Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka nxjerrë nga sistemi i drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare ish-prokurorin Arjan Ndoja, i cili aktualisht kandidon si deputet për Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
KPA po ashtu vendosi sot që të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për të.
KPA njoftoi se “në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj si kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare, në mënyrë unanime, vendosi: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Arian Ndoja”.
“Ndalimin e emërimit të Arian Ndoja gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, njoftoi KPA.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Durrësit Arian Ndoja u shkarkua në maj të vitit 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit në dy prej kritereve.
Kujtojmë se ish-prokurori Ndoja ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 teksa udhëtonte në automjet me një eksponent të krimit të organizuar, Aleksandër Lahon i njohur si “Rrumi i Shijakut”.