Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, njëkohësisht edhe drejtues i strukturave të saj, tha sot se pushteti me në krye kryeministrin Edi Rama është përpjekur disa herë për të marrë kontrollin e PD-së, por kanë dështuar në fund.
Duke iu përgjigjur zërave që kërkojnë reformim të thellë të PD-së, ai analizoi se këto ishin diversione politike dhe kurthe të mazhorancës dhe grupit të Sorrosit, me të cilin qeveria tentoi të merrte peng selinë blu.
Ai kujtoi çështjen e vulës, përplasjeve brenda PD-së për tre vite, çështjen e arrestit të kryetarit Sali Berisha, duke i ngritur edhe një “non grata”, por përsëri në fund sipas tij, ata nuk patën sukses.
“Plani ishte të merrej nën kthetra PD-ja me klanin e Sorrosit të ndihmuar nga Edi Rama. Non Grata është e Xhorxh Sorrosit dhe jo e SHBA-ve. Bënë përpjekje me non gratën, por nuk ia dolën. Është gjithë kjo luftë kundër PD-së por nuk ia dolën. Janë kurthe të Edi Ramës edhe pretendimet për mosreformim të PD-së. Ata bënë përpjekje për të marrë edhe vulën e PD-së, e mbajtën madje për disa kohë me grupin e Sorrosit, por nuk ia dolën përsëri. PD ka një statut, ka rregulla, duhet të rritesh me beteja kundër rrëgjimit, të rritesh dhe të forcohesh si politikan. Në PD nuk ka “ik ti që të vij unë”, ka rregulla dhe statut, nuk ka rrugë katapultomi dhe narkosi. Kjo është devizë, nuk ka për të ecur kurrë katapultomi në PD me rregullat e narkosit”, tha Noka sot, i ftuar në studion e “News 24”.
Në fund ai bëri thirrje për opozitarët dhe qytetarët, që të hënën të tuboheshin paqësisht poshtë godinës së Kryeministrisë, ku me të njëjtën strategji që u ndoq me kryebashkiakun Erion Veliaj, të ndiqej edhe me Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, deri në rrëzimin e tyre.
“Ju ftoj që ditën e hënë të mblidhemi dhe të protestojmë të gjithë para kryeministrisë. “Lali Vjedhësi” fal protestës së opozitarëve të paepur është sot prapa hekurave. Të njëjtën betejë do nisim edhe të hënën kundër narkosit, Balluku dhe kreu i narkosit do kenë fatin e “Lali vjedhësit”, tha ai.


