Prej muajsh është e dukshme: marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe SHBA-ve nuk janë më ato të dikurshmet. Në fakt, Uashingtoni ka bërë një zgjedhje të qartë dhe nuk është qeveria Rama. Partneri i vetëm i SHBA-ve në Shqipëri sot është drejtësia e re, SPAK-u, jo ekzekutivi i korruptuar që ka prodhuar skandale nga inceneratorët te sterilizimi, nga kanabizimi i vendit te vjedhjet e fondeve të BE-së.
Edi Rama këtë realitet kërkon ta fshehë, por është bërë tepër vonë. Mjafton të lexosh me kujdes intervistën e tij në ZDF: toni, fjalori, justifikimet e pafundme. Aty nuk flet një lider që ndihet i sigurt ndërkombëtarisht; aty dëgjon një Kryeministër që përpiqet t’i ikë frikës më të madhe politike, frikës nga amerikanët.
Amerikanët, ndryshe nga Rama, nuk flasin me batuta as me opinione televizive. Ata flasin me fakte, me raporte, me sanksione, me hetime të ndërthurura ndërkufitare, me mënyrën e tyre të hekurt se si çmontojnë korrupsionin dhe paratë e pista dhe prej kohësh, këto fakte nuk i bëjnë më qejfin Ramës.
Sot SHBA po rikthen prioritetin në Ballkan. Diplomacia amerikane në rajon po ashpërsohet, po bëhet më e drejtpërdrejtë dhe më e interesuar të godasë korrupsionin që rrezikon stabilitetin e vendeve aleate. Kjo do të thotë më shumë angazhim, më shumë kontroll, më pak tolerancë ndaj qeverive të korruptuara dhe mbi të gjitha, më shumë fokus te paratë që lëvizin nga krimi te politika.
Kur Sekretari Ameriakn i Shtetit Marco Rubio deklaron publikisht shqetësimin për lidhjet mes grupeve kriminale dhe politikës në rajon, Shqipëria është në qendër të hartës. Sepse të gjithë e dinë: paratë e drogës kanë qenë oksigjeni i pushtetit të Ramës për një dekadë. Sepse të gjithë e dinë: korrupsioni nuk është më thjesht një problem i brendshëm, por një rrezik për interesat e SHBA-ve në Ballkan.
Amerika nuk ka më iluzione. Ajo e di shumë mirë se çfarë është bërë në Shqipëri me milionat e krimit, me kontratat e fryra, me tenderat e manipuluar dhe me kapjen e çdo institucioni. Prandaj SHBA ka mbështetur vetëm një aktor në këtë vend: drejtësinë që po ngre kokë dhe që po troket çdo ditë e më shumë në dyert e pushtetit.
Ndërsa SPAK ecën përpara, Rama po ecën drejt murit dhe Uashingtoni po i mbyll derën. Kur amerikanët mbyllin derën, politika shqiptare e di shumë mirë se çfarë ndodh më pas.
Ky është momenti kur frika nuk maskohet më as në intervista, as në propagandë, as në fantazi për “armiq të jashtëm”. Ky është realiteti politik që Edi Rama nuk e shmang dot: SHBA nuk e sheh më si partner e sheh si problem dhe kur Uashingtoni e vendos këtë etiketë, kapitulli i radhës është vetëm çmontimi.


