Nga Shkëlqim Berisha – Ekspert Sigurie
Ballkani Perëndimor ndodhet sot në qendër të një ristrukturimi të ri gjeopolitik, ku Shtetet e Bashkuara po kalojnë nga një rol reagues dhe menaxhues krizash, në një rol dizenjues dhe institucionalizues të rendit rajonal.
Lexo edhe:
Trump dhe Xi zbutin luftën tregtare, por kërcënimi i ri bërthamor sjell ftohje
Në vend që të trajtojë rajonin si burim tensioni, Uashingtoni po mendon të ndërtojë një ekosistem të qëndrueshëm që siguron demokraci funksionale, qeverisje të përgjegjshme dhe një ekonomi të hapur, të mbrojtur nga ndikimet armiqësore.
Ky ndryshim strategjik nuk ka ndodhur brenda natës. Ai është produkt i një procesi evolutiv politik dhe ligjor, që fillon me urdhrat ekzekutivë të administratave të mëparshme dhe arrin kulmin me projekt-ligjin H.R. 5274 Western Balkans Democracy and Prosperity Act.
Në thelb, SHBA po kërkon të kalojë nga instrumentet e përkohshme të fuqisë ekzekutive, si sanksionet presidenciale dhe masat emergjente, drejt një kornize ligjore të përhershme, të miratuar nga Kongresi, e cila i jep qëndrueshmëri politikës amerikane në Ballkan.
Projekt-ligji H.R. 5274 është sinjali i qartë i këtij tranzicioni: ai synon që Executive Order 14033 (2021) t’a zgjerojë edhe në fusha si zhvillimi ekonomik, siguria digjitale, integrimi arsimor dhe mbrojtja e institucioneve demokratike.
Nëse ky ligj miratohet, SHBA do të ketë për herë të parë një politikë të institucionalizuar dhe afatgjatë për Ballkanin Perëndimor e cila, nuk do të varet nga vullneti presidencial, por të mbështetur në legjitimitetin ligjor të Kongresit.
Kjo analizë nis nga hipoteza se ky kalim nga urdhrat ekzekutivë drejt ligjvënies përbën fazën e re të ridesenjimit të rajonit. Në këtë fazë, SHBA po përpiqet të ndërtojë një arkitekturë të re ndikimi në Ballkan.
Nga “post-konflikti” te dizenjimi i rendit.
Pas tre dekadash pasluftë, Ballkani Perëndimor nuk shihet më si rajon krizash, por si hapësirë strategjike e ridesenjimit të rendit evropian. SHBA ka kaluar nga ndërhyrjet emergjente drejt ndërtimit të një ekosistemi institucional, ku stabiliteti lidhet me sundimin e ligjit, transparencën ekonomike dhe sigurinë kibernetike. Qëllimi është imuniteti institucional ndaj ndikimeve të huaja jo më kontrolli i kufijve, por kontrolli i rregullave të lojës. ( këtu mbete për tu parë nëse do kemi njohje të ndërsjellta Kosovë-Serbi)
“Western Balkans” si konstrukt politik.
Termi “Western Balkans” është një kornizë artificiale, por e qëllimshme: ai ndan ish-jugosllavët e integruar (Slloveninë e Kroacinë) nga pjesa që mbetet “në pritje”. Ky kategorizim i BE-së krijon një sistem të ri administrimi rajonal, ku kushtëzimi dhe krahasimi mes fqinjëve bëhet instrument reformash. Në praktikë, është një mënyrë për të mbledhur shtete të dobëta nën një ombrellë normative perëndimore, përpara se të përballen individualisht me standardet e plota të anëtarësimit.
SHBA: nga garancia e sigurisë te shtylla e rendit.
Roli i SHBA-së ka evoluar nga ndërhyrje ushtarake drejt menaxhimit strategjik të rajonit përmes tri linjave: – Sanksione inteligjente ndaj individëve që minojnë demokracinë (si ato të kodifikuara në Western Balkans Democracy and Prosperity Act).
a) Kapital institucional: reforma në drejtësi, ndihmë teknike, mbrojtje digjitale.
b) Diplomaci e arsimuar: programe bursash dhe partneritete që krijojnë elite lokale të lidhura me vlerat perëndimore.
Kështu, SHBA po mendon të ndërtojë një arkitekturë rendi që mbijeton edhe përtej cikleve politike evropiane.
Rusia dhe Kina: dy mënyra të ndryshme për të testuar rendin.
Rusia përdor destabilizimin politik dhe energjinë si armë ndikimi, një strategji me kosto të ulët që kërkon të ruajë ndikim simbolik.Kina ndërton varësi përmes kredisë dhe infrastrukturës, duke shtrirë standarde teknologjike që i afrojnë rajonet lokale me ekosistemin e saj ekonomik.Në të dy rastet, qëllimi është dobësimi i kohezionit perëndimor, jo pushtimi fizik i hapësirës( të paktën për periudhën që flasim). Ballkani është terren prove për këtë garë sistemike.
Sovraniteti i kufizuar i shteteve të vogla.
Ballkani jeton në një sovranitet të kushtëzuar: nga lart, nga BE dhe NATO që vendosin standardet; nga jashtë, nga varësitë financiare dhe energjetike ndaj fuqive të tjera; nga brenda, nga korrupsioni dhe polarizimi. Ky realitet krijon një sovranitet funksional, jo substancial: shtetet janë të pavarura juridikisht, por varen nga mekanizmat e jashtem për siguri dhe zhvillim.
Faktori shqiptar: kohezion në rendin e ri.
Shqiptarët, të shpërndarë në disa shtete, janë forca më koherente pro-perëndimore në rajon. Ata përfaqësojnë një narrativë integruese, shtetndërtim demokratik në Kosovë, stabilitet institucional në Shqipëri, dhe kohezion qytetar në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kuptim, faktori shqiptar është nyja e rendit të ri, por, rrezikon të mbetet nyje simbolike, nëse mungon strategjia për kapital real: ekonomik, institucional dhe diplomatik.
Zgjimi strategjik shqiptar: nga pjesëmarrje në përfshirje reale!
Përvoja e “Ballkanit të Hapur” tregoi se asimetria e strukturave, financiare, logjistike dhe ushtarake, krijon një rend të shtrembër ku shqiptarët kontribuojnë, por përfitojnë më pak. Në dizenjimin e ri rajonal, “zgjimi shqiptar”duhet të nënkuptojë kërkesë të artikuluar për barazi institucionale:
Qendrat financiare dhe fondet rajonale të mos përqendrohen vetëm në Beograd apo Sarajevë, por të kenë degë dhe seli në Tiranë e Prishtinë. Komandat e sigurisë, akademitë ushtarake dhe qendrat e trajnimit rajonal duhet të shpërndahen gjeografikisht, duke reflektuar kontributin strategjik të shqiptarëve në NATO dhe sigurinë rajonale. Institucionet e inovacionit dhe arsimit të lartë të mbështetura nga SHBA dhe BE duhet të kenë ekuilibër territorial, duke përfshirë qendrat shqiptare si nyje të zhvillimit digjital. Ky është “zgjim”politik dhe institucional, jo retorik.
Vetëm duke kërkuar shpërndarje të drejtë të institucioneve, shqiptarët mund të kalojnë nga statusi i “aleatit të bindur” në aktor përfitues dhe bashkë-arkitekt të rendit të ri perëndimor në Rajon.
“Western Balkans” si skenë e rendit të ri.
Ridesenjimi i Ballkanit është një eksperiment i rendit shumëpolar( të paktën dypolar): SHBA është arkitekti i normave dhe sigurisë, BE është inxhinieri i kushtëzimit dhe fondeve, Rusia dhe Kina janë stres-testet e qëndrueshmërisë. Për shqiptarët, pjesëmarrja në këtë projekt është shans historik, por vetëm nëse kthehet në strategji për barazi reale.
Rendi i ri nuk do të matet nga flamujt në tryezë, por nga shpërndarja e institucioneve që formojnë fuqinë. Në këtë kuptim, “Western Balkans” nuk është fundi i një procesi, por fillimi i një lufte të re për barazi strategjike, një luftë që shqiptarët duhet ta udhëheqin me mendje të ftohtë dhe vetëdije të lartë.
Në të kundërt, është bërë një rreth 360 gradë për 30 vitet e fundit, nga Yugosllavi do kalojmë në një emërtesë tjetër, por këtë rradhë pa Kroacinë dhe Slloveninë.
Ky proces i ridesenjimit mbetet i hapur dhe i ndjeshëm ndaj zhvillimeve të reja globale. Ai do të matet jo vetëm nga deklaratat politike, por nga aftësia e rajonit për të krijuar institucione funksionale dhe të balancuara. Nëse Ballkani Perëndimor arrin të ruajë këtë ekuilibër, ai mund të kalojë përfundimisht nga një zonë e menaxhuar në një hapësirë që vetë-menaxhon të ardhmen e tij.


