Mirë se vini në Triportin e Vlorës, aty ku po ndërtohet porti i ri tregtar që synonte të sillte zhvillim dhe që do të shërbente si nyje për mallra dhe pasagjerë, por që mesa duket përfundoi duke sjellë përfitime private dhe shumë pikëpyetje publike. Por le ta nisim nga fillimi.
Në 10 gusht të vitit 2021 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli koncensionin: “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të Integruar” në Triport Vlorë. Kompanitë që morën pjesë në këtë tender ishin këto të treja (doc), por fituese u shpall oferta e bashkimit të këtyre 5 subjekteve: Agbes Construction që zotëronte 33% të aksioneve, Besta 30%, Arconstudio 25%, ITE Group 8% dhe Premium Construction & Maintenance 5%.
Sipas ofertës, ky bashkim kompanish do të ndërtonte portin e ri tregtar të Vlorës me paratë e tyre dhe në këmbim qeveria do t’u paguante 60 milionë euro me këste për 7 vjet, menjëherë pas përfundimit të ndërtimit. Në pamje të parë çdo gjë dukej ok.
Një muaj pas firmosjes së kontratës koncesionare 5 kompanitë krijuan shoqërinë: Vlora Harbor Construction and Maintanance, por menjëherë pas themelimit të saj gjërat morën një tjetër rrjedhë. Në shtator të vitit 2022, Agbes Construction, e cila ishte dhe aksionerja më e madhe e koncesionit, i shiti kuotat e saj për 100 mijë euro te shoqëria Premium Construction & Maintenance.
Një muaj më pas largohet edhe një tjetër aksioner. Arconstudio, i cili i shiti 25% të aksioneve për 2 500 euro. Blerësi ishte sërish Premium Construction & Maintenance. Pak kohë më vonë ikën edhe një aksioner tjetër, Besta, e cila i shiti 30% të aksioneve të saj për vetëm 3 mijë euro.
Blerësin besoj se e merrni me mend tani… Premium Construction & Maintenance, e cila me 3 blerjet u bë pronare e 92% të aksioneve për një çmim total blerje prej 105 mijë euro. 8% i zotëron ITE Group.
Por le të mbetemi te Premium Construction & Maintenance, që nga emri tingëllon si nje kompani serioze ndërkombëtare, por nga një kërkim i thjeshtë në qendrën kombëtare të biznesit, rezulton se kjo shoqëri ka një kapital fillestar prej vetëm 10 mijë lekë dhe si për rastësi është themeluar vetëm 2 muaj para shpalljes së tenderit të konçensionit.
Por kush është pronar i kësaj kompanie prestigjoze?
Sipas dokumentave zyrtare, rezulton Hektor Agalliu, i datëlindjes 1975’, momentalisht pensionist, me origjinë nga Terpani i Beratit, i cili eshte njëkohësisht edhe punëtor i thjeshtë në firmën Salillari.
Pra, rrjedhimisht i bie që është një njeri pa eksperiencë në ndërtim, pa staf, pa mjete, pa histori biznesi, por mesa duket, me diçka që në Shqipëri vlen më shumë se gjithçka tjetër: lidhjet e duhura.
Lind pyetja: Kush është pronari i vërtetë i këtij projekti 60 milion euro?


