Shqipëria ka nevojë për një Republikë të reformuar | Prof. Taulanda Jupi

spot_img
Advertisements

Korrupsioni nuk ka ngjyrë!
Kapja e shtetit nuk ka ngjyrë!
Arroganca politike nuk ka ngjyrë!

Për më shumë se tre dekada, shqiptarëve u është kërkuar të besojnë se problemi i vendit ishte gjithmonë pala tjetër. Se mjaftonte të ndryshonte qeveria dhe gjithçka do të ndryshonte. Se shpëtimi do të vinte me rotacionin e radhës.

Por përvoja ka treguar të kundërtën.
Emrat kanë ndryshuar. Qeveritë kanë ndryshuar. Partitë kanë ndërruar vendet në pushtet.
Megjithatë, shumë nga plagët kryesore kanë mbetur të njëjtat: korrupsioni, arroganca e pushtetit, klientelizmi dhe përdorimi i shtetit si instrument politik.

Sepse problemi nuk ka qenë vetëm kush qeveris. Problemi ka qenë mënyra se si është qeverisur.

Shqipëria nuk ka nevojë për një rotacion të ri emrash. Shqipëria ka nevojë për një Republikë të reformuar.
Një repubikë:

  • Ku institucionet nuk varen nga vullneti i një individi apo nga interesat e një partie, por nga ligji.
  • Ku drejtësia nuk përdoret si mjet politik dhe as nuk pengohet nga politika.
  • Ku pushteti kontrollohet realisht dhe vazhdimisht nga qytetarët.
  • Shqipëria ka nevojë për një republikë ku parlamenti nuk është thjesht noter i qeverisë dhe skenë teatri ku opozita të luajë rolin e saj duke pritur radhën e pushtetit.
  • Ku administrata nuk është zgjatim i partisë.
  • Ku shteti nuk trajtohet si pronë e fituesit të zgjedhjeve.
  • Një republikë ku askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është i braktisur prej tij.

Shqiptarët nuk kanë nevojë të zgjedhin mes zhgënjimeve të përsëritura.

Kanë nevojë për një shtet të drejtë dhe për një republikë të reformuar.
Një model ku suksesi vjen nga puna dhe merita, jo nga lidhjet politike. Ku të rinjtë nuk shohin emigrimin si të vetmen rrugë për dinjitet. Ku politika nuk është rruga më e shpejtë drejt privilegjit.
Kjo është arsyeja pse kjo protestë është më e madhe se emrat e përveçëm. Më e madhe se partitë. Më e madhe se ciklet e zakonshme politike.

Është një protestë për një shtet të drejtë dhe një Republikë të reformuar.

Është protesta më e bukur dhe më qytetare që një komb që aspiron Europën mund të organizojë: një thirrje kundër korrupsionit të sotëm e të djeshëm.

Pas kësaj proteste Shqipëria nuk do të jetë më njësoj.

spot_img

Latest articles

Related articles