Në kulmin e betejave midis shërbimeve sekrete gjatë Luftës së Ftohtë në vitet 1980, bashkëpunëtorët e rekrutuar nga agjencitë perëndimore në Bashkimin Sovjetik nuk ishin kurrë pjesë e një grupimi.
Javës që kaloi, parlamenti rus, Duma, miratoi disa dënime të reja dhe më të gjata me burg deri në 6 vjet për ata që përdorin internetin për të joshur fëmijët në “veprimtari kriminale dhe antisociale”. Arsyeja e miratimit të ligjit të ri është lufta në Ukrainë.
Kjo u bë e qartë nga kreu i Komitetit për Sigurinë në Duma, Vasily Piskarev:”Ka pasur raste të fëmijëve, madje edhe nxënësve të shkollave fillore, që janë përfshirë në akte sabotazhi. Dhe shumë shpesh komunikimet me fëmijën kryhet nëpërmjet internetit” . Dhe ky pretendim është i vërtetë.
Që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës në vitin 2022, fëmijët rusë janë kapur vazhdimisht në përpjekje për të kryer akte sabotazhi. Vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, agjencia ruse e inteligjencës financiare Rosfinmonitoring, shtoi 93 të mitur në listën e terroristëve dhe ekstremistëve, një rekord absolut në këtë aspekt.
Një nga më të rinjtë ishte 14-vjeçari Yegor Lauskis, i cili u dënua me 2 vjet në një burg të sigurisë së lartë në Siberi, për vënien e zjarrit tek kutia e ndërrimit të binarëve në një linjë hekurudhore vitin e kaluar. Dëmi ishte më pak se 10 dollarë.
Sipas hetuesve, adoleshenti që bashkë me mikun e tij u rekrutuan nga ukrainasit përmes aplikacionit Telegram, hodhi një shishe me lëng të ndezshëm në kutinë e komandimit, e regjistroi aktin dhe ia dërgoi videon rekrutëve të tij ukrainas.
Duket se kohët e fundit gjithnjë e më shumë të mitur janë bërë viktima të qasjes së re të shërbimeve sekrete. Në shtator, shërbimi federal i sigurisë në rusi, FSB, arrestoi dy 16-vjeçarë për djegien e një helikopteri në një bazë ajrore ushtarake në Omsk të Siberisë Perëndimore.
Ata pranuan se u ishin ofruar 20.000 dollarë nga një burrë i panjohur, i cili i kontaktoi përmes rrjetit Telegram, duke u dhënë udhëzimet përkatëse. Dy javë më herët, dy djem të tjerë, 13 dhe 14 vjeç, i vunë zjarrin një helikopteri tjetër në një bazë tjetër në një qytet në Siberi. Zjarri jo vetëm që e shkatërroi helikopterin, por solli edhe djegien e rëndë në fytyrat dhe duart e tyre.
Ata u kapën dhe u dërguan në spital. FSB-ja reagoi ashpër, duke i trajtuar fëmijët njëlloj si kriminelët e regjur. Emrat e të miturve u afishuan pranë atyre terroristëve të vërtetë në Rosfinmonitoring, përkrah ekstremistëve islamikë të akuzuar për masakrën e sallës së koncerteve në Moskë në mars të këtij viti, e cila shkaktoi 145 të vrarë.
Duket se lufta në Ukrainë, e ka ndryshuar dramatikisht idenë se si mund të duket dhe të veprojë një agjent i rekrutuar nga një agjenci e huaj e inteligjencës apo organizatë terroriste. Lufta e Ftohtë, prezantoi konceptin e një bashkëpunëtori si një person të rritur, të nxitur nga ideologjia apo paratë.
Përpara rekrutimit të suksesshëm, ai individ kishte nevojë për një periudhë zhvillimi, dhe më pas për një periudhë trajnimi dhe më pas mbështetje. Ky proces gradual, e bënte atë (në shumicën e rasteve) anëtar të një grupimi të fshehtë spiunësh, me një ndarje shumë të qartë dhe fikse të përgjegjësive, të udhëhequr nga një epror që ishte dhe pika e kontaktit.
Dhe kjo ishte e vërtetë, pavarësisht nëse ishte një militant i grupit të rezistencës së nëndheshme në Baltikun Sovjetik në vitet 1950, një anëtar i RAF-it (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe) në Gjermaninë Perëndimore të viteve 1980, apo një terrorist i famshëm si Karlos Çakalli.
Në kulmin e betejave midis shërbimeve sekrete gjatë Luftës së Ftohtë në vitet 1980, bashkëpunëtorët e rekrutuar nga agjencitë perëndimore në Bashkimin Sovjetik nuk ishin kurrë pjesë e një grupimi. Megjithatë kishin një epror afatgjatë, me të cilin ata shkëmbenin mesazhe përmes rrjeteve të sigurta.
Agjencitë e spiunazhit sovjetik, përdorën të njëjtat teknika dhe zakonisht bënë përpjekje të mëdha për të trajnuar bashkëpunëtorët e tyre në Perëndim se si të punojnë me eprorët e tyre, sipas planeve të hartuara dhe miratuara në Moskë.
Për pasojë, numri i bashkëpunëtorëve të mundshëm që ishin në dispozicion për rekrutim nga shërbimet sekrete, nuk ka qenë asnjëherë shumë i madh. Në një moment, spiunët perëndimorë e pranuan në heshtje se njerëzit më të prirur për t’u rekrutuar ishin ata që fillimisht vendosën të punonin për Perëndimin, dhe më pas gjetën një mënyrë për t’iu afruar agjencive perëndimore të inteligjencës.
Kjo ishte mënyra se si CIA rekrutoi Adolf Tolkachev – i ashtuquajturi Spiuni Një Miliardë Dollarësh – që zbuluar sekrete të teknologjisë së lartë sovjetike midis viteve 1979-1985. Po ashtu KGB-ja u rekrutoi Aldrich Ames dhe Robert Hannsen, dy nga agjentët sovjetikë më të vlefshëm, përkatësisht në CIA dhe FBI.
Që të dy kishin dalë vullnetarë për të spiunuar për inteligjencën sovjetike, në këmbim të shpërblimeve të mëdha financiare. Lufta në Ukrainë, e ndryshoi këtë perceptim në diçka shumë më pak magjepsëse. Midis rusëve të rekrutuar nga shërbimi sekret ukrainase – apo tek ata që janë kapur deri më tani – janë idealistë të rinj dhe aktivistë, por edhe fëmijë që u kontaktuan përmes platformës Telegram dhe iu ofruan para.
Po ashtu, shërbimi sekret rus i është kthyer një lloj tjetër rekrutimi. Fjala është për kriminelë të rëndomtë, emigrantë të kohëve të fundit, shpirtra të humbur dhe të gjitha llojet e mashtruesve që janë të etur për të fituar shpejt para. Ata i bashkohen akteve të sabotazhit apo operacioneve propagandistike ruse në Evropë.
Një nga fajtorët për këtë ndryshim, është pjesërisht zhvillimi i teknologjive të telekomunikacionit. Por arsyeja kryesore, është fakti se ajo që kemi tani në Evropë nuk është një Luftë e Dytë e Ftohtë, por një luftë e vërtetë e nxehtë, ku kufizimet etike, përfshirë ato për agjencitë e inteligjencës, bëhen viktima e parë. Maskat kanë rënë. “Center for European Policy Analysis”
*Shënim:Irina Borogan dhe Andrei Soldatov janë anëtarë të Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA.) Ata janë gazetarë investigativë rusë dhe bashkëthemelues të portalit Agentura.ru, që mbikëqyr aktivitetet e shërbimit sekret rus.


