Populli ka dalë në shesh. Askush nuk mund ta mohojë këtë gjë sot. Protesta popullore është në ditën e 10-të; çdo qytet po vlon dhe diaspora po proteston në çdo shesh të Evropës dhe të Amerikës, si kurrë më parë.
Protestuesit thonë: Rama burg, Berisha burg.
Në çdo vend normal, kryeministri do kishte dhënë dorëheqjen, sepse në çdo vend normal ka institucione që veprojnë. Kryeministri është vetëm një njeri; partia që e mbështet është shumë më e madhe; opozita është gjithnjë aty për t’i kujtuar se do të ketë gjithnjë një ndryshim nesër—edhe pas 13 vitesh. Askush nuk është i përjetshëm.
Presidenti është garant i Kushtetutës dhe kjo marrëveshje e madhe kërkon, në radhë të parë, vetëdije për vendin e secilit institucion.
Ku është vendi i Presidentit sot? Tek paradhoma e kryeministrit? Në çdo vend normal, Presidenti do të kishte filluar konsultimet me palët e interesit. Rreziku është prishja e paqes sociale.
Parlamenti, me deputetët dhe të deleguarit e popullit, të cilët duhet të ishin tejet të alarmuar për atë që po ndodh në sheshe. Heshtja e tyre është uleritëse, sepse institucioni ka kapitulluar.
Vetë partitë politike duhet të ishin duke i kërkuar llogari drejtuesve të tyre.
Pse asnjë deputet socialist nuk e thërret kryeministrin në interpelancë apo, të paktën, të kërkojë shpjegime në grupin parlamentar?
Ku është baza e partisë? Pse anëtarët nuk pyesin veten pse fëmijët, motrat dhe vëllezërit e tyre janë në protestë, pikërisht kundër drejtuesve të tyre?
Ka edhe të tjerë:
Ushtria jonë—ushtria e një vendi NATO—do të kishte filluar të kërkonte llogari për kryeministrin e vendit, sepse ushtria është garantuese e mbrojtjes së shtetit.
Sistemi gjyqësor; të paktën shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të kishin dalë me një deklaratë publike.
Komunitetet fetare do të kërkonin një rrugë drejt pajtimit të palëve.
Shërbimet sekrete do t’i njoftonin institucionet për rrezikun që i kanoset një vendi me kryeministër të delegjitimuar nga revolta popullore.
Sepse e gjithë kjo çështje ka vetëm një person si problem, dhe si zgjidhje. Ai person që mban karrigen e kryeministrit; ai që duhet të japë dorëheqjen.
Kryeministri nuk është një person, por një institucion që punon bashkë me institucione të tjera. Prandaj ai që ushtron kompetencat e kryeministrit nuk duhet të bëhet kurrë pengesë që ky institucion të punojë në të mirën e shtetit.
Por problemi më i madh është se ka shumë institucione që sot nuk po kryejnë detyrën e tyre, dhe kjo ka sjellë një ngërç të madh.
Kush mund ta zgjidhë i pari këtë ngërç?
SPAK!
Nëse deri dje i kemi mirëkuptuar të gjithëSPA K për mundësitë dhe pamundësitë që ka pasur për të ushtruar funksionet e veta, sot rruga më e shëndoshë për Shtetin tonë Shqiptar është finalizimi i menjëhershëm i hetimeve që SPAK ka në dorë.
Kushdo qoftë zyrtari që ka bërë që populli sovran të ngrihet në këmbë, duhet të vendoset përpara përgjegjësisë—qoftë ky dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Kushdo institucion që sot zgjedh të bëjë detyrën e vet, pa frikë, me vendosmëri, në të mirë të shtetit, do të ketë mbështetjen më të madhe popullore, atë që s’është parë këto 35 vitet e fundit.
Prandaj aty ku sot po dështon:
Presidenti;
Parlamenti;
Partitë;
Ushtria;
Shërbimet;
etj., etj.,
aty duhet të ndriçojë institucioni i votëbesuar nga 140 deputetë dhe i ardhur në jetë pikërisht nga protestat e njerëzve.
Sot, më shumë se kurrë, SPAK i ka duart e lira. Dhe lajmi më i mirë për protestuesit do të ishte njoftimi se SPAK po çon përpara drejtësisë Edi Ramën dhe Sali Berishën—dy qytetarë të thjeshtë që sot mbajnë detyra publike, që ndoshta as i kanë merituar ndonjëherë dhe me të cilët dyshohet masivisht se kanë abuzuar me babëzi.
Sovrani po flet: Rama burg! Berisha burg!



