shkojnë më tek shokët e Ramës te 7×7=313, por të kthehen aty ku duhet: tek qytetarët dhe biznesi i ndershëm shqiptar”, u shpreh Basha.

Ai theksoi se një nga arsyet pse korrupsioni ka mbizotërimin absolut mbi ekonominë, është sepse politikat e 12 viteve të fundit kanë favorizuar klientelizmin dhe koncesionet, duke lënë në harresë sipërmarjen e ndershme. Rreth 70% e bizneseve shqiptare, sipas studimeve të fundit, kanë raportuar se u është kërkuar rryshfet.

Në këtë kontekst, Basha prezantoi një pjesë thelbësore të programit të Koalicionit Euroatlantik për zhvillimin ekonomik, ku theksi është te liria e tregut, mbështetja për sipërmarjen dhe taksat e ulëta.
Masat kryesore që synojnë të rindërtojnë besimin dhe të fuqizojnë shtresën e mesme përmes ekonomisë në shërbim të qytetarëve janë:

• Vendosja e taksës së sheshtë 9% për tatimin mbi fitimin dhe mbi të ardhurat personale;
• Heqja totale e taksave për biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë të reja;
• Kufizimi i detyrimeve ndaj pushtetit vendor jo më shumë se 1% e xhiros vjetore;
• Inspektime fiskale vetëm mbi bazë të analizës së riskut, dhe jo kontroll i verbër që shërben si mekanizëm presioni;
• Rimbursimi automatik i TVSH-së, pa vonesa dhe pa vendimmarrje individuale, duke eliminuar korrupsionin e administratës tatimore;
• Bashkimi i tatimeve dhe doganave në një institucion të vetëm, si mjet për të ulur burokracinë dhe rritur transparencën;
• Eliminimi i privilegjeve fiskale të investitorëve strategjikë, duke garantuar një terren të barabartë për të gjithë;

“Këto masa do të krijojnë një mjedis të drejtë për biznesin dhe do të ndihmojnë sipërmarjen të ringrihet pas një dekade korrupsioni, taksash abuzive dhe inspektimesh që kthehen në gjoba. Ekonomia shqiptare nuk mund të ecë përpara pa drejtësi dhe pa sipërmarje të lirë”, u shpreh Basha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Koalicionin Euroatlantik më 11 maj, si të vetmen alternativë politike që jo vetëm flet për drejtësi dhe zhvillim, por ka dhe vullnetin dhe vizionin për ta realizuar.

Gjatë takimeve kishte dhe nga ata qytetarë që shprehën mbështetjen hapur për Bashën dhe pakëaqësitë për qeverisjen e Edi Ramës. “O Lul, na bëni derman se na kanë zënë frymën” – u shpreh një nga qytetarët, ndërsa një i ri tha se “jam arkeolog me tre diploma. Imagjinoje ti, me tre gjuhë të huaja. Ça bëhet kështu, do bëjmë ndryshim apo s’do bëjmë ndryshim? Ke zgjuarsi, ke dhe mbështetjen time”.

Basha nga ana tjetër tha se zgjedhja në 11 maj është e qartë, vota për Ramën dhe Berishën, është votë për të liruar shokët e tyre nga burgu. Ndërsa vota për numrin 4, është e vetmja garanci që SPAK të vazhdoj punën, me qëllimin e vetëm që paratë mos të shkojnë tek 7×7-313, por në xhepat e shqiptarëve.

Latest articles

Related articles