Deputeti i PD-së Luan Baçi ka deklaruar se do të votonte kundër Fredi Belerit në Himarë edhe pse ai ishte kandidat i opozitës, pasi sipas tij duhet të ishte gjetur kandidat i pa kontestueshëm.
Baçi në “Open” në News 24, deklaroi se Fredi Beleri është arrestuar me urdhër të Edi Ramës dhe e gjitha sipas tij, ka qenë show.
Më tej ai thekson se dënimi i kreut të zgjedhur të Bashkisë Himarë është politik dhe një inskenim.
“Nuk kam ndonjë konsideratë për Belerin si kandidat. Do të votoja kundër në Himarë po të isha edhe pse është kandidati i Opozitës së Bashkuar. Ky është konstatimi im individual. Opozita mund të gjente kandidatë të pa kontestueshëm.
Beleri është i arrestuar nga Edi Rama. Nëse nuk do të ishte angazhuar kryeministri, Beleri do të ishte kryetar bashkie. Rama ka deklaruar se do të merrte personalisht me të dhe pas këtij artikulimi menjëherë janë vënë në lëvizje strukturat e policisë. Është e vërtetuar që ka qenë inskenim, një kurth nga policia, për ta arrestuar publikisht dhe për të bërë shou. Ai u mbajt padrejtësisht një vit në paraburgim”.


